SHMP “Lasgush Poradeci” në Kijevë shënoi Ditën e Shkollës

Shkolla e Mesme Profesionale “Lasgush Poradeci” në Kijevë shënoi Ditën e Shkollës. Në këtë manifestim mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati.

Me këtë rast, z. Kastrati mbajti një fjalë përshëndetëse para nxënësve, mësimdhënësve dhe komunitetit. Ai fillimisht i uroi mësimdhënësit dhe nxënësit e Shkollës së Mesme Profesionale “Lasgush Poradeci” për Ditën e Shkollës. Më tej, ai i përgëzoi për të arriturat e kësaj shkolle, jo vetëm në drejtimet socio-ekonomike, por edhe në drejtimin e infermierisë, një profesion i cili është jo vetëm human, por edhe i domosdoshëm për shërbimet profesionale që i ofrohen qytetarëve.

Kastrati theksoi gjithashtu se qeveria komunale do të mbështesë gjithmonë shkollën, sidomos në fushën e projekteve inovative që hartohen nga nxënësit dhe mësimdhënësit e saj. Ai foli gjithashtu për figurën dhe emrin e shquar të poetit dhe atdhetarit Lasgush Poradeci, emrin e të cilit e mban shkolla. Kryetari Kastrati inkurajoi mësimdhënësit dhe nxënësit të angazhohen në rrugën e dijes. Ai theksoi se këtë dije duhet ta investojnë së pari në vetvete, pastaj në familje, Malishevë, Kosovë dhe më gjerë, për të mirën e kombit shqiptar, ashtu siç veproi Lasgush Poradeci me veprat e tij letrare.

Në këtë ngjarje, për të arriturat dhe punën që bëhet në këtë institucion shkollor foli drejtori i shkollës, Burim Gashi. Aktiviteti u pasurua me një minikoncert festiv dhe artistik të organizuar nga nxënësit, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionuese. Në përfundim, u shpërndanë mirënjohje për nxënësit dhe mësimdhënësit më të dalluar, duke vlerësuar kontributin e tyre në sukseset e shkollës.

 

Kontrolloni gjithashtu

Zjarrfikësit vitias tani e tutje me automjete të reja

Sot në Viti, ka arritur donacioni me automjete të reja për zjarrfikësit vitias. Ky donacion …