Shkolla e Mesme “Jonuz Zejnullahu” në Viti përfituese e një granti tejet të rëndësishëm

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur sot në një takim koordinatorin Rajonal të Fondit të Sfidave për Kosovë, Renato Vasili, me të cilin kanë diskutuar rreth grantit për infrastrukturë dhe pajisje në makineri, përfituese e të cilit projekt është  Shkolla e Mesme Profesionale “Jonuz Zejnullahu” në Viti, e që kapë vlerën afër 600 mijë euro. Kryetari Haliti, u shpreh shumë mirënjohës dhe i hapur edhe për bashkëpunime tjera me rëndësi të veçantë për komunën e Vitisë. Ai ka falënderuar koordinatorin  rajonal të Fondit të Sfidave për Kosovë, Renato Vasili, për këtë grant, si dhe ka përgëzuar shkollën profesionale dhe drejtorin Nijazi Lutfiu, ndërkohë që  u shpreh i hapur për bashkëpunime të tjera edhe në të ardhmen. “Bashkëpunimi i ndërsjellët rajonal është çelësi i suksesit. Jam shumë mirënjohës dhe falënderues për këtë grant, me shumë rëndësi për shkollën profesionale. Këto investime që do të bëhen, padyshim se do të ngritin cilësinë e arsimit profesional. Po ashtu përgëzoj shkollën dhe drejtorin për angazhimin e tyre rreth këtij granti. Ne do të jemi të angazhuar që të ju ndihmojmë deri në fund të realizimit”, ka thënë Haliti. Ndërsa, koordinatori Renato Vasili, tha se nga 23 aplikime, janë përzgjedhur vetëm 4 prej tyre dhe në mesin e tyre është edhe shkolla “Jonuz Zejnullahu” në Viti. Ai tha se ky grant ka për qëllim ngritjen e cilësisë në arsimin profesional, përmes investimeve në infrastrukturë, me qëllim të marrjes së një stafi të kualifikuar nga shkolla profesionale. Po ashtu, Vasili bëri me dije se në kuadër të këtij granti është edhe trajnimi i stafit për operimin e këtyre makinave. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe drejtoresha e Arsimit në Viti, Fatbardha Emini, si dhe drejtori i kësaj shkolle Nijazi Lutfiu, të cilët e vlerësuan lartë këtë grant dhe rëndësinë e tij për komunën e Vitisë, në këtë rast për nxënësit e shkollës së mesme profesionale. Në shenjë mirënjohje, kryetari Haliti i ndau një dhuratë modeste koordinatorit Vasili, duke e falënderuar edhe për bashkëpunimin.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …