Kryetarja e komisionit Parlamentar të ligjeve dhe anëtare në Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, Klotilda Bushka ka deklaruar se që prej gushtit të vitit të kaluar Shqipëria i ka kërkuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të rishikojë rezolutën 1782 të vitit 2011 të ish-senatorit zviceran Dick Marty. Qëllimi është shpallja si të pabazuara dhe rrëzimi i akuzave për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Për këtë, Tirana zyrtare ka arritur të mbledhë firmat e nevojshme në Asamblenë e Këshillit të Evropës, me qëllim hartimin e një raporti vijues dhe një rezolute të re. Është një betejë, është shumë e vështirë sepse do të duhet të ketë votime të caktuara të cilat do të kërkojnë përpjekje shumë të madhe nga ana jonë për të pasur mbështetje. Janë procese që marrin kohën e tyre, nuk do të jetë një rrugë e lehtë as një rrugë e shkurtër”, u shpreh ajo. Raporti i Dick Martit në vitin 2011 shërbeu si bazë për ngritjen e Gjykatës së Posaçme, në Hagë, që do të hetonte krime të kryera gjatë luftës në Kosovë. Në raport flitet për trafik organesh të personave të burgosur nga UÇK-ja, të kryera në territorin e Shqipërisë. Kjo akuzë, e paprovuar është kundërshtuar disa here nga qeveria shqiptare. Çështja e trafikut të organeve nuk është përfshirë si akuzë në asnjë nga proceset që po zhvillohen në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi. (Dita)
