Drejtori i Shoqatës “Islamic Relief”, nga Malaysia, Zajrulshahfuddin Zainal Abidin, i shoqëruar nga drejtori i kësaj shoqate për Kosovë, Vehbi Zeqiri, kanë vizituar të enjten kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtirin, me ç’rast e njoftuan atë rreth projektit për shpërndarjen e pakove me ndihma ushqimore, për mbi 100 familje nevojtare.
Kryetari Bahtiri, u shpreh i kënaqur me vazhdimin e realizimit të këtij projekti, andaj edhe falënderoj përfaqësuesit e shoqatës për mbështetje dhe për bashkëpunim me komunën e Mitrovicës. Ai tha se projekti është i mirëseardhur për familjet me kushte të vështira jetese.
“Ju falënderoj për çdo gjë që keni bërë dhe që po bëni për qytetarët e Mitrovicës. Unë me të vërtet ndihem i privilegjuar të bashkëpunoj me juve si shoqatë. Mitrovica mendoj se është qyteti më i varfër në Kosovë, prandaj kisha pasur dëshirë që, jo vetëm kjo shoqatë e juaj, por edhe shoqatat tjera, të ndihmojnë banorët e Mitrovicës, e cila ka gjendjen më të rëndë ekonomiko-sociale, si pasojë e specifikave të vet qytetit”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.
Drejtori i shoqatës, “Islamic Reliev” në Kosovë, Vehbi Zeqiri, tha se për projektin për mbështetjen e familjeve në nevojë, i cili pritet që edhe në këtë vit të realizohet, kanë kontribuar shumë donatorë dhe se ata kanë qenë të njoftuar në detaje për problemet e Mitrovicës.
Kryetari Bahtiri, në emër të komunës së Mitrovicës dhe në emrin e tij personal, falënderoj edhe një herë organizatën në fjalë për ndihmë familjeve skamnore që po ju bëhet në vazhdimësi qytetarëve të Mitrovicës.