Adil Fetahu

Shkruan: Adil Fetahu: A po vazhdon faza e tretë e kolonizimit serb edhe në Kosovën e pavarur?

Për kolonizimin e Kosovës janë shkruar e botuar shumë libra e punime, nga autorë të ndryshëm, shqiptarë e serbë, po edhe nga të tjerë. Një ndër librat më komplete me të dhëna për kolonizimin e Kosovës, është libri i dr Millovan Obradoviqit: “Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu, 1918-1941” (Reforma agrare dhe kolonizimi në Kosovë, 1918-1941), botim i Institutit të Historisë së Kosovës, 1981,  që është tema e doktoratës së Obradoviqit, nën mentorimin e profesorit Ali Hadri (ndjesë e dritë pastë).

Mirëpo, kolonizimi i Kosovës ka filluar më heret, dhe ka vazhduar më vonë, para dhe pas periudhës të cilën përfshinë libri i Obradoviqit. Në të vërtetë, kolonizimi i Kosovës ka fillaur që nga ditët e para pas pushtimit dhe aneksimit të Kosovës nga Serbia dhe Mali Zi (1912), kur Serbia pushtoi pjesën më të madhe të Kosovës e të Maqedonisë, ndërsa Mali Zi pushtoi rajonin e Dukagjinit: Pejë, Gjakovë, Istog. Të dy shtetet pushtuese, menjëherë ndërmorën veprime me qasje e mënyra të ndryshme, gjoja për eliminimin e marrëdhënieve feudale mbi tokat dhe për të bërë reformë agrare. Me rastin e shpalljes së  luftës kundër Turqisë, për të përfituar përkrahjen e popullsisë vendore në atë luftë,  Qeveria e Serbisë publikoi një proklamatë, në të cilën thuhej: “Serbia, duke hyrë në ato vise, iu sjell popujve liri e të drejta të barbarta…, sepse gjendja (në pushtimin turk, a.f.) është bërë e padurueshme si për Serbët, Bullgarët, Grekët dhe Arbanasit. E kundërshtojnë të gjithë me radhë: edhe Myslimanët, edhe Katolikët edhe Pravosllavët… Në Serbinë e Vjetër, përveç të krishterëve, ushtria do të takojë Serbë Myslimanë, dhe me ta edhe Arbanasë të krishterë e myslimanë, me të cilët populli ynë jeton së bashku qe 1300 vjet, duke ndarë me ta fatet dhe fatkeqësitë. Ne, të gjithëve dhe në gjithçka  ju sjellim liri, vëllazërim dhe barazi me Serbët”.

Ato liri e të drejta dhe ajo barazi e proklamuar, pas pushtimit u “shkrinë” si bryma para diellit. Gjendja e shqiptarëve u përkeqësua shumë më tepër se nën pushtimin otoman, duke i detyruar të punonin hangari për ndërtimin e rrugëve dhe urave, duke i mobilizuar në ushtri, që t’i largonin nga vendbanimet e tyre. Pushteti okupues shtoi presionin e zullumin mbi popullsinë shqiptare, duke i detyruar ata të shpërngulën në Turqi apo në Shqipëri, duke  lënë tokë e shtëpi e gjënë e gjallë, në të cilat menjëherë vendoseshin serbë. Shpërngulja mori hov në vitin 1913 e 1914. Ata që shpërnguleshin, nëse mund të shitnin pronat e tyre, ato i shitnin me çmime tejet të lira, dhe këto i blenin serbët, më pak bujqit e më shumë nëpunësit e shtetit, ushtarakë e ministra, në mesin e të cilëve edhe vet kryeministri Nikolla Pashiqi që “kishte blerë” 3000 hektarë tokë në Gazimestan, në periferi të Prishtinës, ndërsa krimineli-atentatori mbi deputët kroatë në Kuvendin e Mbretërisë së Jugosllavisë (20 qershor 1928), Punisha Raçiq, bashkëpunëtori më i ngushtë i Pashiqit, kishte “blerë” 3500 ha tokë e pyje në rrethin e Deçanit dhe 50 ha tokë pjellore në fushën e Shkupit. Pyjet i kishte prerë e shitë, dhe paratë i ndante me shefin e tij, Pashiqin.  Ata thoshin se do bëjnë reforma për eliminimin e marrëdhënieve feudale mbi tokat, ndërsa vet u bënë feudët më të mëdhenj.

Më 20 shkurt 1914, qeveria serbe kishte miratua Dekretligj për popullëzimin (kolonizimin) e viseve të aneksuara Mbretërisë së Serbisë, kishte caktuar organet kompetente (civile, ushtarake e policore) për të zbatuar kolonizimin, dhe  të drejtën e kolonizimit për serbët, qofshin nga Serbia  ose nga bota e jashtme. Organet “agrare” filluan me matjen dhe kufizimin e ngastrave për t’ua ndarë kolonëve. Kështu veproi edhe Mali Zi në rajonin e Dukagjinit.  Procesi i kolonizimit u ndërpre për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore (1914-1918), për të vazhduar më pastaj, prej vitit 1918, deri në vitin 1941, dhe prej 1990 deri në ditët e sotme! Nëse procesin e kolonizimit e shikojmë nëpër etapa periodike, do të mund ta ndanim në tri periudha kryesore: 1) periudha 1912-1918; periudha 1918-1941, dhe periudha 1990-1998 (e cila po vazhdon edhe në Kosovën e çliruar e të pavarur!). Një mesoperiudhë e viteve 1945-1948, ka të bëjë me të ashtuquajturin revizioni i reformës agrare, dhe kthimin e numrit më të madh të kolonistëve, të cilët kishin ikuar nga Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në periudhën e parë (1912-1918) kishin ardhur jo shumë kolonistë, për shkak se në fillim shteti i Serbisë nuk kishte mundësi t’iu siguronte kushte të nevojshme për jetesë, e pastaj plasi Lufta e Dytë Botërore. Ndëra në periudhën e dytë (1918-1941) u vendosën shumë kolonë në Kosovë. Nën parullën e zbatimit të reformës agrare, shumë familjeve shqiptare iu morën tokat e tyre, në bazë të kriterit të maksimumit, si dhe tokat tjera të përbashkëta: meratë, kullosat, toka të braktisura të kaçakëve e të ikurve tjerë nga presoni dhe krimet që bënte regjimi serb. Dhe, shih ti, historian e pseudoshkencëtarë tash thonë se tokat nuk u janë marrë shqiptarëve, por bejlerëve turqë! Po, ku kishte bejlerë turqë pas pushtimit të Kosovës dhe aneksimit nga Serbia?! Sipas të dhënave të paraqitura në librin e dr Millovan Obradoviqit, në periudhën 1918-1941, organet agrare, përfundimisht me vitin 1939, kishin  përkufizuar e përfshirë për t’i ndarë 192.212,94 ha toka, të punuara e të papunuara, ndërsa në regji të shtetit në Kosovë kishin ardhur 13.519 familje kolonësh, me 58263 pjesëtarë familjesh (diku flitet për 65000), prej viseve të ndryshme: Serbi, Mali Zi, Kroaci, Vojvodinë, Shqipëri (Vrraka), madje edhe nga Italia (12 familje, Bullgaria 26 dhe Rusia 16)! (libri i M.O, fq.220-221). Përveç kolonëve në regji të shtetit, në atë periudhë kishin ardhur edhe mbi 5000 familje në regji “private”. Ishte fati në fatkeqësi, që për shkak të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, nuk u realizua marrëveshja e lidhur midis Jugosllavisë e Turqisë (1938) për shpërnguljen e 40000 familjve shqiptare, se ashtu kolonizimi do ishte shumë më i madh në pronat e të shpërngulurve.

Vazhdon faza e tretë e kolonizimit 1990…

Kolonizimi i Kosovës me serbë e malazezë, në forma e me metoda të ndryshme, ka zgjatur tërë kohën sa ka zgjatur pushtimi (1912-1999). Intensiteti i kolonizimit është varur nga kushtet ekonomike dhe ato politike që kanë dominuar në periudha të ndryshme në Kosovë e në Serbi, respektivisht në Jugosllavi. Po, nëse kolonizimi ishte program shtetëror qysh prej gjysmës së parë të shkullit 19-të, kjo që po ndodhë tash, pas “çlirimit” të pjesëshëm të Kosovës, është absurd i llojit të vet. Sepse, po vazhdon projekti i madh i kolonizimit të fazës së tretë, i filluar në dekadën e fundit të shekullit të kaluar (1989-1999), i planeve serbe për të ndryshuar strukturën etnike dhe pronësore.

Sipas statistikave zyrtare të regjistrimit të popullsisë, që gjithmonë kanë qenë të manipuluara në dëm të shqiptarëve, në vitin 1981, popullsinë e Kosovës e përbënin Shqiptarët 77,4%; Serbë 13,2%; Malazezë 1,7%; Turqë 0,8% etj. Kjo strukturë, avancimi dhe emancipimi i përgjithshëm i popullit shqiptarë, ishte brengë e madhe e nacional-shovinistëve serbo-malazezë e maqedonë, prandaj, pas vdekjes së Titos dhe pas demostratave studentore të vitit 1981, në të gjitha strukturat shoqërore e shtetërore të Serbisë e Jugosllavisë u ngrit nacionalizmi agresiv, për ta suprimuar autonominë kushtetuese-juridike të Kosovës e për ta penguar popullin shqiptar në rrugën e përparimit dhe emancipimit. Nga qerdhet e nacionalizmit destruktiv serb: Akademia e Shkencave dhe Arteve, Kisha Ortodokse, Shoqata e Shkrimtarëve dhe shoqata e organizata të ndryshme, partitë politike e struktura tjera, me ndihmën e mediave, me sajesa të rreme, nxiteshin serbët e Kosovës për t’u ankuar gjoja për presion ndaj tyre, duke kërkuar masa drastike kundër shqiptarëve. Peticioni i 2016 serbo-malazezëve nga Kosova (i nxitur dhe përpiluar nga Dobrica Qosiqi), dërguar organeve më të larta shtetërore e partiake në të gjitha nivelet (tetor 1985); Letra përkrahëse peticionit, e 209 “intelektualëve” të Beogradit (përsëri me Qosiqin në krye, më 21 janar 1986); ishin këto pararëndëse të publikimit të Memorandumit famëkeq të AShAS (1986), që nxitën erupcionin e nacionalizmit dhe kërkesat për suprimimin e autonomisë së Kosovës. Në një klimë të tillë, Kryesia e KQ të LKJ, në mbledhjen e 21 janarit 1987, propozoi 120  ndryshime e plotësime (amendamente) në Kushtetutën e RSFJ-se 1974, me të cilat, ndër të tjera, Republikës së Serbisë i jepeshin më shumë kompetenca mbi krahinat autonome. Se si rrodhi pastaj ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë dhe i Kushtetutës së Kosovës (mars 1989), dhe pasojat  që prodhuan ato ndryshime (okupimin klasik të Kosovës më 5 korrik 1990), tashmë “e dinë edhe vremçat e malit”.

Në planin e kolonizimit të Kosovës, Serbia në mënyrë perfide e ka shfrytëzuar potencialin politik dhe ekonomik e financiar të Jugosllavisë së atëhershme. Në mbledhjen e dy kryesive: Kryesisë së LKJ-së dhe Kryesisë së RSFJ-së (1988), u mor vendim për gjoja ndihmë Kosovës me kuadra profesionale. Qëllimi i Serbisë ishte që përmes atyre kuadrove të vinin sa ma shumë serbë, për të ndryshuar gjendjen e përgjithshme në favor të serbëve. Kushtet për ardhjen e tyre ishin mjaft joshëse. Njëkohësisht, zhvillohej propagandë në forume e media, për krijimin e kushteve për kthimin e serbëve e malazezëve të shpërngulur, dhe ardhjen e të gjithë atyre që dëshirojnë të punojnë e të jetojnë në Kosovë. Një platformë politike e LKJ-së propagonte kthimin dhe ardhjen e 200 000 serbëve e malazezëve në Kosovë. YU-programi parashihte që sillte në Kosovë 100 000 serbë e malazezë. Propaganda serbe trumbetonte numrin prej 400 000, që duhej të vinin, në mënyrë që sadopak “ta përmirësonin” strukturën etnike. Thoshin se aq kanë ardhur emigrantë nga Shqipëria gjatë luftës (1941/45) dhe pas luftës, dhe ata duhet përzënë nga Kosova e në vend të tyre të vinin serbë e malazezë. Përkundër kësaj propagande të rrejshme, informata zyrtare e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Jugosllavisë (në vitin 1956), kishte dhënë shifrën se nga Shqipëria në Jugosllavi kanë hyrë gjithsejt 754 emigrantë dhe se prej tyre, në tërë Jugosllavinë,  kishin mbetur vetëm 243 emigrantë nga Shqipëria, kurse të tjerët kanë dalë në shtetet e Perëndimit. Kur i krahason shifrat zyrtare të organit kompetent, me shifrat e propagandës serbe, të vjen pyetja: a kanë kufi këto gënjeshtra serbe?!

Gjithnjë me inisiativën dhe propozimin e Serbisë, Kuvendi i RSFJ-së në mbledhjen e mbajtur më 17-18 janar 1990, miratoi Programin jugosllav të masave dhe aktiviteteve për ndaljen e shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga KSA e Kosovës, kthimin më të shpejtë të atyre që janë shpërngulur dhe ardhjen e të gjithë atyre që dëshirojnë të punojnë e jetojnë në Kosovë (shih: “Gazeta Zyrtare e RSFJ”, nr. 8, dt. 9 shkurt 1990). Në pikën 4 të Programit, ndër të tjera, ishte përcaktuar krijimi i baraspeshës  së rrënuar  demografike në Kosovë, baraspeshë që kurrë nuk ka ekzistuar. Programi përcaktonte  integrimin e ekonomisë së Kosovës me atë të viseve tjera. Sipas pikës 7 të Programit, qëllimi kryesor ishte ndalja e menjëhershme e shpërnguljes së serbëve e malazezëve, dhe krijimi i kushteve të përhershme për nxitjen e kthimit të të shpërngulurve dhe ardhjen e të gjithë atyre (serbëve e malazezëve) të cilët dëshirojnë të punojnë e jetojnë në Kosovë. Për këtë qëllim, parashihej rishqyrtimi i rregullativës së gjithmbarshme juridike të Kosovës, dhe të bëhen ndryshime e plotësime të ligjeve, akteve nënligjore dhe akteve tjera në të gjitha nivelet, në të gjitha republikat e krahinat; të përpilohen programe konkrete të masave dhe aktiviteteve për të realizuar me sukses qëllimet e Programit jugosllav. Për secilën pikë të Programit ishin caktuar bartësit e aktivitetit dhe afatet e realizimit të aktiviteteve të caktuara në fushën e legjislacionit,  gjyqësisë, administratës, ekonomisë, arsimit, shëndetësisë etj. Në politikën demografike parahihej  planifikimi i familjes dhe  ndërmarrja e masave tjera sociale, për të penguar natalitetin e shqiptarëve (pika 90 e 91 e Programit të aktiviteteve). Si rezultat i kësaj politike demografike, prej 307.749 fëmijëve që gëzonin shtesat fëminore në dhjetor 1990, deri më 31 dhjetor 1992, me pretekste të ndryshme ato shtesa dhe beneficionet tjera iu kishin ndërprerë 274.006 fëmijëve shqiptarë.

Në zbatim të Programit jugosllav, Kuvendi i RSFJ-së, më 14 shkurt 1990, miratoi Ligjin dhe Programin për sigurimin e banesave (në periudhën 1989-1993) për nevoja të kuadrove dhe për kthimin në Kosovë të personave të shpërngulur. Me atë program parashihej që deri në fund të vitit 1993, të siguroheshin 2000 banesa dhe 711 troje me infrastrukturë të rregulluar dhe kredi për ndërtim individual, gjoja për kuadro profesionale që do vinin për të punuar e jetuar në Kosovë. Programi ishte aq i detajizuar, sa që parashihte sipërfaqen e përgjithshme (115.273 metra katrore), dhe strukturën e banesave: banesa tridhomëshe (234), dydhomëshe (1345), njëdhomëshe (314) dhe garsonjera (107). Ndërtimi i banesave dhe ndarja e trojeve duhej të bëhej në lokacione të përshtathme për jetesë, nëpër qendra ose afër qendrave të qyteteve.

Pas Programit jugosllav, të përmendur më lart, Kuvendi i RS të Serbisë, më 22 mars 1990, miratoi Programin dhe Planin operativ (prej 95 pikash) për sendërtimin e paqes, lirisë, demokracisë dhe prosperitetit në KSA të Kosovës. Edhe Programi jugosllav, edhe ai serb (të dyja ishin serbe,a.f.), janë aktet më famëkeqe për rrënimin e autonomisë dhe kolonizimin e Kosovës me serbo-malazezë, me metodat më përfide e me mbështetjen politike, administrative, ekonomike e financiare të  Federatës dhe të republikave tjera. Në zbatim të  Programit dhe Planit të vet, Kuvendi i Serbisë miratoi ligje, akte nënligjore e vendime speciale për rrënimin e autonomisë dhe marrjen e kompetencave të pushtetit qendror dhe atij lokal në Kosovë, duke i vu në dorë të nacionalistëve serbë, të caktuar në organet e dhunshme. Me to Serbia krijoi bazën juridike dhe faktike për kolonizimin e Kosovës, duke i favorizuar serbët e malazezët  në ndarjen e banesave, trojeve dhe tokave bujqësore, duke iu krijuar lehtësira e favore për zhvillimin e bizneseve dhe duke i punësuar në sektorin shoqëror dhe në organet e pushtetit.

Më 16 korrik 1991, Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë, miratoi Ligjin mbi kushtet, mënyrën dhe procedurën e ndarjes së tokës bujqësore qytetarëve të cilët dëshirojnë të jetojnë dhe të punojnë në KSA të Kosovës.  Ligji kishte përcaktuar se si do të formohej fondi i tokave bujqësore për t’ua dhënë kolonistëve, ndërsa ishte paraparë që t’u jepen nga 5 ha për familje, dhe që të gjithë familjarët të bëhen bashkëpronarë të asaj toke, dhe se ajo tokë nuk mund të tëhuajsohej pa kaluar 30 vjet prej ditës kur u është dhënë. Për t’i forcuar ekonomikisht familjet e vendosura kështu, parashihej dhënia e kredive për ndërtimin e shtëpive dhe objekteve tjera ekonomike, për mekanizëm bujqësor, për blerje të kafshëve. Ato kredi do të jepeshin nga mjetet e Fondit për nxitjen e zhvillimit të KSA të Kosovës, pa pjesëmarrje vetanake, me afat kthimi për 25 vjet, me kamatë vjetore 5%, me “grejs-period” 5 vjet, por nëse në familje lindë fëmiu i tretë, “grejs-periudha” bëhej 10 vjet prej ditës së lejimit të kredisë! Kështu, derisa për familjet shqiptare,  Programi parashihte kufizimin e lindjeve përmes planifikimit të familjes, për familjet serbe, kishte stimulime ekonomike e sociale për sa më shumë lindje të fëmijëve. Me ligjet e miratuara më vonë, afati i kthimit të atyre kredive ishte caktuar 40 vjet.

Qysh prej vitit 1988, zhvillohej një propagandë intensive për të joshë kuadrot serbe e malazeze që të vinin për të punuar e jetuar në Kosovë. Nga një listë e gjetur ne arkivin e ish-Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës, me emra e të dhëna tjera të 315 kryefamiljarëve të paraqitur (në vitin 1989) për të ardhur në Kosovë, me familjet e tyre, kishte edhe kësi “kuadro” : njëfar Bakiq Gojko, inxhinier i diplomuar i komunikacionit, nga Beogradi, ishte paraqitur me projektin e tij, në të cilin kishte propozuar: 1) themelimin e Entit për ekspertiza të komunikacionit nga fusha e veprimtarisë matriale e financiare, në Prishtinë; 2) nacionalizimin e Bjeshkëve të Nemuna dhe shpërnguljen e të gjithë rugovasve, për të krijuar qetësi në atë pjesë (këtë e propozon të realizohet në bashkëpunim me Republikën e Malit të Zi); dhe ardhjen e 150 kuadrove për të punuar në gjykatat e Kosovës! Kjo tregon se çfarë kuadrosh do vinin e çfarë ndihme do i bënin Kosovës!

Përveç programeve shtetërore, edhe partitë politike, kisha serbe, shoqatat dhe organizata të ndryshme aktivizuan makinerinë e tyre propagandistike në funksion të kolonizimit të Kosovës. Partia në pushtet, SPS (Partia Socialiste e Serbisë), propagandonte shifra të rrejshme të të interesuarve për të ardhur në Kosovë, për kushtet ideale në vendbanimet e ndërtuara për kolonistë, për sigurinë që iu garantonte shteti i tyre (Serbia), që e kishte pushtuar dhe shtrirë kontrollin e plotë mbi Kosovën. Kështu, Bratisllava (“Buba”) Morina, që ishte në krye të Komesariatit për Refugjatët (të ikur nga Bosnje-Hercegovina dhe nga Koacia), dhe Radivoje Papoviq, që ishte rektor i dhunshëm në Universitetin e Prishtinës, në emisione televizive për gjithë rrjetin jugosllav (“Yutel”), ftonin qytetarët serbë e malazezë, të vinin në Kosovë, ku mund të punësohen e të jetojnë shumë më mirë se nëpër qendrat e stërngarkuara të qyteteve në Serbi (Beograd, Novi Sad, Nish, etj.). Por, nga verbëria e vet nacional-shoviniste, me ose pa vetëdije, propaganda e shtetit vepronte edhe në drejtim të kundërt: shpeshherë në emisione televizive jepeshin pamje të arrestimit të “nacionalistëve e separatistëve shqiptarë” dhe konfiskimit të arsenalit të madh të armëve të tyre, apo ndonjë rast vrasje, të cilën e kishin kurdisur vet organet policore, dhe këto pamje shkaktonin frikë për të ardhur në Kosovë. Ndoshta nga këto pamje, serbo-malazezët e ikur nga Shqipëria (Vrraka), hezitonin të vinin në vendbanimin e ndërtuar enkas për ta (120 shtëpi) në Junik-Baballoç, duke thënë: “Ne nuk kemi ikur nga Shqipëria, për të ardhur në Kosovë (ku gjithashtu është tokë shqiptare,a.f.), por kemi dashur të na vendosni diku në Serbi, në shtetin tonë”.

Ndërtimi i vendbanimeve për kolonistë ishte planfikuar të bëhej në të gjitha komunat, gjithandej Kosovës; në disa prej tyre ishin ndërtuar, në disa sa kishte filluar ndërtimi, në disa ishte projektuar e rregulluar infrastruktura, e në shumicën veç ishin caktuar lokacionet, ngastrat dhe sipërfaqet e trojeve dhe tokave që do t’iu jepeshin kolonistëve. Vitin e parë të realizimit të programit (1991) u ndërtuan 196 dhe u blenë 22 banesa, në Fushëkosovë, Obiliq, Pejë, Deçan, Klinë, Lipjan, Viti, Zubinpotok,  Skenderaj, Gjilan, dhe  filloi ndërtimi i 122 banesave në Prishtinë, 9 në Pejë dhe 12 në Istog. Në ndërkohë, u ndërtuan aq sa shteti kishte mundësi financiare në ato kushte krizës së përgjithshme dhe të luftës që zhvillonte në Bosnje e në Kroaci. Për çdo vit me buxhetin federativ ndaheshin mjete për realizimin e programit, dhe kjo zgjati deri në shperthimin e luftës në Kosovë. Kështu, Kuvendi I RFJ (Serbi-Mali Zi), edhe më 3 dhjetor 1998, miratoi Ligjin për sigurimin dhe ndarjen e banesave dhe kredive per kuadrot dhe kthimin në Kosovë të personave të shpërngulur  (“GZ e RFJ”, nr.59, dt.4 dhjetor 1998), sipas të cilit, në buxhetin federativ për vitin 1999, ishin ndarë 40 milionë dinarë, për përfundimin e ndërtimit të 412 banesave dhe rregullimin e 200 trojeve. Me mjetet e siguruara nga YU-programi, deri në vitin 1997 ishin ndërtuar 972 banesa dhe ishin ndarë 30 kredi për ndërtimin individual të shtëpive. Ato banesa e kredi ishin dedikuar më tepër për kuadro profesionale që do vinin në Kosovë. Kishte një Komision federativ dhe një rregullore mbi kushtet, kriteret dhe përparësitë se kujt do t’i jepen banesat e kreditë. Në krye të Komisionit, ishte njëfar Rexhep Hoxha, zëvendës-ministër federativ i drejtësisë (më duket se ishte nga Dragashi). Serbo-malazezët vendas, bënin gjithëfarë manipulimesh e falsifikimesh për të marrë banesa ose kredi, duke u paraqitur si persona të shpërngulur dhe kuadro deficitare (madje edhe asi që kishin të kryer vetëm shkollën e mesme). Në qershorin e vitit 1997, disa serbë nga Istogu qëndruan një muaj ditë në “Pionirski Park” në Beograd, në një protestë, përse nuk iu dhanë banesa nga ai program, të cilët natyrisht nuk i plotësonin kushtet dhe kriteret e caktuara me rregullore. Në Komesariatin për refugjatët, të cilin e udhëheqte “Buba” Morina, kishin aprovuar një kriter, sipas të cilit, përparësi për t’iu dhënë banesa në vendbanimet e caktuara kishin refugjatët nga Kroacia, me status të kriminelëve të luftës  (nga rrethi i Vukovarit), dhe sipas evidencës së atij Komesariati, të tillë ishin nja 1400. Disa tillë u vendosën në 72 objekte në vendbanimin e ndërtuar në Velika Reka të Vushtrrisë. Atyre u ishte premtuar se do të punësohen në stacionin policor që do të themelohej në atë vendbanim, që do të përbënte një “alkemi” të kombinimit të kriminelëve të luftës në polici të shtetit!

Sa troje e toka bujqësore ishin caktuar për kolonistët

Po të shohim se si kishin planifikuar e caktuar troje e toka nepër komunat e Kosovës, për t’iu dhënë kolonistëve. Kemi parasysh se qeverisja lokale, sikurse edhe ajo qendrore, ishte plotësisht në duar të organeve të dhunshme serbe, të cilat bashkëpunonin ngushtë me organet qendrore të Serbisë, dhe këta në Kosovë paraqiteshin “patriotë” të mëdhenjë për ta ndihmuar kolonizimin e Kosovës me sa më shumë serbë e malazezë. Të fillojmë nga komuna e Prishtinës. Kjo komunë kishte planifikuar e caktuar plan urbanistik për ndarjen e 141 trojeve me nga 10 ari në Hajvali, 175 troje me nga 7,5 ari në Lebanë, 59 troje me nga 5 ari në Devet Jugoviq, 150 troje me nga 7 ari në Badovc, dhe siguronte se ka në dispozicion 72 ha tokë bujqësore për t’ua ndarë atyre që duan të merren me bujqësi. Sa i përket punësimit, siguronte se do të punësohen në organet e administratës, në Elektroekonomi, në Minierat e Kishnicës e Hajvalisë, etj. Komuna e Podjevës kishte caktuar të ndërtohej vendbanimi me 100 shtëpi familjare në “Fusha e Livadhisë”; 20 troje afër Kishës ortodokse, 106 troje afër NSh “Fagar”, dhe mund të ndante 139 ha toka  të kooperativave bujqësore në fshatrat Shajkovc, Merdar, Obrançë, Shamalluk, Ballofc, Dyz, Zakut. Komuna e Fushëkosovës qysh prej vitit 1992 kishte ndërtuar e dhënë në shfrytëzim mbi 90 banesa për kolonistë (civil dhe ushtarakë), kishte siguruar lokacionin për ndërtimin edhe të 327 banesave nga YU-programi dhe Fondi i solidaritetit, kishte caktuar 75 ha tokë të punueshme në Uglar e Miradi të Epërme për t’ua ndarë atyre që duan të punojnë tokën, ndërsa të tjerët do të punësoheshin në administratë, në polici, në Elektroekonomi, në “Therrtore”, në “Yumko” etj. Komuna e Obiliqit kishte caktuar hapësirën në Milloshevë, për ndërtimin e 250 shtëpive individuale, 15 ha për troje dhe 240 ha tokë të punueshme në Mazgit, 100 ari për troje në qendër të qytezës, dhe 1333 ha tokë të punueshme në rrethinë, duke premtuar punësim në Elektroekonomi. Komuna e Lipjanit kishte filluar ndërtimin dhe ofruar mundësinë e ndërtimit të vendbanimeve për kolonistë në Magurë dhe Suhadoll, dhe përveç punësimit në “Golesh” e gjetkë,  “dispononte” sipërfaqe të mëdha toka bujqësore, livadhe, kullota e pyje për t’ua ndarë kolonistëve. Komuna e Gllogovcit, kishte ofruar mundësi ndërtimi të vendbanimeve koloniste në Komaran dhe Korraticë të Epërme, dhe të ndarjes së 5000 ha toke të punueshme, ndërsa punësimi i tyre të bëhej edhe në Fushëkosovë dhe Prishtinë! Komuna e Shtimjes kishte caktuar tri lokacione për kolonistë: Koshtanë, Fidanishtë dhe Gllavicë, si dhe 12.827 ha tokë të punueshme. Komuna e Ferizajt kishte caktuar vendbanim për kolonistë në Babush, Nerodimje të Poshtme, Talinofc dhe Kosinë, dhe 1000 ha tokë të kooperativave dhe të merasë të fshatrave. Komuna e Kaçanikut kishte paraparë ndërtimin e 230 njësive banesore pranë rrugës magjistrale Prishtinë-Shkup, në një sipërfaqe prej 42 hektarësh, dhe 250 ha tokë t’iu ndahej atyre që merren me bujqësi, ndërsa punësimin ta bëjë në Fabrikën “Sharri”. Komuna e Shtërpcës kishte caktuar tri lokacione për vendbanime për kolonistë. Komuna e Mitrovicës kishte caktuar lokacionet në Suhadoll, Frashër dhe Shipol. Komuna e Vushtrrisë kishte paraparë disa lokacione për ndërtim të vendbanimit për kolonistë: në qytet rreth “Poletit”, në fshatin Maxhunaj, në Prilluzhë, në Stanofcin e Poshtëm dhe atë të Epërm, në Novolan, Samadrexhë, Pantinë, Vërmicë, Bukosh, Nedakofc, Dërvar, Begaj, dhe ndarjen e 170 ha tokë të punueshme në Gracë dhe Maxhunaj. Ajo e Zveçanit planifikonte ndërtimin e lagjeve të reja të banimit dhe ndërtim individual, dhe ndarjen e 100 ha tokë. Komuna e Skenderajt kishte përgatitur planin urbanistik për 74 shtëpi afër qendrës komunale, dhe 3200 ha tokë. Komuna e Zubinpotokut dy ngastra nga 2 ha, për 50 troje. Komuna e Leposaviqit kishte caktuar lokacionin në Soçanicë dhe Leshak. Komuna e Pejës kishte caktuar lokacionin për ndërtimin e 40 shtëpive me nga 10-15 ari oborr, në një pronë shoqërore pranë rrugës Pejë-Deçan, rreth 4 km larg nga qyteti, ndërsa 8 km prej Peje në rrugën Pejë-Prishtinë, për 100 shtëpi me nga 20 ari tokë/oborr, dhe për 30 shtëpi me nga 10-15 ari tokë në lagjën “Orashje” ndërmjet Pejës e Gorazhdevcit, por që komuna kishte në dispozicion edhe 1200 ha tokë të punueshme të pronës shoqërore, për t’ua ndarë kolonistëve, me qesim! Në ato lokacione ekzistonte infrastruktura e nevojshme. Komuna e Klinës ofronte lokacionin prej 6 ha, në afërsi të Motelit “Nora”, pranë rrugës Prishtinë-Klinë për të ndërtuar një vendbanim, pastaj në fshatin Budisalc, Biçë, Jashanicë, dhe mbi 3000 ha tokë të Kombinatit “Malishgan”. Komuna e Deçanit ofronte lokacion në fshatin Rastavicë, për ndërtim vendbanimi për serbo-malazezët e ikur nga Shqipëria, të vendosur në Baballoq e Junik, të cilëve u janë ndarë edhe 600 ha tokë, por komuna ka në dispozicion edhe 40 ha tjerë për t’ua dhënë. Komuna e Istogut kishte ndarë 97 ha tokë, kishte lëshuar 147 vendime për ndarje të trojeve me nga 20 ari truall, për ndërtim të shtëpive familjare, dhe kishte 3,7 ha tokë pjellore të kompleksit Bellopojë-Dubravë, për t’ua ndarë atyre që dëshirojnë. Edhe Komuna e Gjakovës ishte mjaft dorëlirë në dhënien tokës për vendbanime për kolonistë. Ajo kishte ndarë në ngastra nga 21 ari tokë për më se 100 shtëpi, në të dy anët e rrugës Gjakovë-Prizren, t’u jepte edhe nga 2-3 ha tokë bujqësore, nga 2-3 ha pyeje, dhe nga 0,5 deri 1 ha vreshta, nga një traktor dhe nga një lopë! Komuna e Prizrenit ofronte 150 troje nga 5 ari në Dushanovë, 60 troje nga 5 ari në Lubizhdë, 10 troje në Novakë, 30 troje në Jabllanicë dhe 35 troje në Prizren, dhe kishte në dispozicion edhe 160 ha tokë bujqësore për t’ua ndarë atyre që do merren me bujqësi. Komuna e Suharekës ofronte 100 troje në lokacionin e urbanizuar në Shirokë, 50 troje në Mushitishtë dhe kishte në dispozicion t’iu ndante edhe 120 ha tokë bujqësore. Natyrisht, garantonte punësimin e të gjithëve në ekonomi dhe në strukturat lokale. Komuna e Rahoveci ofronte lokacione në Xërxë, Bërnjakë dhe Hoçë të Madhe, dhe kishte në dispozicion për t’iu dhënë 920 ha tokë bujqësore. Komuna e Gorës ofronte 12 troje dhe 174 ha tokë bujqësore. Komuna e Gjilanit lavdërohej se ka lokalitete të shumta e të përshtatshme për vendbanime për kolonistë, për ndërtimin e shtëpive në lagjen “Park” (100), dhe në Lagjen e Serbëve (120), si dhe në fshatin Livoçi i Poshtëm (100). Komuna e Vitisë premtonte kolonizimin e 3000 serbo-malazezëve në Bashkësinë Lokale të Letnicës, prej nga ishin shpërngulur kroatët e atjeshëm, si dhe lokacionin për një vendbanim në Sadovinë, e që mund t’iu ndahen edhe 250 ha tokë të punueshme të “Agromoravës”. Komuna e Kamenicës ofronte të ndërtohej një vendbanim në fshatin Kololeç në sipërfaqe 25 ha, si dhe ndarjen e 260 ha tokë të kooperativës bujqësore. Komuna e Novobërdos, me plan urbanistik kishte paraparë dy lokacione për komplekse banimi individual dhe kolektiv në fshatin Prekoc (60) dhe në Bosan (76) banesa, dhe mund të jepte deri 40 ha tokë të punueshme, ndërsa punësimi do bëhej në administratën lokale (sic), në organet shtetërore dhe në minierë.

Sipas të dhënave me të cilat operonin organet zyrtare për kolonizim, kooperativat bujqësore kishin 84.812 ha tokë, prej së cilës mund t’iu ndaheshin kolonistëve, po  ishin edhe 177.000 ha tjerë “tokë e askujt”, e cila paraqet bazë të mirë për kolonizim. Dhe, në qoftë se në dy periudhat e para të kolonizimit: atë 1912-1918, dhe 1918-1941, shqiptarëve u ishin marrë 228.080 ha tokë, në të cilat ishin vendosur afro 65 mijë kolonë, në 15.943 shtëpi të ndërtuara për ta, për periudhën 1990-1998 ishte paraparë të merren 261.000 ha tokë, e të vendosën së paku 200.000 kolonë, ashtu që të ndryshohet struktura demografike dhe pronësore-kadastrale e Kosovës. Vetëm lufta që shpërtheu, bëri që ato programe ogurzeza serbo-jugosllave të mos mund të realizohen as përsëafërmi siç ishin paramenduar.

Manipulimi me refugjatët nga Bosnja dhe Kroacia në funksion të kolonizimit të Kosovës

Me shpërthimin e luftës në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kroaci, vërshuan refugjatët serbë nga zonat e luftës. Ata më së shumti u vendosën në Serbi, Vojvodinë, Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni. Me qenë se asokohe Kosova ishte nën pushtimin e egër të Serbisë, shumë refugjatë i solli në Kosovë, me shpresë se do të mbeteshin këtu përgjithmonë, dhe kështu të arrinte efekte nga programi i kolonizimit. Sipas regjistrimit të refugjatëve që kishte bërë UNHCR, në vitin 1996 në Kosovë kishte 20.179 refugjatë. Sipas komunave, ishte ky numër i refugjatëve në: Prishtinë  5612, Prizren 1615, Fushëkosovë 1415, Pejë 1223, Mitrovicë 1049, Gjilan 900, Obiliq 827, Gjakovë 818, Ferizaj 736, Istog 695, Vushtrri 682, Zubinpotok 562, Lipjan 481, Gorë 444, Leposaviq 437, Kamenicë 372, Viti 344, Suharekë 339, Zveçan 301, Skenderaj 240, Rahovec 219, Shtërpcë 121, Podjevë 109, Novobërdë 108, Kaçanik 83, Gllogovc 79, dhe në Shtimje 28. Prej numrit të përgjithshëm të refugjatëve,  nëpër qendra kolektive, në objekte të ndryshme: në hotele, restorante, shkolla, konvikte, pushimore, palestra të sporteve, madje edhe në qerdhe të fëmijëve ishin vendosur 11.945, të tjerët ishin vendosur te të afërmit e të njohur të tyre. Nja 2745 refugjatë ishin punësuar, qoftë në punë të përhershme apo me afat të caktuar. Nga numri i përgjithshëm i refugjatëve, këta që kishin ardhur në Kosovë përbënin 3%. Në Vojvodinë kishin shkuar më se dhjetëfish më shumë (229.811). Refugjatët në Kosovë ishin ma të privilegjuar në krahasim me refugjatët në vendet tjera, për shkak se ata të tjerët i mobilizonin me dhunë në aradhat paramilitare dhe i dërgonin në frontet e luftës, ndërsa këta të Kosovës i ruanin për t’i shndërruar në kolonistë.

Po tash, në Kosovën e pavarur, a po vazhdon kolonizimi?

Kolonizimi i Kosovës po vazhdon edhe pas çlirimit, bile me paratë e buxhetit të Kosovës dhe të donatorëve të shteteve të cilat e kanë ndihmuar Kosovën të çlirohet nga okupimi serb! Natyrisht, as në periudhën 1990-1999 nuk përmendej fjala kolonizim, dhe as tash nuk përmendet ky term, por insistimi i Serbisë gjoja për kthimin e serbëve të shpërngulur, ka të njëjtin qëllim, duke manipuluar me shifra  të rrejshme për numrin e të shpërngulurve. Edhe tash po ndërtohen vendbanime të posaçme për serbë, si “kubucet” izraelite në tokat e pushtuara të Palestinës, dhe po  iu ndërtohen shtëpi individuale në vendbanimet ekzistuese ose po krijohen vendbanime të reja vetëm për serbë. Askush nuk e di sa miliona euro të buxhetit të Kosovës e të donatorëve të huaj janë shpenzuar për ndërtimin  dhe mobilimin e shtëpive, rregullimin e infrastrukturës dhe objekteve tjera (shkolla, ambulanta, kisha), për t’i joshur serbët të kthehen apo të vijnë për të jetuar e punuar (sic) në Kosovë. Sa të tjera ka investuar vet Serbia për këtë qëllim, sidomos në Veri të Mitrovicës. Atje, përveç se i ka përzënë me dhunë shqiptarët nga banesat, të cilat i kanë uzurpuar kriminelë të ndryshëm, Serbia ka investuar edhe në blerjen e shtëpive dhe banesave të shqiptarëve. Vetëm në periudhën 2003-2012, nga buxheti i Serbisë janë blerë 137 shtëpi e banesa në pjesën veriore të Mitrovicës, për të cilat, sipas mediave serbe, janë shpenzuar 15 milione euro, natyrisht me keqperdorimet (provizionet) që kanë marrë ndërmjetësues të ndryshëm. Në ato shtëpi e banesa të blera, dhe në sa të tjera të uzurpuara, janë vendosur kushedi sa serbë nga kontigjenti i refugjatëve kriminelë që kanë ikur nga Bosnja e Kroacia?

Me mjetet e buxhetit të varfër të Kosovës, dhe me donacione të jashtme, janë ndërtuar shtëpi gjithandej nepër Kosovë, me Programin e kthimit të serbëve e malazezëve. Madje shtëpitë edhe u janë kompletuar me mobilje, u është premtuar sigurimi i ushqimit e nevoja tjera për gjashtë muaj, por shumica e tyre qendrojnë të zbrazta 10-15 vjet, dhe shkaterrohen, vidhen, demolohen, sepse shumica e “pronarëve” nuk kthehen në to, duke ditur se çfarë krimesh kanë bërë ndaj fqinjëve të tyre shqiptarë. Kështu, nga afro 500 shtëpi të ndërtuara në Klinë dhe fshatra të asaj komune, janë kthyer e vendosur gjithsejt 350 persona (jo familje, po individë), ndërsa të tjerat rrinë e shkatërrohen kot. Disa “pronarë” , bashkë me tokat (të cilat i kanë marrë falas si kolonistë), tash po i shesin edhe shtëpitë e reja të ndërtuara. Në fshatin Babush, të Ferizajt, u ndërtuan dhe kompletuan me mobilje 80 shtëpi për “të kthyerit”, u ndërtua shkolla e ambulanca, me tërë infrastrukturën e nevojshme, të cilat veçsa janë shkatërruar, sepse “pronarët” nuk u kthyen në to. Në fshatin Maxhunaj, Sllatinë dhe Dolan  të Vushtrrisë, qysh në vitin 2003-2004 janë ndërtuar e kompletuar me mobilje 63 shtëpi, u janë premtuar edhe nga 2000 euro para për çdo familje, por askush nuk jeton në to. E dinë ata se çfarë krimesh kanë bërë ndaj fqinjëve shqiptarë. Shumë “pronarë” i kanë marrë mobiljet, dyertë e dritaret dhe i kanë shitur. Natyrisht, në shtëpi të tilla, të shkreta, bëjnë punën e tyre edhe hajnat shqiptarë. Shumë prej “pronarëve” të atyre shtëpive tash jetojnë në Mitrovicë, në shtëpitë e banesat e uzurpuara të shqiptarëve të asaj ane. Atje edhe shteti i Serbisë ka ndërtuar  edhe tetë soliterë për serbët, në Lagjen e Boshnjakëve. Dhe atë pjesë veriore të Kosovës është duke e popullzua me të madhe; kompleksi në Banjskë, banesa në Zveçan, ndërsa në të ashtuquajturën “Sunçana Dollina” (Lugina e Diellit), ka filluar projektin e një vendbanimi modern, tipik si kibucët izraelitë, me 300 shtëpi, me sipërfaqe nga 60 deri 100 m/katrore. Sa e sa shtëpi e banesa tjera janë ndërtuar në gjithë Kosovën për “të kthyerit”, dhe atë me angazhimin dhe financimin e shtetit të pavarur të Kosovës e me ndihmën ndërkombëtare, që praktikisht është vazhdimi i periudhës së tretë të kolonizimit, që pat filluar në vitin 1990.

Por, me gjithë privilegjet e përcaktuara sipas parimit të “diskriminimit pozitiv”, me gjithë ofrimin e kushteve dhe garancës për liri, me gjithë privilegjet që nuk i ka asnjë minoritet në botë, serbët e lazdruar të Kosovës nuk janë të kënaqur të kthehen, sepse ata kërkojnë  dhe presin e shpresojnë kthimin e Kosovës në Serbi, ose kthimin e Serbisë në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …