Këngëtarja e mirënjohur e këngës popullore, Shkurte Fejza padyshim se ka arritur të zërë një vend meritor në mesin e këngëtareve më të popullarizuara, jo vetëm në Kosovë, por kudo në trevat e shkapërderdhura të Shqipërisë, të cilat përmes këngës dhe formave të tjera të shprehjes artistike kanë frymuar njëjtë, kanë trashëguar gjakun dhe ADN-në e njëjtë dhe kanë bërë dhe po bëjnë përpjekje për bashkim, të paktën me zemër e me këngë malli.
Në shkrimin e prezantuar në Vikipedia për këngëtaren, Shkurte Fejza, autori, apo autorët, kanë anashkaluar elementin më qenësor që ka nxjerrë në sipërfaqe, Shkurte Fejzën, asokohe këngëtaren me talent të veçantë dhe që premtonte shumë. Anashkalimi i tillë, i këtij segmenti, mbase pa ndonjë pretendim të caktuar, megjithatë duket se është përpjekje për ta mbuluar me heshtje një të vërtetë shumë të madhe, një të vërtetë realiste të kohës, ndikimin e fuqishëm, që asokohe ushtronte propaganda e zgjimit kombëtar të shqiptarëve të mbetur nën robërinë jugosllave nga Radio-Tirana, Radio-Kukësi dhe nga RTSH-ja. Ky ndikim ishte vendimtar jo vetëm për këngëtarët dhe disa krijues, por edhe për tërë rininë revolucionare të Kosovës, e cila në mars e prill të vitit 1981, mori mbi supe angazhimin për krijimin e Republikës së pavarur të Kosovës. Pretendimi për ta paraqitur Shkurte Fejzën dhe këngëtare e këngëtarë të tjerë të Kosovës si rrjedhë në trashëgiminë kulturore të Kosovë-Metohisë, është pretendim antihistorik dhe në asnjë segment nuk përkon me realitetin. Po të kishte qenë kështu, Shkurte Fejza, Ilir Shaqiri e këngëtarë të tjerë do të kishin kënduar këngë të përkthyera nga gjuha serbe, apo do të kishin kënduar nën ndikimin e këtyre këngëve, sikur bënë dhjetëra këngëtarë shqiptarë, të cilët përfaqësonin vijën ideologjike kulturore të bashkim vëllazërimit. Në një mes të tillë, ku talenti dhe krijimtaria e mirëfilltë i nënshtrohej censurës ideologjike, kënga dhe arti i vërtetë dhunohej me heshtje, ose me rrezikim të “perspektivës” zyrtare. Por ekzistonte edhe alternativa, ajo alternative që nuk sillte fitime, pushtet, por që rrezikonte jetën me burg, lëçitje, ndalim të këngës. Shkurte Fejza, për fatin e vet jetësor dhe për fatin e këngës shqipe zgjodhi rrugën drejt Tiranës dhe jo drejt Beogradit, përderisa rrugë të tretë nuk kishte, ndërsa Prishtina zyrtare ishte në të njëjta valë me Beogradin.
Krijimi i Shoqërisë kulturore Artistike “Afërdita” në fshatin Mushtisht të Therandës, ish-Suharekë, dhe orientimi ideor, kombëtar, muzikor drejt këngëve që përhapte Radio-Tirana dhe Radio-Kukësi, (me apo pa ndonjë qëllim të caktuar), ishte alfa e paraqitjes, prezantimit dhe emetimit të atyre këngëve, të cilat pranoheshin si shiu në ditët me vapë të verës nga të gjithë shqiptarët me përcaktim të pastër kombëtar. Nuk duhet harruar fakti se Shkurte Fejza, bëri emër me këngën “Erdha nga qyteti, në fshat të jetoj” një tekst i këngës shqipe, që nuk kishte të bënte asgjë me të vërtetën në Kosovë, por që me aq shpirt e dashuri ishte pranuar nga të gjithë liridashësit e Kosovës. Pikërisht në atë kohë, rinia shqiptare e Kosovës dyndej nga fshatrat drejt qyteteve dhe jo sikur ndodhte në Shqipëri, në drejtimin e kundërt.
Sa ka ndikuar kënga shqipe e Radio-Tiranës, kënga e Shqipërisë socialiste e kohës në Kosovë dhe drejtpërdrejt te kjo këngëtare, këtë nuk ka nevojë ta thotë apo ta pranojë këngëtarja, sepse për këtë flet repertori i saj, flasin të gjithë ata që kanë dëgjuar dhe i dëgjojnë me përkushtim këngët e saj.
Ajo u dallua si këngëtare në Shoqërinë kulturore “Afërdita” të Mushtishtit, në gjysmën e dytë të viteve 70, në fushatën gjithëkombëtare të 100-vjetorit të manifestimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, (të vitit 1978) andej dhe këndej kufirit. Zëri i saj melodik, emetimi origjinal i këngëve, që shpërndaheshin nga valët e Radio-Tiranës dhe të Radio Kukësi, shqiptimi e një timbri karakteristik, sidomos të timbrit të këngës vendore të Anadrinit, e bënte këngën e saj jo vetëm të lezetshme, por edhe tejet të këndshme si nga përmbajtja, e cila nganjëherë edhe censurohej sipërfaqësisht, ashtu edhe nga përkushtimi, që nuk ishte vetëm përkushtim i rëndomtë për këngën, por mbi të gjitha ishte përkushtim patriotik, në përpjekje për të përngjarë, me nënën Shqipëri.
Dhe pikërisht ky përkushtim ndaj këngëve të tilla, zgjonte dhe vetdijësonte një pjesë të rinisë shqiptare të Kosovës, të cilës i imponohej kënga sllave dhe ajo e bastarduar, që e përhapnin radiostacionet jugosllave dhe grupet, që jepnin koncerte në Kosovë nga të gjitha viset e Jugosllavisë.
Të përkujtojmë me këtë rast, një koncert të mbajtur nga këngëtari serb, Dragan Çoliq në Stadiumin e Prishtinës, mbase në vitin 1979, ku morën pjesë mijëra studentë dhe qytetarë, të mesin e tyre edhe nga radhët e rinisë militante, të cilët ishin futur atje me qëllim për ta diskredituar koncertin dhe këngëtarin serb. Nuk kanë qenë pak në numër ata të rinj dhe ato të reja shqiptare që i brohorisnin Çoliqit dhe që digjnin shamitë për të, ashtu sikur ndodhi, 35 vjet më vonë në Tiranë, ku ky serb i Mladiqit dhe Milosheviqit çoi peshë publikun adhurues, delirant, të Tiranës.
Pikërisht në atë kohë, në kohën e përplasjeve që po përgatiteshin të ndodhnin, në kohën kur duhej të krijohej dhe po krijohej me sukses hendeku në mes patriotizmit të imponuar dhe të panatyrshëm jugosllav dhe patriotizmit të vërtetë shqiptar, kënga e pastër shqipe dhe shpirti i pastër kombëtar, nuk mund të ishin indiferentë. Në vitet ‘80 e më vonë, Shkurte Fejza, Ilir Shaqiri, Remzie Osmani, Shyhrete Behluli, Shaqir Cërvadiku, Bege Gashi, Begishe Avdiu, Zyle Krasniqi, Nazmije Hoxha, Emine Hasimi, Shqipe Kastrati, Rifat Berisha, Nimon Mushkolaj e të tjerë mbajtën gjallë këngën burimore, e cila në segmente të caktuara frymëzoi e mbajti gjallë edhe idealin për liri, barazi dhe bashkim kombëtar.
Nuk po i përmendim me këtë rast këngëtarët e formacionit tjetër, të atij të bashkim vëllazërimit, të cilët asokohe edhe bënë emër, por nuk kishin as edhe një përqindje të vogël të dëgjuesve shqiptarë të Kosovës. Nga ai mes, përveç Nexhmije Pagarushës, nuk kemi ndonjë këngëtar apo këngëtare që ta ketë përvetësuar publikun si Shkurte Fejza, Ilir Shaqiri, Shyhrete Behluli e të tjerë.
Zëri i Shkurte Fejzës është i njohur për dëgjuesit shqiptarë prej vitit 1978 e deri tani. Zëri i saj duket se buron me frymëzime nga fushat e Anadrinit dhe nga jehona e këngës malësore që përhapet prej Lumës e maleve të Sharrit. Ajo disponon një qasje autentike ndaj këngës. Këndon lirshëm, natyrshëm, këndon me përkushtim, duke u përkujdesur ndaj çdo cikërrime që mund ta dëmtojë qoftë këngën, zërin, ritmin, apo edhe një tingull të vetëm. Ajo ka rezervuar edhe paraqitjen dinjitoze dhe serioze në të gjitha aspektet e prezantimit para publikut, duke ruajtur me sukses normën morale tradicionale të paraqitjes, veshjen karakteristike, të cilën, mjerisht nuk e kanë ruajtur as e ruajnë shumë këngëtare, që iu kanë nënshtruar fitimit, dalldisë, koketimit dhe formave degjeneruese, të cilat i përkrah shoqëria e sotme e konsumit ditor, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri e Iliridë.
Kënga e Shkurte Fejzës mban në vetvete shumë elemente artistike të komponuara në tërësinë e saj, tërësi e cila buron edhe si gurgullimë e burimit të pastër malor, edhe si thirravaje e së kaluarës, edhe si qëndresë e pashtershme për të mos u dhënë, për të mos u dorëzuar, por për të çarë përpara.
Motivet e këngëve, të cilat i ka kënduar dhe i këndon kjo këngëtare e mirënjohur dhe e talentuar, janë motive të jetës shqiptare, të së kaluarës dhe të tanishmes, të fatit të shqiptarit të këtyre trojeve, të së kaluarës tragjike dhe heroike, të kurbetit, të mallit të pashuar për Atdheun, Shqipërinë, Kosovën, Iliridën, Çamërinë, janë këngë për dashurinë e pastër të njeriut të thjeshtë, këngë që kanë porosi dhe nuk këndohen vetëm për argëtim, sikur për shembull këngët e dasmave e ahengjeve familjare.
Ajo disponon zërin tejet melodik, të cilin e begaton me shqiptimin e pastër të tingujve, me melodinë autentike të shpirtit krijues, të shpirtit që shkrihet në pasion, jo vetëm për këngën si të tillë, por që shkrihet në pasion të tërësisë së saj, të mesazhit dhe të përmbajtjes së saj. Zëri i Shkurte Fejzës, për dallim nga zërat e këngëtareve të tjera, ka një dozë të mjaftueshme të timbrit të zërit burrëror, të atij timbri që shënon krenarinë e ligjshme për përkatësinë e racës, të kombit, gjuhës, kulturës, traditës, besës, tolerancës. Këndimi i saj ka fuqinë mobilizuese, sepse ajo kur këndon përqendrohet në këtë segment me tërë qenien, këndon nga thellësia e shpirtit, sepse këndon duke u bërë bashkë me këngën, ashtu sikurse bëjnë këngëtarët dhe artistët e njohur, të cilët njëzohen me veprat e tyre. Si i tillë, këndimi i Shkurte Fejzës, prek majat sipërore, prek majat përtej së cilave nuk kalohet. Ajo prek infinitet e një këndimi origjinal, autentik, këndim që paraqitet vetëm në epoka të thyerjeve të mëdha, të epokave që i përjetuam, të epokave me këngë e barot, me vaje, vuajtje e këngë, me lot e zjarr, me këngë për dëshmorët e martirët. Vetëm duke e parë veten si pjesë të këtyre proceseve kombëtare, duke i besuar lirisë dhe fitores, kjo këngëtare ka arritur ta pasurojë dhe ta begatojë fondin e këngës shqipe, duke e radhitur veten në mesin e emrave të këngëtareve e këngëtarëve që kurrë nuk do të harrohen.
Shkurte Fejza, radhitet në mesin e këngëtareve të njohura shqiptare si Fitnete Rexha, Fatime Sokoli, Feride Kurti, Dava Gjergji, Mrika Trumshi, Zoja Pali, Drane Gega, Besiana Mehmedi e këngëtare të tjera që kanë lënë dhe vazhdojnë të lënë gjurmë afirmative në traditën e këngës shqipe.
Ahmet Qeriqi
10. 7. 2014