Shpresa Bajraktari: Kjo teori e vjetër, që po serviret sot, se Kosova është komb tjetër, është absolutisht tradhtare

Është e vërtetë që ju dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm indinjoheni dhe e hidhni me neveri teorinë se Kosova është “komb”, e cila nuk është e re, por del nga sirtarët e mykur të antishqiptarëve dhe tradhtarëve.
Kjo teori e vjetër, që po serviret sot, se Kosova është komb tjetër, është absolutisht tradhtare.
Kjo është në interesin e antishqiptarëve, si dhe fuqive të mëdha ndërkombëtare, të cilët ishin ata që e ndanë; si dhe ishin po këta që e kishin në dorë që Kosova, pas lufte, të bashkohej me Nënën Shqipëri, pjesë e së cilës ajo është.
Por ata nuk e lejuan këtë veprim jetik për shqiptarët.
Paketa e Ahtisarit për të mos pasur bashkim me Shqipërinë tregon hileqësinë dhe ligësinë e tyre për ta mbajtur kombin shqiptar të përçarë.
Por natyrisht, jo vetëm atyre u pëlqen kjo gjendje; kjo u pëlqen dhe liderëve tanë, që nuk luftojnë për këtë problem jetik, që është i yni dhe na takon të gjithëve neve, shqiptarëve.
Që të jemi të gjithë bashkë brenda një juridiksioni shtetëror, sepse ne nuk u ndamë vetë, por fuqitë e mëdha ndërkombëtare na copëtuan padrejtësisht, pa na pyetur fare.
Veçanërisht në këtë drejtim një rol më të madh duhet të luajnë institucionet shqiptare, që të krijojnë hapësira për të mundësuar bashkimin kombëtar, sepse ne e kemi edhe në Kushtetutë këtë nen që ta bëjmë realitet këtë bashkim.
Por si duket, edhe këtyre nuk u intereson, sepse me këtë bashkim u shkelin në kallo antishqiptarëve, që e kanë lënë dhe vazhdojnë ta lënë në heshtje këtë çështje.
Duan apo nuk duan ata, për të cilët fola më lart, bashkimi kombëtar do të bëhet.
Çështja kombëtare nuk është më një problem që shtrohet për zgjidhje, por ka ardhur koha, bile ka kaluar, që duhet zgjidhur me patjetër.
Ky është një ligj i domosdoshëm, që e kërkon koha.
Këtë zgjidhje dhe zgjedhje e kërkojnë shqiptarët e ndershëm dhe do ta realizojnë pa diskutim.
Tezat e tjera, që i kundërvihen kësaj të vërtete absolute dhe që duan ta quajnë Kosovën komb më vete, duhen hedhur poshtë me neveri si tradhti kombëtare!

Shpresa Bajraktari

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …