Thuhet se, pasi Napoleoni pushtoi të gjithë Evropën dhe vrau miliona ushtarë, deklaroi se me bajonetat mund të bësh gjithçka, përveçse nuk ulesh dot mbi to. Shumë më afër në kohë, kur kryeministri Ariel Sharon vendosi të tërhiqej nga Rripi i Gazës, unë mendova me naivitet, se Izraeli kishte filluar që të mësonte leksionin bazë të korzikanit të famshëm: Ti mund të pushtosh dhe shtypësh, por çdo veprim nga një fuqi e huaj. ka gjithashtu kufizimet e saj.
Tek e fundit, në kohët moderne, nëse nuk i zhduk apo dëbon njerëzit që nuk kanë asnjë sovranitet apo kanë një sovranitet të pakuptimtë, ata do të rebelohen vazhdimisht.
Zjarri i fundit i dhunës në Gaza u ndez me ndihmën e dy “shkrepëseve”. E para i ngjan asaj që ndezi edhe kryengritjen e tetorit 2000:një sulm përdhosës ndaj Xhamisë Al-Aksa, e cila është jo vetëm një vend fetar shumë i rëndësishëm për myslimanët, por qartazi edhe një simbol nacionalist.
“Shkrepësja” e dytë përbën një lloj risie. Kërkesa për t’i dëbuar banorët arabë nga shtëpitë e tyre në lagjen Sheikh Jarrah të Jerusalemit Lindor, bazuar në pretendimin ligjor se hebrenjtë i kishin ato prona para vitit 1948, ishte njëlloj si të ngulje një gjilpëre në një plagë të madhe, dhe një shfaqje tronditëse e një padrejtësie gjithashtu të madhe.
Pra izraelitët kërkojnë që refugjatët të largohen nga shtëpitë e tyre, pavarësisht nga fakti se ata ua kanë marrë shtëpitë e tyre të mëparshme gjatë Nakba-s, së bashku me qindra mijëra të tjera, pa menduar aspak për dëmshpërblimin e pronarëve.
I tillë është arsyetimi i një pushtuesi budalla, që mund të çojë në djegien e të gjitha shtëpive të ndërtuara gjatë 100 viteve të fundit. Në fakt, duket se zjarri ka filluar tashmë të përhapet.
Në fillim, banorët e Jerusalemit Lindor u ngritën në protesta, gjë që nuk ishte për t’u habitur. Në “qytetin përjetësisht hebre”, banojnë rreth 380 mijë palestinezë. Ata përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë urbane, dhe jetojnë prej 54 vitesh pa të drejta politike apo civile.
Izraeli, që i aneksoi ata, bëri gjithçka që të mos u jepte shtetësinë izraelite. Ai përdori hapur dhe në mënyrë të dukshme “ngjitësin mitologjik” për të bashkuar gurët e pajetë, muret e larta, por jo qeniet e gjalla njerëzore. Tek e fundit, ata nuk janë hebrenj.
Në fakt këtë herë surpriza e vërtetë ishin izraelitët palestinezë. Ata që kanë shtetësi dhe që gëzojnë barazi të plotë politike në shtetin e Izraelit. Ata, që për vite me radhë ishin zhdrukthtarë dhe punëtorë krahu në përgjithësi, kanë filluar të zënë tani vendet e punës në spitale, farmaci dhe universitete.
Izraelizimi në rritje i qytetarëve arabë , njohuritë e tyre mbi gjuhën hebraike, statusi i përmirësuar social i disave prej tyre, dhe madje integrimi i tyre në botën e medias, së bashku me pushtimin e vazhdueshëm të Bregut Perëndimor, që të gjitha këto kanë prodhuar ndjesi dhe konkluzione të reja.
Por nuk mund të jesh kurrë i barabartë në një vend, që deklaron haptazi se nuk është i juaji. Në krahasim me demokracitë e tjera liberale, Izraeli nuk është shteti i të gjithë qytetarëve të tij, por shteti i të gjithë hebrenjve të botës (të cilët as që duan të jetojnë atje).
Kuptimi i “demokracisë hebraike”, i ngjan termave të tjerë me një kontradiktë të brendshme, si “demokracia e bardhë” në Shtetet e Bashkuara, apo një “republikë galike-katolike” në Francë. Në çdo shtet-komb në botë, zgjidhet një himn kombëtar që synon të bashkojë dhe frymëzojë të gjithë qytetarët, pavarësisht nga feja, ngjyra e lëkurës apo origjina e tyre.
Në Izrael, himni i distancon disa nga qytetarët e tij, pasi në fund të fundit, jo të gjithë kanë një “shpirt hebre”. Shteti i Izraelit, është i përgatitur të pranojë cilindo që mund të provojë se është hebre nga nëna, apo që është konvertuar në përputhje me ligjin fetar hebre.
Izraelitët palestinezë nuk mund të bashkohen me të afërmit e tyre të shkallës së parë dhe të dytë, të cilët u dëbuan nga këtu në vitin 1948, dhe që jetojnë në kampe refugjatësh në Bregun Perëndimor dhe Gaza. Që nga vendosja e kufijve të Izraelit në vitin 1967, janë krijuar rreth 700 komunitete të reja hebraike, por asnjë arabe, përveç qyteteve për beduinët që janë dëbuar nga tokat e tyre).
Edhe pse rreth 21 për qind e qytetarëve të Izraelit janë arabë, nuk ka një universitet ku të mësohet në arabisht. (Në të kundërt ekziston një universitet hebraisht-folës në atë që është padyshim territor palestinez). Megjithëse Izraeli i paraqitet botës si një vend shekullar, liberal, këtu një grua hebreje nuk mund të martohet dot me një burrë jo-hebre, pasi nuk ekzistojnë martesat civile.
Për t’u martuar me partnerin e saj, ajo duhet të udhëtojë në një vend tjetër, që nuk përpiqet qëllimisht të pengojë martesat e hebrenjve dhe jo-hebrenjve. Ne mund të vëmë në dukje shumë elementë diskriminues apo përjashtues në infrastrukturën e shtetit hebre, por duhet të jemi të vetëdijshëm se ajo ka qenë praktikisht e padobishme deri më tani.
Shumica e izraelitëve hebrenj, janë indiferentë ndaj pabarazisë themelore që ekziston këtu, dhe preferojnë të vazhdojnë të kridhen në “pishinën e tyre hebraike dhe demokratike”, për të cilën ata kanë besuar deri tani se do të ekzistonte përgjithmonë.
Dhe tani krejt papritur, mijëra izraelitë palestinezë kanë shpërthyer në protesta të ashpra dhe të dhunshme kundër pabarazisë së patolerueshme. Anëtarët e shtresës së mesme arabe nuk morën pjesë në këto protesta, por për herë të parë i lejuan fëmijët e tyre të përleshen me oficerët e policisë, dhe të goditen nga grushtet e racistëve dhe kolonëve hebrenj.
Dhuna është gjithnjë e neveritshme dhe e shëmtuar, por fatkeqësisht, ajo ka i shoqëruar gjatë gjithë historisë betejat për barazi. Përdorimi aktual i forcës brenda Izraelit, të kujton dhunën e madhe të grupimit afro-amerikan Pantera e Zezë në Amerikën e viteve 1960, sidomos pas vrasjes së Martin Luther Kingut.
Lufta e protestuesve në lagjet e varfra të zezakëve, dha një kontribut tjetër vendimtar drejt kthimit të Shteteve të Bashkuara, nga një vend kryesisht i bardhë në një demokraci të barabartë për të gjithë qytetarët e saj. Siç e dimë, lufta drejt këtij qëllimi nuk ka mbaruar ende.
Pyetja që mbetet pas përplasjeve të fundit të ashpra në Izrael është kjo: A do të ketë një Izrael të ndarë si Jugosllavia dikur në Ballkan, fatin e kësaj të fundit, duke u zhytur në një luftë të përgjakshme midis qytetarëve të saj të larmishëm dhe të pabarabartë, dhe duke u shpërbërë në fund në 100 pjesë?
Apo do të jemi në gjendje ta shndërrojmë atë, me gjithë vështirësitë, në një vend të ngjashëm si Kanadaja, Belgjika ose Zvicra, ku pavarësisht të gjitha përçarjeve, ato arrijnë ta ruajë veten si demokraci shumëgjuhëshe, ku fanari i tyre ndriçues është parimi i identitetit civil, që nuk është as etniko-fetar dhe as etnike-biologjik? Këtë do ta tregojë koha.