Selami Hoti: Reagim pas shqiptimit të dënimit 22 vjet burg kriminelit, Tasiq, pjesëmarrës në vrasjen e qindra shqiptarëve

Shoqata e të zhdukurve: Po na përqajnë për ta falur Serbinë

Të dashur Krushjan, anëtarë të këshillit, shumë të çmuar anëtarë të familjeve të Dëshmorëve, Martirëve dhe ju familjarë të të zhdukurve nga Krusha e Madhe e gjithandej.

Ky vit në Krushë ishte me shumë investime në Infrastrukturën e fshatit, por, ende ka shumë për t’u bërë. Si i tillë po përmbyllet me vështirësi, duke marrë parasysh edhe migrimin masiv të familjeve të prirë nga intelektualët Krushjan. Vit ‘special’ i cili si komb na përcolli me shumë ngjarje politike të cilat çdo ditë na mbajtën nën ankth, presion e stres duke mos ditur se kah po e qojnë Kosovën, as edhe sot kur po shkruaj. Dhe natyrisht, që kjo gjendje po krijohet, pos tjerash, edhe për të na hutuar neve të heqim dorë nga kërkesa për ndjekje penale të terroristëve serb-përgjegjës për dhembjet tona. Të gjitha këto ngjarje me pasoja negative për tërë kombin Shqiptar por edhe për çështjen tonë,-të kidnapuarit dhe të zhdukurit, edhe përkundër përkushtimit tonë si Këshill Koordinues i Asociacionit të Familjarëve të të Zhdukurve, na lanë peng dhe na përdorën si dekor në agjendat e tyre politike, tek vendorët por edhe tek ndërkombëtarët, të cilët përveç se nuk bënë asnjë presion të vetëm politik tek pala terroriste serbe sepse vranë e masakruan dhe fshehin krimin ndaj popullatës civile në të kundërtën vazhduan të minimizojnë krimet duke na përçarë në shoqata e këshilla. I tillë është edhe rasti i krijimit të Qendrës Burimore, e cila udhëhiqet nga UNMIK-u dhe financohet nga ambasada e Britanisë së Madhe.

Ndërsa, Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve (që përbëhet nga 25 shoqata), gjegjësisht Shoqatat tona mezi ia dalim të mbijetojmë në organizimet e shumta, duke qenë afër familjarëve me qëllim që kjo plagë e hapur e Kosovës të mbyllet përfundimisht ( këtë vit Krushën e vizituan 6 ambasadorë, dhjetēra delegacione përfshirë edhe ato ushtarake vendore dhe ndërkombëtare, të gjitha këto kanë kosto!). Të dashur familjarë të të kidnapuarve dhe të zhdukurve, po përmbyllet edhe ky vit e ne akoma jetojmë me shpresën se 64 Krushjanët tanë dhe 1650 nga tërë Kosova, nëse jo të gjallë së paku të na kthehen në varrezat që na mbetën të hapura.

Për dy dekada me radhë, politikat tona shtetërore ishin më shumë të fokusuara në kërkim-falje (s’ka nevojë se e kemi armik shekullor dhe nuk ia duam) nga ana e Serbisë dhe asnjëherë nuk punuan, e as nuk shprehën interesim, që kriminelët serb të dënohen dhe dëmet të kompensohen. Kjo e bëri Serbinë edhe më të fortë që të mos ndalojë në politikat ekspansioniste serbe, shfarosëse ndaj popujve tjerë jo serb. Serbia duke i bekuar kriminelët dhe duke mohuar çfarëdo krimi, siç e bën tani ish ministri i propagandës së Millosheviqit, ish bashkëpunëtori-shërbëtor i fashistit tjetër Sheshel, Kryetari serb Vuçiq me viqat tjerë të cilëve edhe kësaj radhe ju thuhet se është liria e të shprehurit që ju garanton të shprehen lirshëm, dhe kjo e bën edhe më të fortë çmimin Nobel, atyre që ju thurin elozhe dhe glorifikojnë dhunuesit e mbi 20000 grave të dhunuara, vrasësit e mbi 15000 viktimave civile duarthatë ku nga ta ishin 1432 fëmijë-si metoda të realizimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve! Andaj, edhe kësaj radhe, të gjithë politikanëve shqiptarë, në Kosovë e Shqipëri ju kërkojmë që të bëhen bashkë në të mirë të kombit. Ju, duhet të ndalni ofensivat e pandërprera serbe, të bazuara në projektet shfarosëse serbe 100 vjeçare kundër Shqiptarëve.

Gjithashtu, i kërkojmë faktorit ndërkombëtar që të mos përdorë standarde të dyfishta por të bëjë presion konkret, e jo lojë fjalësh abstrakte, ndaj Serbisë pasi që Serbia i nënshtrohet vetëm forcës ashtu siç edhe bëri në vitin 1999. Edhe ky ndërrim motesh do t’i gjej nënat në oborr duke pritur fëmijët, Edhe ky ndërrim motesh do të i gjej nuset me rrudha në ballë në pritje të burrave, Edhe ky vit do të i gjejë fëmijët duke pritur që prindërit të ju sjellin dhurata……. Edhe ky Vit kaloi me dhembjet tona të pa shuara, por me shumë këmbënguljen tonë për të gjetur të gjithë ata që mungojnë. Ne Mot, ne do të jemi edhe më këmbëngulës! Tungjatjeta, Selami Hoti-Kryetar i Këshillit të fshatit Krushë e Madhe dhe përfaqësues i SHGV-KRUSHA

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …