Njëri nga shkrimtarët dhe poetët më të njohur në Turqi, İsmet Özel ka lëshuar deklarata raciste e fyese ndaj shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet. Një video që po qarkullon në rrjetet sociale, e që ka nxitur zemëratë gjithandej shqiptarëve, shfaq poetin turk gjatë një manifestimi shkencor në vitin 2015, ku ai shprehet me përçmim ndaj kurdëve dhe shqiptarëve. Ai deklaron shprehimisht se shqiptarët e Turqisë nuk duhet të lejohen të deklarojnë kombësinë e tyre, ose në të kundërtën duhet të thyejnë qafen nga vendi. “Nëse ka njerëz apo etni që jetojnë në këto toka dhe thonë se kemi të drejta, atëherë ne turqit e vërtetë nuk duhet t’i lejojmë sepse kështu përçahet Turqia. Është njëlloj si të nënshkruajmë humbjen tonë. Nëse shqiptarët duan të thonë jemi shqiptarë dhe jo turq, atëherë vëllai im, ke shtetin dhe kombin tënd, ik thyej qafen andej nga ke ardhur”, ka thënë shkrimtari turk. Pas kësaj deklarate me nota shoviniste, të pranishmit në sallë shpërthejnë me duartrokitje e brohoritje përkrahëse. Ndërkohë në rrjetet sociale kanë pasuar mijëra komente e replika të shqiptarëve. Një pjesë e tyre nuk shprehen të habitur me qëndrimin e shtetit turk ndaj shqiptarëve, ndërkaq kishte edhe komente që nënvizonin kontrastet e thekshme në marrëdhëniet shqiptaro-turke: përderisa turqishtja është zyrtarizuar si gjuhë në Prizren pavarësisht se turqit në këtë komunë nuk përbëjnë as 1% të popullsisë, në Turqi akoma nuk ka një shkollë shqipe për miliona shqiptarë që jetojnë në këtë shtet.
Kontrolloni gjithashtu
Philip Reeker: Dialogu Beograd-Prishtinë nuk do të jetë prioritet për administratën e re të Trumpit
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, ka deklaruar se administrata e ardhshme …