Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka reaguar pas publikimit të komunikimeve të brendshme të Kryesisë Qendrore të LDK-së, ku anëtarët Kujtim Shala dhe Arben Gashi diskutonin për dyshimet për vjedhje të votave dhe manipulim të procesit zgjedhor. Gashi këmbëngulte që kjo ishte një “skemë kriminale”, duke akuzuar bashkëpartiakët e tij për orkestrimin e manipulimit të votave. Mehmeti-Selimi ka shpërndarë screenshot-at e komunikimeve të publikuara dhe ka kërkuar dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe nënkryetares Doarsa Kica-Xhelili. Ajo ka theksuar se dyshimet për vjedhjen dhe manipulimin e votave të mërgatës janë një goditje e rëndë për demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve. Si për habi Lumiri dhe Doarsa (projektuesit e manipulimit) po heshtin për këto akuza… Për këta dy, dorëheqja dhe vetëdorzimi në polici është e pakta që duhet bërë. Institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë menjëherë për të hetuar këto pretendime dhe për të ndëshkuar fajtorët.
