Shqipëria i bënë thirrje Serbisë që të tërheq forcat e armatosura të dërguara pranë kufirit me Kosovën. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë është shumë e shqetësuar për përshkallëzimin e situatës në veri të Republikës së Kosovës dhe dënon fuqimisht aktet vandale të kryera dhe ka bërë thirrje që këta vandalë të sillen para drejtësisë. Shqipëria është veçanërisht e shqetësuar për dërgimin e forcave të armatosura serbe pranë kufirit me Kosovën dhe mjetet fluturuese ushtarake të cilët fluturojnë afër dhe sipër hapësirës ajrore të Kosovës, të cilat nxisin individët të provokojnë trazira dhe dhunë, si dhe synojnë destabilizimin e Kosovës. Këto akte bien ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat kanë për synim të sigurojnë rendin dhe stabilitetin në atë pjesë të rajonit. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat e armatosura të dërguara pranë kufirit me Kosovën dhe të punojë për ç’tensionim të menjëhershëm të situatës. Ne i nxisim të gjithë aktorët të tregohen të përmbajtur dhe të drejtohen menjëherë drejt dialogut. Si një aleat i NATO-s dhe një anëtar i përgjegjshëm i Kombeve të Bashkuara, Shqipëria do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbështetur të gjitha përpjekjet drejt ç’tensionimit të menjëhershëm të situatës dhe kthimit drejt dialogut, thuhet në reagimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë.
Kontrolloni gjithashtu
Lutfi Haziri akuzon qeverinë për keqpërdorim të aseteve të shtetit për fushatë
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka akuzuar Qeverisë së Albin Kurtit për keqpërdorim të aseteve shtetërore …