Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, degët e Dukagjinit: Deçan, Pejë, Gjakovë dhe Istog, kanë reaguar rreth debatit që po bëhet për numrin e veteranëve të UÇK-së. “Kemi përcjell me shqetësim debatin që po ndodh rreth luftës çlirimtare dhe tendencës për degradimin e saj nga faktorë të ndryshëm, të cilët si duket po veprojnë më të sinkronizuar se kurrë më parë. Sa i përket debatit rreth luftës në Dukagjin, ne duhet të rikujtojmë opinionin për faktet në vijim: Lufta në Dukagjin nisi më 24 mars 1998, që i bie një vit para bombardimeve të NATO-s dhe pas intensifikimit të saj, që nga prilli 1998 nuk ka asnjë ditë në të cilën nuk ka rënë të paktën një dëshmorë. Janë 920 dëshmorë, që ranë në ZO të Dukagjinit, e një e treta e tyre pikërisht si pjesëtar të shtabeve lokale që u themeluan pothuajse në të gjitha vendbanimet në komunat e Dukagjinit. Rreth 1650 luftëtarë, mbetën të plagosur në frontet e luftës. Vlen të përmendet se vetëm fshati Gllogjan dha 27 dëshmorë”, është thënë në reagimin e shoqatave të luftës së UÇK-së, të degëve të Dukagjinit.
Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, degët e Dukagjinit, vlerësojnë se të gjitha këto fakte, mbështesin argumentin e ashpërsisë së luftës që u zhvillua në Dukagjin. “Nëse dikush mendon se tërë këtë luftë e bën një grusht njerëzish, atëherë gabohet, sepse mobilizimi i cili arriti kulmin në qershor të vitit 1998, grumbulloi dhjetëra mijëra luftëtarë me armë në dorë të cilat siguroheshin me vështirësi në rrugën e gjatë nëpër Bjeshkët e Nemuna. Si përfundim, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së në Dukagjin, kërkojnë ndaljen e kësaj tendence të rrezikshme kundër luftës çlirimtare dhe janë në përkrahje të plotë të deklaratave të Komandantit të ZO të Dukagjinit Ramush Haradinaj në dobi të këtij debati, për numrin e veteranëve dhe të gjitha çështjet e tjera të ngritura”, është thënë në reagimin e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, degët e Dukagjinit.