Shqipe Saramati: Në vend të një fotografie që nuk e pata kurrë!

Shqipja, vajza e Dëshmorit të kombit Gani Saramati uron Babin Dëshmor,  per Ditëlindje. Ajo me këtë rast ka shkruar: I dashuri, Baba !

E bëra zemrën gur dhe me mallin më të madh du të të shkruaj, të të tregoj sa të dua, sa jam rritur. Dita kur më le ishte ditë me shi,…, atëkohë s’dija të derdhja lot, andaj qielli qau për mua. Acar , dëborë në mua mbretëroi, ndonëse ishte kohë pranvere. Një muaj isha kur më le, këtë e di dhe Ti e unë se di sa vjeç isha, por nëna më tregoi. Ajo shpesh më flet shumë për Ty. E di baba, shpesh më merr malli të dëgjoj ndonjë fjalë nga Ty, ta di ç’zë kishe, ta shikoj buzëqeshjen Tënde, por kot. Jeta qenka i vetmi libër që s’mund t’ia kthesh fletët prapa! Më le vetëm, por s’dua të jem robëreshë e vetmisë, prandaj shpesh qesh,…, qesh të të sjell ty pranë sepse më thonë që buzëqeshja ime i ngjan tëndes. Më bëhet qejfi kur më flasin për Ty, kur më tregojnë sa më doje, si më ngritje lartë dhe më përqafoje !

Ah ajo përkëdhelje do të doja të ishte nga dora e tim eti sepse nuk i mbaj dot në mend ledhatimet atërore!…

Sa keq!… Mua s’më kujtohet as edhe një qik, andaj qaj për ditët e lumtura që u venitën në harresë dhe qesh kur më rrahin krahët dhe të lavdërojnë Ty. Vërtetë të falem që më le pas veprën tënde të mirë ! Me të krenohem, ndjehem e fortë andaj askush s’më nget, s’më ulë poshtë. Por, lotin e kam shok në çdo ditë të rëndësishme për mua…

Po ti o lot më shkarravite fjalët që po shkruaj në letër, të cilën dua ta adresoj në dyert e parajsës, te Ai që më la me lot në sy, te Ai që la një vend të zbrazët në truezë, te Ai që më dha një emër tjetër- emrin jetim.

-Është mirë të vijmë në këtë jetë duke qarë, dhe të tjerët të qeshin, e pastaj ne të vdesim duke qeshur dhe t’i lëmë të tjerët të qajnë për ne . Kjo është filozofia dhe realiteti bashkë. Qajmë për njeriun e zemrës që na la në vetmi…

Urime ditëlindjen heroi im, ushtari im, krenaria dhe mburrja ime…

Më mungon edhe do të më mungosh derisa t’i mbylli sytë.

Faleminderit për dhuratën më të bukur historin tënde dhe epitetin e bijë e Dëshmorit.

Mijëra përqafime, nga larg të dërgoj…

E vogla jotë e luftës !

 

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Me VLEN-in në Qeveri, po rrënohen të arriturave më të rëndësishme të shqiptarëve për dy dekada, që nga lufta e fitorja e vitit 2001

Paralajmërimet publike për deshqiptarizimin e shtetit po realizohen në praktikë nga kjo qeveri monoetnike në …