Shoqatat e dala nga lufta, përfshirë veteranët, familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës kanë paralajmëruar një protestë për të hënën në ora 11:00 para Kuvendit të Kosovës, pikërisht në kohën kur pritet të fillojë seanca që do të shqyrtojë projektligjin për rritjen e pagës minimale, por që lë jashtë rritjes së beneficioneve për këto kategori. Ata i kanë kërkuar krerëve të shtetit që të respektojnë obligimet ligjore e morale që kanë ndaj veteranëve të luftës dhe të mos shtyhen se kush shkon më shpejtë të vizitojë krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë. Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të OVL e UÇK-së, deklaroi në një konferencë për media, se Qeveria nuk po tregohet bashkëpunuese me organizatat e dala. “Ne si organizata të dala nga lufta duke e pa që Qeveria e Kosovës përmes Kuvendit po tenton ta ndryshojë ligjin, për këto kategori veteranet e luftës se UÇK-së, ligj i cili i lidh veteranet e luftës me pagën minimale dhe duke e pa qe ata kanë ftuar një seancë për ta ndryshuar ketë ligj ne leximin e parë atëherë në orën 11:00 kemi vendosur të dalim në protestë dhe i ftojmë veteranet e luftës, invalidët, familjet e dëshmoreve por edhe qytetarët në përgjithësi të dalin, për shkak se këtu po bëhet një diskriminim ndaj kategorive të dala nga lufta, theksoi Klinaku.
