leoni

SHQIPËRIA FAKTOR, SERBIA AKTOR NË ZGJIDHJEN E PROBLEMIT TË KOSOVËS!

 


Derisa, Shqipëria dëshiron të ruaj paqen në Ballkan, ajo madje interesohet të ketë paqe edhe në Afganistan dhe Irak, asaj po i kërcënohet paqja e kombit të vete dhe trojet e saj etnike po i copëtohen dita-ditës edhe me shumë.
Derisa, Shqipëria dëshiron që së bashku me tërë Ballkanin perëndimor të integrohet në Bashkësinë Evropiane, qeveria e saj “demokratike”, ka harruar tërësisht se mbi gjysma e Shqipërisë jeton ende nën okupimin e pushtuesve sllavo-grekë. Derisa, Shqipëria dëshiron të jetë faktor në zgjidhjen e problemit të Kosovës, Serbia është bërë aktore!Qeveria e Shqipërisë, me këtë politikë që e ndoqi deri tani, dështoi në të gjitha fushat kombëtare!
Shkruan:Blerim Namani
“Kosova po jep prova se në emër të interesave dhe të së ardhmes evropiane është e gatshme të harrojë plagët e së kaluarës, me bindjen e përgjithshme për zbatimin e standardeve demokratike në respektimin dhe integrimin e pakicave kombëtare” deklaroi presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu,gjatë vizitës në Sofje! Duke shtuar se shqiptarët nuk e shohin ardhmërinë e tyre tek Shqipëria e Madhe por, tek integrimi i tyre në Bashkimin Evropian me gjithë rajonin!
Është trishtues fakti kur presidenti i Shqipërisë e quan Shqipërinë e Ribashkuar, Shqipëria e Madhe! Shqipëria e Ribashkuar nuk është as e madhe e as e vogël, por është krejtësisht natyrore, është një Shqipëri reale, me popullin e saj autokton në trevat e veta etnike. I mjerueshëm është fakti gjithashtu, kur mua më duhet t´ia tregoj “gjenezën”, presidentit të Shqipërisë se nga rrjedh termi “Shqipëria e Madhe!” Termi, “Shqipëria e Madhe”, është sllogan dezinformativ i kulluar, serbët, duke dashur t´i realizojnë planet e veta pushtuese mbi trevat shqiptare por, edhe ato boshnjake, kroate e të tjera… dhe të formimit të Serbisë së madhe ua hedhin “fajin” shqiptarëve, gjoja se ata dëshirojnë ta bëjnë një Shqipëri të Madhe!
Z. Moisiu ka harruar (sigurisht nga pleqëria) se populli i Kosovës nuk i ka harruar dhe nuk do t´i harron kurrë plagët e së kaluarës dhe të së djeshmes të cilat na lëndojnë sikur të kenë ndodhur sot! Do të dëshiroja të pyes tani, z.Moisiun: si harrohen kaq shpejt plagët e marra nga bishat çetnike, si mund të harrohen masakrat dhe gjithë ajo që ndodhi në Kosovë nga armiku shekullor?!
“Shqipëria e sheh veten jo si aktor, por faktor që mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemit të Kosovës”- tha ndër të tjera presidenti Moisiu, gjatë ligjëratës se tij ne Institutin Diplomatik të Sofjes, duke shtuar se edhe kryeqytetet tjera te rajonit mund të bëjnë atë. Është për t´u çuditur fakti se presidenti shqiptar e krahason rolin dhe gjendjen e Shqipërisë me atë të shteteve fqinje kur është në rend dite zgjidhja e çështjes së Kosovës. Dhe, e harron faktin se Beogradi është bërë aktor direkt në “zgjidhjen” e problemit të Kosovës. Kjo, i është mundësuar ta bëjë më lehtë të pazgjidhur çështjen , tani kur shqiptarët lejuan të bëjnë negociata me serbët okupatorë.
Është me rëndësi për t´u cekur se: z. Moisiu thotë se “statusin e Kosovës e vendosin qytetarët e saj”, kurse, në të njëjtën kohë shprehet se : “Tirana zyrtare e inkurajon dialogun e nisur midis Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësim ndërkombëtar”! Nga vet deklarata e tij, z.Moisiu bie në kundërshtim me fjalët e veta, sepse po qe se qytetaret e Kosovës do të vendosnin vet për fatin e vet dhe statusin e Kosovës, nuk do të bëheshin fare negociatat me Beogradin, të cilat ai i përkrah! Mjerim politik, apo jo?!
“Shqipëria e përkrahë përcaktimin e Bashkimit Evropian dhe qëndrimet e Grupit të Kontaktit që formula bazë për zgjidhjen e problemit të Kosovës të jetë ajo e tri , ”JO”-ve:
JO, kthim në vitin 1999!
JO, ndarjes së Kosovës!
JO, bashkimit të Kosovës me shtetet tjera rreth saj!… “Kjo formulë përmban edhe përgjigjen direkte, për ata që shprehin frikën e ndryshimit të kufijve” -është shprehur Moisiu. Shtrohet pyetja se ku jeton z.Moisiu?!
Pyes kështu, sepse çdo shqiptar, sot e kupton qartë se: negociatat po çojnë kah ndarja e Kosovës dhe këto bisedime po realizohen sipas planit dinak, i cili u përdorë nga diplomacia botërore edhe në Bosnjë, nëpërmes krijimit të komunave serbe dhe duke i lidhur ato në mes veti, duke formuar kështu një entitet serb në Kosovë! Pra, negociatat do të na kthejnë në vitin 1999, prandaj, pasojat e paparashikuara si ato të marsit 2004,mund të ngjajnë përsëri! Pra, ekziston rreziku se mund të ketë gjakderdhje edhe më të mëdha se në vitet 1999 e 2004! Nëse ndodhë diçka e tillë, pa dyshim barrën e përgjegjsisë (së paku morale) do ta ketë edhe qeveria e Shqipërisë londoneze dhe presidenti i shtetit shqiptar, z Moisiu i cili në vend se ta ngritë zërin e arsyes fuqishëm e të mbrojë trevat shqiptare, ai e luan rolin e suflerit, vetëm dëgjon e shikon: çka po thonë ndërkombëtarët, si ata po veprojnë (kundër interesave tona kobëtare) dhe pastaj vepron njësojë si: aleatët e serbëve, UMNIK-asit, kolonizatorët e ri që po e varfërojnë Kosovën, të cilët tani janë maskuar me maska “demokratike” se gjoja kanë ardhur në Kosovë për të mbrojtur popullin e Kosovës dhe për ta çliruar popullin tonë nga Serbia.
Këta kinse përpiqen për ta krijuar një ”shtet kosovar” multietnik,në fakt veçse e pengojnë krijimin e shtetit sovran të Kosovës. Këtyre zotërinjve u vijnë përkrahë politikanët servilë të Kosovës, të cilët po e manipulojnë si mos më keq popullin e Kosovës. Në fakt këta politikanë mjeranë, janë bërë “pushtues” të stilit të sistemit monarkist (mbretëror), sepse vetëm po i ndihmojnë planet e ideve serbe për ndarjen e Kosovë, por kjo tani shumë zor të kuptohet nga populli ynë, sepse po punohet shumë nën rrogoz! Ata, me negociatat me Serbinë, po pranojnë në heshtje, që t´i dhurojnë Serbisë shumë komuna të pavarura dhe të dirigjuara e të kontrolluara nga Serbia, në këtë mënyrë të ndahet Kosova dhe të mbetet njëherë e përgjithmonë me kokën e shtypur nga kjo. Me deklaratat e tyre përballë faktorëve ndërkombëtarë, këta politikanë “largpamës”, po e pengojnë fort ribashkimin tonë kombëtar.
Por, tani shqiptarët çdo ditë e më fort po kthjellohen, ata po e kuptojnë se UNMIK-u, qenka një ardhacak mashtrues me ide, pro-serbe dhe kundër-demokratike. Shqiptarët nuk do të heqin dorë kurrë, nga e drejta e tyre për VETËVENDOSJE, nga e drejta e tyre që të jetojnë së bashku në një Shqipëri të Ribashkuar!
Qeveritarët e Shqipërisë duhet ta kuptojnë se e kanë obligim moral dhe kombëtar, por edhe institucional, pra, për këtë obligon Kushtetuta e Shqipërisë, ata pa rezerva t´i mbrojnë interesat tona kombëtare!
Ata, me guxim kërkohet ta ngrisin zërin e arsyes pra, të deklarohen hapur se: Kosova dhe trevat tjera të okupuara nga ish-Jugosllavia, por edhe Çamëria e okupuar nga Greqia, janë treva shqiptare, t´i mbrojnë interesat e viseve shqiptare jashtë kufijve të saj, të kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare të drejtën për VETËVENDOSJE të kombit shqiptar dhe të kërkojnë që trevat shqiptare t´i ribashkohen Shqipërisë, me organizimin e një REFERENDUMI gjithëkombëtar.
Z. Moisiu, duhet të kuptoj se vetëm pasi që Shqipëria të ribashkohet mund të bisedohet për integrimin e Shqipërisë dhe rajonit në Bashkësinë Evropiane, sepse logjika as drejtësia nuk qëndron aty: që të ketë bashkim evropian e në të njejtën kohë të ketë kufi në mes të shqiptarëve, në trevat e tyre etnike, si dhe në të njejtën kohë te copëtohen egërsisht trevat shqiptare për t´i kënaqur egoizmat okupuese sllave.
Shqipëria londineze, nuk duhet të qëndrojë indiferent ndaj problemit tonë të pazgjidhur kombëtar pjesë e pashkëputur e të cilit është edhe Kosova heroike!
Shqipëria londineze, do të duhej të ishte aktore e fuqishme e jo spektatore në dramën e madhe të zgjidhjes së problemit të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare; do të duhej kurdoherë t´u dilte zot (pa harruar të theksoj se këtë e ka bërë pjesërisht). Me këtë shkrim,dua ta fuqizoj zërin e arsyes dhe të vigjilencës, sepse ne shqiptarët liridashës ende kemi shumë për të bërë deri në realizimin e aspiratave madhore të kombit tonë, për këtë shpresojmë, do ta kemi ndihmën vëllazërore të Shqipërisë sonë Nënëloke.
Holandë, 31 maj 2006

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …