SHKSH "Mëmëdheu" vazhdon aktivitetet në vitin jubilar të 550-vjetorit të Vdekjes së Gjergj Kastritotit-Skënderbeut

SHKSH “Mëmëdheu” vazhdon aktivitetet në vitin jubilar të 550-vjetorit të Vdekjes së Gjergj Kastritotit-Skënderbeut

(Vazhdojmë me veprimtari (ribotimin e trilogjisë GJERGJAT NË DRITA PËRKRENARESH…) në nderim e përkujtim të heroit kombëtar GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT… “GJERGJAT NË DRITA PËRKRENARESH” NË 550 VJETORIN E VDEKJES SË GJERGJ KASTRIOTIT ‒ SKËNDERBEUT)

Në fund të vitit 2017 u botua trilogjia: “Gjergjat në drita përkrenaresh” e autorit Avni Dehari.

Tema që trajtohet në këtë roman tri pjesësh (“Dragoi”, “Udhëkryqi” dhe “Flakadanët e lirisë”) kushtuar fëmijëve, të rinjve, por edhe të rriturve, është jeta dhe bëmat e kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit ‒ Skënderbeut, që nga lindja e deri në ditën e vdekjes.

Në fillim të vitit 2018, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, në konkursin për librat e botuar në vitin 2017, pjesën e tretë të këtij romani “Flakadanët e lirisë”, meqë pjesët e para “Dragoi” dhe “Udhëkryqi”, ishin botuar më herët, e përzgjodhi për prozën më të mirë të botuar në vitin 2017 dhe e shpërbleu me çmimin letrar “Vehbi Kikaj”.

Romani “Gjergjat në drita përkrenaresh”, u prit shumë mirë nga lexuesit dhe për ribotimin e tij pati shumë kërkesa.

Më 17 janar 2018, në Prishtinë, u bë promovimi i romanit “Gjergjat në drita përkrenaresh”. Me këtë promovim, në fushën e letërsisë, u shënua 550 vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit ‒ Skënderbeut. Për shkak të interesimit të lexuesve për këtë roman, SHKSH “Mëmëdheu” në St. Gallen-Zvicër që është autorizuar nga autori ta organizojë mbështetjen financiare për botimin e këtij romani, me ndihmën financiare të mërgimtarëve tanë, që punojnë gjithandej në Zvicër, e mbështetën botimin e dytë prej 1000 kompletesh (tre mijë librash).

Promovimi i botimit të dytë, që organizoi SHKSH “Mëmëdheu”, në pjesën e parë të muajit mars 2018, u bë në Gjenevë, në Lozanë, në Ostermundigen (Bern), në Flums, në Wil, në Rappersvil, në Kreuzligen dhe në St. Gallen, ku shumë mërgimtarë e përkujtuan 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit ‒ Skënderbeut, duke u pajisur me këtë trilogji.

Me interesimin e SHKSH-së “Mëmëdheu” u bë i mundshëm edhe botimi i tretë nga dashamirët e librit dhe të kulturës sonë në IRJM. Ky botim do të promovohet në fillim të tetorit të këtij viti në shkollat e Tetovës, të Shkupit dhe të Kumanovës e qendra tjera . Romani do të shpërndahet falas nëpër biblioteka të shkollave në hapësirën e Republikës së Maqedonisë dhe nëpër familjet e dëshmorëve të luftës së UÇK-së.

Po ashtu me ndihmën financiare të SHKSH-së “Mëmëdheu” në St. Gallen dhe të mërgimtarëve në Zvicër është realizuar edhe botimi i katërt, që do të promovohet nëpër qendrat e ndryshme të Kosovës, si dhe do t’u dhurohet bibliotekave të qytetit të shkollave të vendit dhe do t’u jepet falas fëmijëve të dëshmorëve të luftës së UÇK-së.

Me angazhimin e SHKSH-së “Mëmëdheu” është në proces e sipër edhe botimi i pestë, që do të promovohet dhe do të shpërndahet në Luginën e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, dhe botimi i gjashtë që do të promovohet dhe do të shpërndahet në trojet tona në Mal të Zi.

Meqë ky vit është vit i Gjergjit ‒ Skënderbeut, përpos vendeve që u përmendën, po të mblidhen mjete financiare, romani “Gjergjat në drita përkrenaresh” mund të ribotohet dhe të promovohet sërish dhe të shpërndahet edhe në Gjermani dhe në ndonjë shtet tjetër, ku punojnë mërgimtarët tanë.

Në prill të këtij viti, poashtu është ndërmarrë iniciativa që romani në fjalë të shëndrrohet edhe në radiodramë. Kërkesa për këtë projekt iu është dorëzuar Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Diaporës si dhe z. Jahja Llukës si përgjegjës i Fondit Qeveritar të Kosovës, ndarë nga Kryeministri Ramush Haradinaj, për të shënuar Vitin e Gjergj Kastritotit – Skënderbeut. Jemi në pritje të përgjigjeve, dhe deri më tani nuk kemi përgjigje institucionale dhe konkrete nëse ky projekt do të mbështetet nga institucionet e lartpërmendura.

SHKSH “Mëmëdheu” pos që falënderon të gjithë donatorët pa dallim shume e ndihmese, pas përfundimit të shënimit të Vitit për Gjergj Kastriotin – Skëndrbeun, do t`i bëj publike të gjitha donacionet e ardhura për këtë projekt nëpërmjet Shoqatës “Mëmëdheu”.

SHKSH “Mëmëdheu”

Postfach 133

9016 St. Gallen

Zvicër

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …