Kryeministri, Edi Rama, ka konfirmuar vendimin e Qeverisë së Shqipërisë për shpalljen e ditës së zisë, në nderim të viktimave të tërmeteve dhe në shenjë solidariteti me Turqinë.
Qeveria Shqiptare ka vendosur që dita e sotme 13 shkurt, të jetë ditë zie kombëtare në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, si edhe në shenjë solidariteti me Turqinë mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë, ka shkruar, Edi Rama. Ai ka theksuar se ulja e flamurit kombëtar në gjysmë shtize dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, “do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shënjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë”. Zyrtarët e lartë të Shqipërisë në reagimet e tyre shprehën solidaritetin me shtetin dhe popullin turk pas tërmeteve shkatërrimtare. Ndërkohë, pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë kanë përcjellë mesazhet e tyre të ngushëllimit zyrtarët e lartë të Shqipërisë. Gjithashtu një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilit janë 73 nga personeli mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit, si dhe disa mjete, u dërguan në Turqi për të marrë pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit.