Biografinë e vet prej atdhetari e luftëtari të shquar të UÇK-së, dëshmori Shkëlzen Gacaferi e shkroi në betejat e zhvilluara në Junik, Voksh, Gjocaj, Jasiq e Zharre, ku u shqua për gatishmërinë luftarake, për guximin e jashtzakonshëm dhe për heroizmin luftarak, duke u bërë shembull për brezat e ardhshëm.
Shkëlzen Gacaferi u lind më 22 qershor 1971 në Junik. Rrjedh nga një familje e varfër fshatare, por me shpirt fisnik e atdhedashuri të lartë. Prindërit, Rexhë e Gjejlane Gacaferi, kishin pesë djem. Shkëlzeni ishte më i riu prej tyre.
Shkollën fillore e kru në vendlindje, ndërsa për shkak të gjendjes së varfër ekonomike, nuk pati mundësi të shkollohet më tej. Disa kohë qëndroi në mërgim, në Gjermani.
Në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës u inkuadrua. pa hamendje më 9 qershor 1998. Paraprakisht kishte kryer stërvitjet ushtarake në qytetin “Bajram Curri”.
Bashkë me të vëllain, Muhametin, u sistemua në shtabin lokal, pastaj, me ngritjen e hierarkisë ushtarake, në Kompaninë e Dytë të Batalionit të Junikut, në Togun e Parë nën komandën e eprorit Gani Shehu.
Mori pjesë në betejat në Gjocaj, Jasiq, Junik, Voksh etj. Pas kthimit nga vija e frontit në Voksh, veproi në Njësinë Diversante Vëzhguese të Batalionit të Junikut.
Më 28 korrik të vitit 1998, në ofensivën ushtarake të ndërmarrë në Gjocaj, e që shtrihej nga Kosharja deri në Voksh, pas një lufte të ashpër e të pabarabartë, Shkëlzeni goditet nga një breshëri plumbash të armikut serb dhe bie dëshmor, në Zharre të Gjocajve, mbi Kodrën e Kuqe. Trupi i tij varroset në Junik, më 31 shtator 1998. Ndërkaq në nderim dhe respekt të veprës së Shkëlzenit dhe Arif Gjocajt, në Kodrën e Kuqe është ngritur lapidari i pavdekësisë. Te varri i dëshmorit Shkëlzen Gacaferi, në vendlindje, poashtu është vënë pllaka përkujtimore.
Familja e dëshmorit Shkëlzen Gacaferi ka marrë Mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, menjëherë pas luftës. (Z. Gj.)