Në deklaratën e Shoqata e ish të Burgosurve Politikë e Kosovës lidhur me vrasjen e Astrit Deharit thuhet se Vdekja e papritur dhe e mbështjellë me dyshime të shumta e veprimtarit të shquar rinor dhe studentit të dalluar të mjekësisë, Astrit Dehari, ka prekur thellë opinion shqiptar dhe ka tronditur e ka nemitur posaçërisht ish të burgosurit e shumtë politikë; u ka shpupurishur atyre plagët e moçme, u ka rikthyer kujtesën për ethet e proceseve të kurdisura, të fabrikuara e të rafinuara politiko-gjyqësore, për ankthet e territ e terrorit të burgut shovinist dhe për makthet e ustallëqeve dhe marifeteve të paskrupullta të luftes speciale, si dhe fenomeneve tjera ngulfatëse të burgrobërise, të konsideruara, natyrshëm, si diç e paharrueshme, por tashmë e shkuar dhe e pakthyeshme.
Shoqata e Ish të Burgosurve Politikë e Kosovës, ka ngritur kaherë zërin kundër dukurisë së ringjalljes së ataviznmave fantazmagorikë të burgjeve politike, të burgosjeve të reja politike, të mendësisë dhe metodave antinjerëzore të represionit dhe ingjineiringut politiogjyqësor… Është fort e dhembshme dhe krejtë e pajustifikueshme që, aq vite pas çlirimit të Kosovës, biri i vetëm i një familjeje të dëshmuar atdhetare, Astriti, veprimtari i dalluar rinor, idealist, atdhetar e progresist, i bashkangjitet tragjikisht, lagjës së dëshmorëve të prangosur të burgjeve, Shaban Shalës, Fazli Grajçecit, Xhemajli Berishës, Zija Shemsiut dhe sa e sa të tjerëve para dhe pas tyre. Një familje shembullore liridashëse, arsimdashëse e atdhedashëse, që la vullnetarisht Zvicrën e tyre mike e bujare dhe kthehet në Kosovë, për të shijuar frymën dhe frytet e lirisë dhe Republikës për të cilën ajo kishte punuar, e kontribuar aq shumë, dhe brenda dy vitesh humbet dy djemtë e saj, zemërmbushur vrull djaloshar, entuziazëm, vullnet e përkushtim për të ardhmen e tyre, të Republikës së tyre dhe kombit të tyre të shumëvuajtur, me përkushtimin vetëmohues e idealist për ta bërë Zvicër e shkuar Zvicrës.
Pa prejudikuar të vërtetën rreth këtij rasti të dhembshëm dhe pa u nderhyrë në punën e drejtësisë, por pikërisht në funksion të vërtetës dhe drejtësisë, Shoqata kërkon ndriçimin dhe zbulimin jo vetëm të shkakut të vdekjes misterioze e tejet të dyshimtë të Astrit Dearitpor edhe të gjithë asaj që ka ndodhur e nuk ka guxuar të ndodhë si dhe të asaj që nuk ka ndodhur, por që do të duhej të ndodhte. E vërteta e plotë për rastin Astrit Dehari, kërkon zbardhjen e plotë dhe të besueshme jo vetem të të gjithë dosjes së Astritit dhe shokëve të tij, të arsyeve të vërteta, motiveve, bazes ligjore dhe procedurale të burgosjes dhe gjithë trajtimit të tij dhe shokëve të tij, por edhe gjithasaj që i parapriu dhe asaj që pasoi dhe prodhoi situatën e krijuar dhe që në mënyrë të drejtëpërdrejte ose të tërthortë, kontribuoi dhe rezultoi në një epilog aq tragjik. Të identifikohet, të hetohet dhe të zbardhet gjithajo që lidhet jo vetëm me ndodhinë e tmerreshme në rastin tragjik të Astrit Debatit dhe të përballen me drejtësinë të gjithë përgjgjegjësit e drejtëpërdrejtë e të tërthortë të kësaj tragjedie. E vërteta e plotë për këtë rast i duhet të ardhmes së lirë e demokratike të republikës dhe parandalimit dhe pamundësimit të rishfaqjes së atavizmave të së kaluarës dhe përsëritjes së tragjedive të tilla.Në kontekstin tonë specifik, i besueshëm, i bindshem dhe efektiv mund të konsiderohet vetëm një hetim vërtetë i pavarur, i gjithhanshëm, profesional dhe ndërkombëtar.
Duke kërkuar dritë dhe drejtësi për Astritin, nuk mund të mos kërkohet drejtësi edhe për shokët dhe shoqet e Astritit, të prangosur dhe të ngujuar pa të drejtë në burg. Pas rastit Astrit Debati, atyre dhe gjithë të burgosurve pa faj e fakte dhe me motivime politke u duhet mundësuar mbrojtja në liri oseedhe lirimi i tëresisht dhe imediat nga burgu që i mori jetën shokut të tyre..
Duke shprehur ngushëllime gjithë të pikëlluarve, Shoqata fton anëtarësinë e saj dhe gjithë qytetaret pa dallim, që ta rujanë gjakftohtësinë, vetëpërmbajtjen dhe pjekurinë e duhur politike, të shtojnë syqeltësinë dhe largapamësinë dhe të pamundësojnë çfarëdo mundësie të veprimeve të pakontrolluara e të dëmshme për të ardhmen e synuar të vendit e të kombit, për të cilën punoi dhe aspiroi me aq përkushtim e idealizëm i riu i përjetshëm, Astrit Deari. Dhembja gjithpopullore le të jetë trokitje në ndërgjegje dhe stimul për këndellje dhe shkundje morale e shpirtërore.
Prishtinë, 9 nëntor