Shkolla e Mesme Profesionale, Qendra e Kompetencës “Kujtim Krasniqi” në Malishevë, sot e ka shënuar ditën e shkollës, e që lidhet me datën e lindjes së dëshmorit të kombit, emrin e të cilit e mbanë kjo shkollë. Në këtë shënim, ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Argjend Thaçi, drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi, familjarë të dëshmorit dhe të tjerë.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në fjalën e rastit, pasi i uroi mësimdhënësit dhe nxënësit e Qendrës së Kompetencës “Kujtim Krasniqi”, i përgëzoi edhe për të arriturat e kësaj shkolle dhe i siguroi që qeveri komunale, do ti përkrahë të gjitha shkollat, sidomos në fushën e projekteve inovative. Kastrati, foli edhe për dëshmorin e kombit, Kujtim Krasniqi dhe tha se “sot kemi fatin që emrat e institucioneve te ne mbajnë emrat e dëshmorëve, përderisa në shkolla tashmë mësojmë për luftën dhe historinë e popullit tonë, falë sakrificës dhe luftës së UÇK-së dhe dëshmorëve të kombit, siç është edhe Kujtim Krasniqi”.
Edhe drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi, i uroi të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle me rastin e shënimit të ditës së tyre dhe ju tha se “çdo ide dhe projekt që lidhet me rritjen e cilësisë dhe zhvillimin, do të ketë përkrahjen e pakursyer të kryetarit dhe drejtorisë”.
Për historikun dhe të arriturat e kësaj shkolle profesionale, ka folur drejtori Nazmi Zogaj, i cili tha se të arriturat e kësaj shkolle janë të dukshme, ndërsa ai falënderoi të gjitha institucionet dhe bizneset në Malishevë, për përkrahje në ushtrimin e praktikës profesionale në të gjitha drejtimet që ka kjo qendër e kompetencës.