Në këtë periudhë kohore në të cilën gjendemi tani e 24 vite pas luftës çlirimtare, siç duket orekset për përçarjet, ftohjet e marrëdhënieve ndër njerëzore në mes të njerëzve dhe kreut të lartë politik dhe ushtarak nuk kanë të ndalur dhe të tillë janë personat e llojit të vet sikurse Spiro Butka i cili i fryen zjarrit duke implikuar edhe personalitete të njohura të kombit dhe të luftës çlirimtare.
Reagimi i Bordit të operacionit “Shigjeta” lidhur me atakimin e simbolit të rezistencës Adem Demaqi dhe eprorëve të lartë të operacionit “ Shigjeta” ka qenë me kohë menjeherë pas botimit të librit “Operacioni Shigjeta midis realitetit historik” të kolonelit Spiro Butka.
Dua të citoj një thënie të nxjerr nga libri « Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire » botuar në vitin 1779 nga shtëpia botuese J.J.Kesler, Frankfurt, ku thuhet në fjalimin e fundit të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut:
“ Kur t’iu flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysmëveshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjitha shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave”.
Absolutisht jemi kundër çdo etiketimi të personaliteteve historike dhe diferencohemi ndaj fyerjeve të këtilla që shkaktojnë përçarje në mes nesh dhe këto nuk i kontribuojnë askujt. Gjykojmë ashpër gjuhën e urrjetjes dhe etiketimeve të kolonelit, Spiro Butka duke e apostrofuar Simbolin e Rezistencës Shqiptare Adem Demaqin – Mendelën e Evropës, sikurse edhe presidentin historik Ibrahim Rugovën. Gjykojmë ashpër edhe fjalorin fyes dhe ofendues të S.Butkës ndaj eprorëve të lartë të operacionit “Shigjeta”.
Sa i përket shkrimeve të Sheradin Berishës nuk ka nevojë të luajë rolin e avokatit dhe nuk është i autorizuar nga askush të merret me shkrimet e operacionit ”Shigjeta” dhe duam të potencojmë se asnjëherë nuk është përkrahur Spiro Butka për shkrimet e tij tendencioze, ofenduese dhe përçarëse edhe në të ardhmen secili kushdo qoftë ai që mundohet të bëjë veprime të këtilla do të distancohemi nga ai. Gjithashtu apelojmë edhe në shtëpitë televizive që mos ti japin hapësirë askujt në emrin personal të flas për luftën dhe gjuhën e urrejtjes dhe përçarjës që tani më shumë shtëpi televizive sikurse me mision janë duke e kryer këtë.
Në luftë ishim të bashkuar dhe fryma e unitetit duhet të vazhdojë edhe në paqe dhe ky mesazh duhet t’i jepet edhe gjeneratave të reja.
Lavdi e përjetshme për dëshmorët e kombit !
Me respekt :
Bordi i Operacionit “Shigjeta”