Njohës i thellë, sidomos i rrjedhave politike e shoqërore të pjesë së dytë të shekullit 20-të, pjesëtar i një familje me traditë atdhetarie, veprimtar i njohur i Lëvizjes atdhetare, i burgosur politik i viteve 80-të, Mehmet Hajrizi, ka lënë gjurmë edhe në zbardhjen e proceseve shoqërore e politike të decenieve të kaluara në Kosovë, ku ka qenë edhe subjekt me rëndësi në disa nga rrjedhat historike të kohës.
Libri “Bir i Atdheut” është një “roshomaniadë” letrare, dokumentare e artistike i trajtuar, i kundruar dhe i mbarë-shtruar me kujdes e pedanteri të veçantë deri edhe me specifika e detaje, të cilat plotësojnë tërësinë e veprës në shumë segmente.
Autori, duke qenë xhaxha i Naser Hajrizit, por edhe frymëzues me ide kombëtare e liridashëse i tij, e ka njohur dëshmorin që nga dita e lindjes e deri në ditën kur e ka lëshuar kufomën e tij, në përjetësi, me duart e veta.
Në një raport të tillë, familjar, frymëzues, edukativ, arsimor, më vonë bashkëveprimtar, Mehmet Hajrizi është rrëfyesi kryesor i jetës dhe veprës së “birit të atdheut”, por lëndën e ka mbarështuar dhe e ka begatuar edhe me shumë rrëfime të tjera, duke filluar nga prindërit e të afërmit, shokët e miqtë, arsimtarët e veprimtarët, të cilët kanë pasur rast ta njohin dëshmorin e parë të 2 prillit të vitit 1981, Naser Hajrizi, i cili kishte rënë së bashku me dëshmorin tjetër, shokun e shkollës dhe të idealit, Asllan Pireva, duke përskuqur me gjakun e tyre rinor qendrën e Prishtinës, gjatë protestave ku kërkohej të jetësohej Republika e Kosovës.
Kam pasur fatin e mirë ta njoh në rini, xhaxhanë e dëshmorit, të burgosurin politik të viteve 60, tani të ndjerin, Zeqir Hajrizi, pastaj dëshmorin, Naser Hajrizi të cilin edhe e kam pasur nxënës, në Akademinë Pedagogjike, ish Normalja e Prishtinës, në vitet 1979-1981, pastaj gjatë kohës së burgut në vitin 1987, në Novi Sad të Vojvodinës, kam njohur xhaxhanë e dëshmorit, Mehmetin dhe Jahir Hajrizin, kushëri i parë dëshmorit. Kjo njohje me pjesëtarë të kësaj familje më ka bërë përshtypje në radhë të parë, sepse e tërë familja ishte pjesë e veprimtarisë atdhetare, një familje bujare, që kishte mbijetuar gjithnjë vertikalisht falë punës me djersë, respekt, solidarësi e mirëkuptim.
Monografia e “letrarizuar”, Biri i Atdheut, ka ndërtimin e vet specifik krijues, në radhë të parë, sepse duket që këtë diskurs letrar, autorit mbase ia ka “imponuar” edhe tema të cilën e ka përzgjedhur, me qëllim për ta projektuar si një tërësi rrëfimtare, pa përcaktuar paraprakisht zhanrin letrar. Këtë format të ndërtimit të veprës, autori e ka analizuar nga të gjitha këndvështrimet, prej ekspozesë në formë prologu, pastaj të dhëna nga jeta e familjes në kohë e hapësirë, jeta e dëshmorit nga dita e lindjes deri në rënie, duke u ndalur në elemente bazike të rrëfimit, duke e pasuruar me rrëfime dokumentare për dëshmorin dhe në pjesën e fundit duke e pasuruar atë me foto, faksimile, dokumente, mirënjohje e prezantime të tjera.
Këtë mënyrë sesi iu ka qasur lëndës për ta trajtuar monografinë, autori e ka arritur duke i renditur rrëfimet, duke i sistemuar ato dhe duke i inkorporuar në tërësinë sintetike të saj.
Duke qenë edhe vetë subjekt dhe objekt i veprës, autori, ka sjellë një risi në këtë formë të ndërtimit tematik e dokumentar të librit, një format që thyen barrierat e zhanreve, ashtu sikur vetë jeta thyen e hedh tutje klishetë dhe paradokset.
Portreti i përjetësuar i dëshmorit, Naser Hajrizi
Të gjitha ata që e kanë njohur Naserin, duke filluar nga prindërit, tani të ndjerë, vëllezërit, motra, të afërmit, shokët e shkollës dhe idealit, mësimdhënësit, miqtë e njohës të rastit, pas leximit të kësaj monografie, kompletojnë në tërësi portretin e dëshmorit, duke e parë atë fillimisht nga fiziku spartan, ( kështu i kam përfytyruar prore Naserin e Asllanin), vështrimi i thellë dhe shumë kuptimplotë, që lidhet me kohën e shkuar të rreth katër decenieve më parë, duke e kthyer në kujtesë hapërimin e tij nga familja në shkollë, te të njohurit, shokët, lëvizjet e tjera të kohës së rinisë, rrugët e panjohura të drejta e tërthore, për të cilat profeti Solomon ka shkruar se “rrugët e kohës së rinisë janë rrugët më të panjohura të njeriut, njësoj si fluturimet në ajër të shpendëve”, duke i ndërlidhur këto dhe elementë të tjerë, Naseri rikthehet jo vetëm në perceptim fizik, por edhe në rrugën e hapur të historisë së kohës, jo vetëm si përfytyrim fluid, por si personazh i një epoke të jetës së tij rinore, deri kur e ka mbyllur atë vertikalisht, me grushtin lart dhe me flamur në dorë, duke rënë në lulen e rinisë, në altarin e shenjtë të Atdheut, si bir besnik i tij…