Shkrimtari dhe publicisti, Albert Zholi nxori në dritë librin, “Kujtim Gjonaj dhe magjia e filmit"

Shkrimtari dhe publicisti, Albert Zholi nxori në dritë librin, “Kujtim Gjonaj dhe magjia e filmit”

Shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur, Albert Zholi, autor i 20 veprave monografike, librin e fundit ia ka kushtuar mjeshtrit të madh të filmit, Kujtim Gjonaj, regjisor i 156 filmave dokumentarë dhe artistikë.

Në vend të hyrjes

Historinë e gdhendin njerëzit e mëdhenj. Ata udhëheqin botën dhe bëjnë mrekullitë. Njerëzit që dashurojnë dhe dinë ta ndërtojnë bukur jetën, punën dhe marrëdhënien njerëzore. Jeta nuk është një luftë për të njohur veten, por një luftë për të ndërtuar veten. Dhe në këtë betejë të përditshme me furtunat cmirënjohëse, me uraganet e dëshirës, me oguret e fatit, me melankolitë e pendesës dhe stinët që vijnë e ikin si tufane që lënë pas kujtime të mahnitshme duhet të ndrijë dielli. Dielli i jetës është dashuria. Ndjesia më e ndërkryer e botës njerëzore. Çelësi dhe formula magjike. Dhe dashuria shpërfaqet në art, letërsi, kinema, kudo ku ke talentin tënd…

Kur e njoha për herë të parë Kujtim Gjonajn, m’u krijua përshtypja se ishte një tiranas garip nga të përkëdhelurit e Kinostudios. Por ishte një përshtypje fillestare dhe paksa mendjelehtë. Duke biseduar, fisnikëria e tij nisi të më çudisë e të më çarmatosë. Pata ndjesinë se ai njeri kishte mistere tronditëse. Dalëngadalë progresioni drejt këtij njeriu nisi të marrë kufijtë e mitit. Ai më bëri të lundroj në rrënjët e atij lisi madhështor, që është historia shqiptare me figura legjendë si Dodona, Pirroja, Ali Pashë Tepelena, Konica, Nënë Tereza, Margarita Xhepa e heronj të panumërt, që skalisin kaq bukur shkëmbin dhe kulturën tonë shqiptare, dheun amë.

Kur Kujtimi lundron në të kaluarën, të duket vetja si mbi një shkop magjik që fluturon herë në bregun e Pargës, herë në oborrin plot mëllaga të De Radës, herë në tirqet e bardha të heronjve të Kosovës, në flokët e bardhë të Pashait gjakatar e në bastunin e frakun e Konicës. Të duket sikur fluturon mbi shqipen tonë të egër e takon njerëz të jashtëzakonshëm e fisnikë deri në piedestal. Aq vitalë, plot mesazhe, sa të duken herë-herë figura marramendëse romanesh. Kanë jetuar në një epokë ku injoranca ishte vatër, por inteligjenca gjente sofër në varfëri dhe padije për të skalitur gjenialitetin e një populli që ka gremb heronjsh. Njerëz që shkëlqenin me erudicionin e tyre, që betoheshin për gjak e flamur dhe që ëndrrën më të madhe kishin Shqipërinë. Dhe të duket vetja si mbi shqipen tonë dykrenore tek lundron në bukuritë e dherit tonë. Dhe mahnitesh nga lulet e kumbullave të Vermoshit, gjethnaja e Valbonës, kthjelltësia e Jonit, zajet e Vjosës, shenjtëria e Akeronit e mikpritja dhe vlerat e shqiptarëve. Dhe të gjitha këto përjetime vijnë nga krijimtaria e tij.

Ai të rrëmben me vizionin dhe pasionin e tij artistik në legjenda fantastike ku zanat, trimat dhe besëtytnitë shpalosen buzë liqeneve e gërxheve të Veriut dhe të Jugut shqiptar. Ky popull me fustanellë dhe me histori gjaku është qenie interesante, edhe pse ka ndenjur i heshtur nën zgjedhën e barbarisë pushtuese. Mendja dhe kënga e tij kanë qenë flirtuese veç me perëndinë e lirisë. Një madhështi dhe respekt për shqiptarin e ndien në gjithë krijimtarinë e tij. Aromë e bukur Shqipërie, adrenalinë ballkanase rrjedh nga fjalët, nga kujdesi i tij për imazhet, nga latimi deri në detaj i simbolit. Dhe emocioni të puprron lëkurën e gjaku vërshon nëpër deje e ndien krenari absolute. Kjo është magjia e artit. Ai jo vetëm i ka përshkruar ngjarjet nëpër filma, por edhe i ka përjetuar e qëndisur me filigramë nëpërmjet imazhit. I ka transkriptuar në formën më magjike artistike. Emocion, kulturë dhe sensualitet të fjalës dhe imazhit kanë pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij. 150 filma që i përkasin të dyja kohërave, përbëjnë bagazhin e tij artistik.

Edhe pse një pjesë e krijimtarisë së tij i përket periudhës së komunizmit, ku ishte trend i kohës t’i thureshin lavde partisë në pushtet, kjo nuk e zbeh aspak vlerën e filmit dokumentar të asaj periudhe. Ishte koha e tij, e të tjerëve, koha e dashurisë dhe e luftës së klasave. Është aq bindës dhe i vërtetë kur flet për atë kohë sa të bën të mendohesh thellë, e të gjykosh me drejtësi. Pasioni për të bukurën, për artin, për punën, për vlerat kanë qenë lajtmotiv i asaj kohe. Dhe ka të drejtë. Kinostudioja ishte një kombinat artistik. Solli zhvillim në një vend të varfër si Shqipëria, që vinte nga një analfabetizëm dhe histori tragjike mbijetese. Solli bukurinë e fjalës, imazhit dhe domethënieve të një jete që jetohej në ato kushte. Pra, solli realitetin.

Krijimtaria e Kujtimit përshkruan viset e bukura shqiptare dhe heronjtë që bënë shumë për vendin e tyre në lëmin e diturisë dhe trimërisë. Ka një diapazon të gjerë hapësinor duke përfshirë historinë, kronikën dhe lajtmotivin ndjesor. Duke e filluar karrierën e tij nga letërsia dhe gazetaria, duket se Kujtim Gjonaj ka qenë në shtratin e vet në gazetarinë e filmit. Duket se çdo gjë tek ai dallgëzohej si në një vargmal, ku dashuria për fjalën konvertohej në dashurinë për imazhin. Ishte një pasion që atij i lindi plot zulmë dhe që rridhte nga kërkesa rigoroze që ai kishte ndaj vetes që në rininë e tij të hershme. Këmbëngulje, por dhe trans artistik që i vorbullohej nga qenësia e tij.

Që në fillimet e hershme, ai dallohej nga të tjerët për elokuencën e fjalës dhe më pas në karrierën e tij të gjatë artistike do të dallohej hershëm për vlerat e tija regjisoriale. Është vlerësuar me shumë tituj dhe është cilësuar si një nga regjisorët më të mirë të filmit dokumentar në Shqipëri në shumë evenimente dhe konkurse që zhvilloheshin në kohën e diktaturës, por dhe më pas. Kritikët e kanë cilësuar si kalorësin e historisë dhe në fakt ai e meriton të quhet legjionar nderi i historisë shqiptare në filmin dokumentar. Është një dashuri që plazmohet nga filmi në film, nga heroi në hero, nga regjisura në regjisurë. Gati 50 vjet krijimtari artistike në lëmin e filmit që i ka dhënë dhe primatin e jetëgjatësisë në karrierën e dokumentarit. Ai ka shënuar historinë dokumentare të Shqipërisë me imazhe të arta, që do i mbeten përjetësisht kinemasë shqiptare. Ka hedhur historinë e të tjerëve në celuloid, duke shënuar me shkronja të arta emocionet dhe idetë e tija artistike.

E nëse lavdet për punën e këtij regjisori të madh të filmit dokumentar shqiptar nuk mjaftojnë, Kujtim Gjonaj ka vlera të jashtëzakonshme në marrëdhëniet njerëzore. Një njeri simpatik, me atë çehren e tij djaloshare dhe pse flokët janë thinjur, me sytë larosh dhe me fjalën e mirë kudo në gojë. Edhe pse kritik ndaj shoqërisë së sotme shqiptare, ai mbetet një figurë shembull dhe me familjen e tij dinjitoze. Ka ditur të ndërtojë gjëra të bukura në jetë dhe të jetë i suksesshëm. Ka një familje perfekte dhe një sinqeritet tronditës. I pulson një nerv në qafë, kur dikush shet mend me paudhësitë e tij. Dhe në fakt ai njeri ka një sekret të madh. Gjatë 70 viteve të jetës së tij ka ndërtuar figura të mëdha historike dhe dalëngadalë ka përshfaqur një figurë tjetër, atë të vetvetes. Sepse të mbetesh artist në shpirt, por mbi të gjitha njeri në kohërat e paudha dhe bajraktare që kanë ardhur në Shqipëri, ku gjithsecili vjedh pará, pushtet, e mburret për antivlera, është një vlerë e pallogaritshme. Dhe ashtu siç ka tre boshte në krijimtarinë e tij, ai përmbledh në madhështinë e vet tri vlera: thjeshtësi, mirësi dhe vërtetësi. Jeta e tij nuk ka qenë dhe aq e lehtë. Shumë herë në jetën e tij ka luftuar për të qetësuar hendekun mes jetës dhe vdekjes, që e ka patur fare pranë. Por ai jeton dhe punon me idenë që dhe pas vdekjes krijimtaria e tij të mbetet në historinë e filmit shqiptar. Sepse suksesi dhe madhështia e çdo artisti është pavdekësia.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …