Shqipëria, edhe pse vend anëtar i NATO-s, ka publikuar informacione të ndjeshme mbi funksionarët më të lartë të shërbimit sekret në internet, duke dhënë detaje mbi identitetet, mjetet, rolet operative, dokumentet e udhëtimit dhe sjelljen e përditshme “online”, në atë që duket si një shkelje potencialisht e rrezikshme që mund të ketë edhe pasoja ndërkombëtare.
Të dhëna mbi pagat dhe shpenzimeve, që janë publikuar përmes një tabele “excel”-i në faqen e internetit të Ministrisë së Financave, tregojnë një “lumë”detajesh mbi Shërbimit Informativ Shtetëror, përfshi vendndodhjet e zyrave në terren, tërheqjet e parave “cash”, si dhe detaje të tjera si hidraulikët, teknikët dhe mekanikët që ata shfrytëzojnë.
Nga të dhënat shihen emrat dhe numrat e kartave të identitetit të agjentëve në shërbim, të cilët operojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë, përfshi edhe në dy poste tejet të rëndësishme në selinë e NATO-s në Bruksel. Tabelat e “excel”-it zbulojnë emrat, pozicionet, pagat dhe shpenzimet të të paktën 8 operativëve të lartë shqiptarë, disa prej të cilëve nën mbulimin diplomatik, në Belgjikë, Greqi, Kosovë, Itali, Maqedoni dhe Serbi.