23 shkollat fillore dhe 3 shkollat e mesme të Skenderajt i kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2016-2017.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Skenderajt Bekim Latifi ka sqaruar se DKA tashmë i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e mësimit që nga 16 janari. Ai ka siguruar se shkollat janë të pajisura me lëndë djegëse për ngrohje dhe material tjetër pedagogjik dhe administrativ të domosdoshëm për mbarëvajtjen e mësimit në gjysmëvjetorin e dytë.
Gjithashtu shkollat e Skenderajt tashmë kanë filluar përgatitjet për zbatimin e kurikulës së re në vitin shkollor 2017-2018.
Komuna e Skenderajt numëron gjithsej 23 shkolla fillore, 3 shkolla të mesme dhe 1 institucion parashkollor, në të cilat mësimet i vijojnë rreth 13 mijë nxënës.