Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti iu ka përgjigjur diplomatit amerikan, Edward Joseph, i cili kishte thënë se Ushingtoni zyrtar i ka vendosur pesë kushte Vetëvendosjes nëse dëshiron të bashkëpunojë në të ardhmen. Në letrën e Ahmetit që përmban pesë përgjigje thuhet se ky nuk është qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ju falënderojmë shumë për letrën dhe këshillën tuaj. Kryem një vizitë shumë të mirë në Shtetet e Bashkuara, në të cilën na u dha rasti të paraqesim pikëpamjet dhe programin tonë ndaj mërgatës, universiteteve, anëtarëve të senatit dhe të kongresit, Departamentit të Shtetit edhe të tjerëve. Debati SAIS ishte një forum shumë interesant dhe i dobishëm për të vënë në sprovë idetë tona. Ne shpresojmë se me siguri debati do të postohet i gjithi online, në mënyrë që sa më shumë njerëz të kenë mundësi ta shohin.
Si lëvizje, ne jemi të hapur ndaj komenteve, kritikave dhe pyetjeve. Ne besojmë se çdo debat në të cilin marrim pjesë na ndihmon që ta forcojmë programin tonë, konceptet tona dhe lëvizjen tonë në përgjithësi. Më parë në disa raste na kanë ngjitur lloj-lloj etiketash, por rrallë ndodh që të hasim në kritikë që synon të përgjigjet ndaj argumenteve tanë.
I kemi mbajtur shënim dhe i kemi analizuar me kujdesin e duhur pesë pikat tuaja, të cilat pak a shumë i argumentuat në debatin SAIS. Në këtë shënim unë jam përpjekur të përmbledh edhe argumentet që ne ngritëm gjatë atij debati. Mbetem me shpresë që ky shpjegim sqaron se pse disa nga premisat që ju shtroni, janë të papranueshme për ne.
Sa për t’ju informuar, shënimi juaj është paraqitur në disa prej mediave vendore të Kosovës (të afërta me qeverinë), si qëndrim zyrtar i qeverisë së SHBA-ve, gjë që nuk do të mund ta thoshin as nëse do të shprehej vetë ndonjë anëtar i qeverisë.
1. Ju thoni “Fjala mund të jetë e lirë; por pozicionimet kanë koston e tyre”
Politika konsiston pikërisht në marrjen e pozicioneve që kanë kosto. Pa kosto, nuk do të kishte ndryshim. Dhe ajo që ne kërkojmë, është ndryshimi. Ne jemi të gatshëm t’i bartim këto kosto, në mënyrë që populli i Kosovës të mund të jetojë një jetë më të mirë. Mund të sjellim ndërmend shumë prej atyre që përpara nesh morën pozicione që kanë patur kosto të lartë, duke përfshirë edhe jetën e tyre, por kjo është një nga arsyet pse sot gjendemi këtu ku jemi. Jam i sigurt që as SHBA nuk do të ishin aty ku janë sot po të mos qe për politikanët që nuk kanë hezituar të marrin pozicione në mënyrë që të përparonte vetë jeta e amerikanëve.
Në debat ne kemi përmendur se Serbia dhe Kosova janë dy shtete anormale; Serbia për arsyen se nuk është ballafaquar me të shkuarën e saj; dhe Kosova për shkak të pavarësisë së saj të kufizuar. S ‘mund të mos e pohoj sërish se paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në rajon bëhet i mundur vetëm kur bazohet në parime universale, si drejtësia, reciprociteti dhe barazia. Kjo është arsyeja se pse edhe Serbia edhe Kosova duhet të ndryshojnë, edhe pse në mënyra deri diku të ndryshme.
Parë nga Uashingtoni kjo ndoshta duket jokonsekuente, kur flasim për të kaluarën shoviniste dhe gjysmë-fashiste të Serbisë si dhe për dështimin e saj për t’u ballafaquar me të shkuarën dhe për të ndryshuar, ama është me interes jetik për Kosovën, si fqinj i saj, që ky ndryshim të ndodhë.
Për më tepër, është përgjegjësia jonë dhe e çdo aktori ndërkombëtar të interesuar në mbrothtësinë e këtij rajoni, ta lehtësojë këtë proces në çdo rrugë të mundshme. Si pasojë, mendoj se është e logjikshme të thuash se përpjekja për t’i fshehur këto çështje nën qilim, duke barasvlerësuar dhe duke e shpërndarë fajin për atë që ndodhi në Ballkan në fund të shekullit të shtuar, si dhe të mos qenit në gjendje të fajësosh ata që qartësisht ishin përgjegjës (të cilitdo krah qofshin), është një recetë e sigurt që ajo e shkuar e tmerrshme të na përsëritet.
Për më tepër, ndërkohë që është e vërtetë se të gjitha shtetet e rajonit duhet të përballen me fakte të rënda, duke qenë se urrejtja etnike, krimi i organizuar dhe korrupsioni janë fenomene të kudondodhura në këtë rajon, është po ashtu e vërtetë se Kosova nuk përbën ndonjë rast ekstrem në këtë drejtim. Për të mos e zgjatur shumë, mjafton të kujtojmë se në Serbi prej krimit të organizuar ka humbur jetën një kryeministër. Për këtë arsye s’na mbetet veçse të mos e pranojmë insinuatën që ju keni bërë në letrën tuaj.
Për më shumë, ndërkohë që të gjithë ne duhet t’i dënojmë të gjitha llojet e krimeve (përfshi dhe krimet e luftës) që janë kryer në Ballkan, nga kushdo qoftë, nuk mund të mos theksoj se kemi të bëjmë me fenomene të pabashkëmatshme. Nuk mund të ndërtojmë të ardhme duke u nisur prej faktit të rrejshëm se qenkemi të gjithë njësoj fajtorë për atë që ka ndodhur në të shkuarën. Këtë lloj barasvlerësie nuk e mbështesin faktet. Qeveria e Serbisë është angazhuar në një ndërmarrje kolektive qeveritare për të spastruar etnikisht në mënyrë sistematike prej Kosovës të gjithë shqiptarët. Kemi mijëra dëshmi që e provojnë këtë, dhe kemi mijëra viktima që nuk na lënë të harrojmë.
Siç kemi thënë edhe në debat, kjo nuk i justifikon krimet individuale të kryera prej shqiptarëve ndaj serbëve, dhe marrim përgjegjësi të plotë për këtë, po ky fakt nuk do të duhej të çonte në barasvlerësimin e aktivitetit kriminal të Qeverisë Serbe me përpjekjet çlirimtare të popullit të Kosovës. Shumë gjermanë humbën jetën në duart e popujve evropianë të sapoçliruar pas vitit 1945, por askush nuk mund të vërë shenjën e barazisë mes këtyre krimeve dhe mizorive naziste kryq e tërthor Evropës.
Kështu që, diskutimi nga ana e gjithsecilit mbi atë që po ndodh në Serbi, në Kosovë, apo kudo në rajon, në vend që të konsiderohet si teprim, duhet të jetë një detyrë për të gjithë ne.
2. Ju thoni “Sado të bindur qofshi për vlerën që ka bashkimi me Shqipërinë, jeni duke u ekspozuar ndaj një turpërimi politik të mundshëm”
Është shumë me interes të vëmë re se në 1998, Robert Gelbard, në atë kohë i dërguar special i Clintonit në Ballkan, ndërkohë që dëshmonte para kongresit të SHBA, pohonte prerazi se Shtetet e Bashkuara nuk e mbështesin pavarësinë e Kosovës. Ai tha se mbështetja që dëshiron të ofrojë SHBA, në pikën më maksimale, është që Kosova të gëzojë një autonomi substanciale në Serbinë. Në shumicën e takimeve politikanët që kërkonin pavarësinë e Kosovës janë konsideruar si të papërgjegjshëm, si jorealistë, sa i përket kërkesave të tyre për pavarësi.
E gjithsesi, 15 vjet më vonë, ja ku jemi. Kosova ka deklaruar pavarësinë, edhe pse jo me sovranitet të plotë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Arsyeja kryesore për këtë gjendet tek këmbëngulja e popullit të Kosovës për pavarësi. Nuk mundemi dhe nuk duhet që ne të injorojmë vullnetin dhe dëshirën e shumicës së popullit. Roli jonë si politikanë është që të jemi zëri i popullit ë Kosovës. Qëndrimi ynë është që populli i Kosovës dhe i Shqipërisë të gëzojnë të drejtën që të vendosin, nëse duan, që të bashkohen. Kjo e drejtë do të përdorej në një mënyrë paqësore e demokratike, si një e drejtë që e ka çdo vend demokratik dhe i pavarur. Ne besojmë fuqimisht se është në interesin e Kosovës, Ballkanit dhe Shteteve të Bashkuara që ky bashkim të ndodhë. Natyrisht që do të bëjmë ç ‘është e mundur që të bindim gjithë aleatët tanë për këta interesa. Korrupsioni, procesi i korruptuar i privatizimit, gjysma e vendit që jeton në varfëri, gjysma e popullit që është e papunë, këto e dëmtojnë kredibilitetin e Kosovës shumë më shumë se sa dëshira e popullit për bashkim. Ama ju nuk keni përmendur asnjërën prej tyre në shënimin tuaj, qoftë edhe një herë. Këto ne i konsiderojmë si fakte turpëruese për Kosovën, por edhe për Shtetet e Bashkuara që janë aleati ynë më i madh.
3. Ju thoni “Boll u ankuat për ‘pavarësinë e kufizuar’ të Kosovës”
Pozicioni “ne ju shpëtuam, pra ne jemi pronarët tuaj” nuk është aspak pozicion amerikan. Nuk është i qeverisjes aktuale, dhe nuk është i asnjë qeverisjeje të SHBA. Duke u bazuar në përvojën time, kur kam banuar e kam punuar në SHBA, mund të them se ky pozicion thjesht nuk është pjesë e frymës amerikane. Liria nuk jepet, liria është një e drejtë. Kur shpëton dikë prej përndjekjes dhe dhunës, mendoj se s’ka padrejtësi më të madhe se sa t’i thuash po atij personi se të ka borxh jetën, dhe se duhet të të dëgjojë gjer në fund. Kjo, përveçse nuk përbën argument, nuk është as udha e drejtë për të zhvilluar Kosovën apo marrëdhëniet SHBA – Kosovë.
Kosova për pavarësinë e saj i detyrohet vullnetit dhe sakrificës së popullit të saj. Sigurisht që pa mbështetjen e SHBA nuk do të ndodhte ndërhyrja e NATO-s në 1999, dhe ndoshta pavarësia nuk do të ishte shpallur në 2008. Por megjithatë çlirimi e pavarësia gjithsesi do të ndodhnin, dhe SHBA me shumë gjasa do t’i mbështesnin ato. Nëse jo nën presidencën Clinton, atëherë nën presidencën Bush, nëse jo nën presidencën Bush atëherë nën presidencën Obama, sepse kjo do të ishte gjëja e drejtë që duhej bërë. Por mbi të gjitha, sepse ky ka qenë vullneti i popullit të Kosovës.
Ju thoni se e vërteta është se asnjë shtet nuk mund të veprojë sipas dëshirës së shumicës së qytetarëve të tij. Për ne, vullneti i asaj shumice që krijohet demokratikisht përbën përkufizimin e vetë demokracisë. Këtë na e kanë mësuar Shtetet e Bashkuara. Konceptin e vetëvendosjes e kemi mësuar nga Ëoodroë Ëilson. Kështu pra, modeli ynë bazohet në atë të demokracive moderne rreth e rrotull globit.
4. Ju thoni “SHBA shqetësohen shumë për kushtet e komunitetit serb në Kosovë. Kështu duhet të shqetësoheni edhe ju
Së pari, ne s’folëm aspak për “zhvillim” institucional. Ne folëm për dallimin mes integrimit institucional dhe integrimit socio-ekonomik. Integrimi institucional (politika për të cilën insistohet aktualisht) konsiston në garancinë që do të ketë dy ministra serbë në qeveri, një komandant policie serb, një gjykatë apeli më vete etj. Ndërsa integrimi socio-ekonomik ka të bëjë me zhvillimin ekonomik dhe social, ku populli integrohet duke punuar së bashku dhe duke gëzuar shërbime cilësore prej qeverisë. Kuptohet që ne mendojmë se integrimi i llojit të dytë është më i rëndësishëm, meqë ai i llojit të parë ka dështuar në mënyrë të mjerë gjatë 14 viteve të fundit.
Së dyti, nëse e pranojmë premisën tuaj sa i përket rëndësisë së zhvillimit institucional, që është gjë e mirë, atëherë duhet të themi se situata aktuale nuk mund të konsiderohet bash zhvillim institucional. Nuk zhvillohen institucionet duke i përçarë etnikisht. Nuk zhvillohen as duke i thënë policëve e gjykatësve se nuk mund të kemi besim tek ta, thjesht pse kanë lindur shqiptarë.
Ne kemi kujdes për gjendjen e serbëve në Kosovë. Po ashtu edhe për romët, turqit, ashkalitë, egjiptasit, shqiptarët dhe gjithë të tjerët, njësoj. Ne nuk i shohim ata thjesht si serbë, po si qytetarë të Kosovës. Edhe ju ashtu do të duhej t’i shihnit.
Ju thoni se shqetësoheni edhe për mënyrën si trajtohen shqiptarët në Maqedoni, por po shohim se negociata zhvillohen vetëm për serbët në Kosovë. Shqiptarët në të gjitha vendet fqinjë nuk respektohen, të drejtat e tyre vazhdimisht dhunohen, dhe shumë prej tyre po braktisin shtëpitë (ju dërgoj statistikat nëse jeni i interesuar).
Nëse vërtet mendoni se marrëveshja e 19 prillit është zgjidhje e mirë, atëherë ju lutemi ta ngrini këtë marrëveshje në nivel parimor dhe ta propozoni si zgjidhje edhe në vendet e tjera.
Gjakderdhja shekullore mes serbëve dhe shqiptarëve nuk ka ndodhur për shkak të dallimeve etnike de kulturore mes dy palëve. Ajo ka ndodhur si pasojë e aspiratave hegjemonike të Serbisë për të kontrolluar e për të dominuar Ballkanin përkundër vullnetit të popujve të tjerë. Ky ka qenë gjithashtu një nga konkluzionet e Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi.
E përsërisim, burimi i krizës nuk qëndron tek pozita e minoriteteve në Kosovë, por tek pozita dhe aspiratat e qeverisë së Serbisë. Qeveria jonë nuk po bisedon me serbët e Kosovës mbi “ankthin e tyre legjitim”; por po bisedon me Daçiqin (ish-zëdhënësin e Milosheviqit) dhe Serbinë, duke futur në ankth gjithë rajonin.
5. Ju thoni “Boll me kundërshtime ndaj marrëveshjes së 19 prillit; nisni të kërkoni mënyra që të siguroheni se do të zbatohet ashtu siç duhet”
E si mund të dëshirojmë zbatimin e një marrëveshjeje të cilën mendojmë se është e ligë dhe e dëmshme për Kosovën? Kjo do të ishte jo-logjike dhe sigurisht e pandershme. Në njëfarë mënyre ju nënkuptoni se lëshimet që ne bëjmë do të na sjellin më shumë njohje. Sipas jush Sllovakia, Qipro, Greqia, Rusia, Kina etj. nuk na kanë njohur, kështu që duhet të bëjmë lëshime të tjera ndaj Serbisë, të dorëzojmë sovranitetin tonë në mënyrë që të marrim më shumë njohje. Por kjo gjithsesi është paradoksale. Edhe po të vinin gjithë njohjet që ju nënkuptoni, nuk do të kishte mbetur më shtet e as sovranitet për t’u njohur.
Ju gjithashtu nënkuptoni se ne duhet ta themi publikisht se Serbia na ka njohur tashmë, me shpresën që kështu do të mashtrojmë ndonjë prej vendeve që nuk na kanë njohur e do t’i bëjmë të mendojnë se në fakt Serbia na ka njohur, e pastaj edhe ata të na njohin. Nuk jam i sigurt nëse kjo funksionon. Qëllimi ynë nuk është t’ia lehtësojmë punën kundërshtarëve tanë, por të rrisim presionin ndaj Serbisë dhe ndaj vendeve të tjera, gjersa të vijë njohja normale.
Dhe fare në fund, z. Joseph, Kosova ka nevojë të jetë një shtet normal, me fqinjë normalë. Kushtëzimet e vazhdueshme që i imponohen Kosovës i kanë përkeqësuar jetët e qytetarëve të saj, dhe vetë vendin e kanë bërë jo-normal.
Por për ju e për shumë ndërkombëtarë të tjerë, ne jemi veç njerëz anormalë që jetojmë në një vend anormal. Sipas jush, ne duhet ta pranojmë këtë gjë. Por nëse ne pranojmë gjithçka që ju thoni në shënimin tuaj, atëherë nuk do të ishim ndonjë zë i dallueshëm. Do të ishim pjesë e qeverisë së Thaçit, dhe nuk do të kishte nevojë as që ta shkruanit këtë shënim. Kosova do të vazhdonte të jetonte në një situatë të korruptuar, jo-sovrane, anormale, ku popujt janë të pabarabartë.
Gjithsesi shpresat dhe ëndrrat tona për vendin tonë janë ca më të larta. Ne nuk e pranojmë pabarazinë dhe anormalitetin. Nëse nuk filloni ta shihni vendin tonë si vend normal, të barabartë me çdo vend tjetër, atëherë nuk do të mbërrini ta kuptoni argumentin e Lëvizjes Vetëvendosje!.