Shqiptar Oseku: S’KA SIMETRI TË KRIMIT

 


Artikujt e BBC-së për krimet e supozuara të luftës të kryera prej UÇK-së kanë shkaktuar reagime të mbytura dhe konfuze. Reagimet e para kanë qenë prej mohimit e gjer te zemërimi kundër ekipit të përbashkët shqiptar e britanik të gazetarëve në BBC, të cilët madje janë akuzuar se po i shpien ujë në mulli Serbisë. Hashim Thaçit, më në fund, iu kujtua uniforma e dikurshme, e tha se UÇK “është distancuar” nga akte të këtilla “me kohë”. Agim Çeku, ndërkaq, ka shtuar se lufta e UÇK-së ka qenë “e pastër”. Reagime tjera të hapërdara kanë ardhur edhe nga Jakup Krasniqi, Ramush Haradinaj, Xhavit Haliti etj; secili me qëndrimin e vet personal, që shpesh bie ndesh me të shokut; thuajse janë persona privatë e jo përfaqësues të shtetit.
Kështu nuk mbrohet dot trashëgimia e UÇK-së. Ajo që shihet qartë është se zotërinjtë nuk mblidhen dot rreth një linje të përbashkët. Ata ta kujtojnë anekdotën e Tolstoit për muzhikun rus, që u akuzua nga i zoti se i ka vjedhur një rrotë. Jo, unë s’kam vjedhur rrotë. S’e di se për ç’rrotë e ke fjalën. E kam ndëshkuar ashpër tim bir pse vodhi rrotën. Çka është rrota?
Personalisht, më vjen turp për ta. Para së gjithash, për sulmin e papërmbajtur të tyre kundër gazetarëve, që zbulon sërish! – një refleks trazues të krerëve tanë që në çdo situatë krize të godasin mediet. Shihet qartë se ata s’hamenden të qëllojnë lajmëtarin; në fakt, ata parapëlqejnë të qëllojnë së pari, e të shtrojnë pyetje pastaj.
Them se po të kishin shtruar së pari pyetje, ata do të kishin parë lehtësisht që gazetarët që i shkruan këta artikuj, tjerët i akuzojnë si proshqiptarë, meqë balansi i shkrimeve të tyre është 20:1 në favor të shqiptarëve. Gazetari britanik Montgomeri, që e udhëhoqi ekipin e gazetarëve, është ai që shkroi rrëfimet e famshme në BBC për masakrën e Qyshkut ku, siç dihet, u vra edhe i ati i Agim Çekut. Ai është edhe autori i vetëm ndërkombëtar që ka rrëfyer për djegjen e kufomave shqiptare në shkritoret e Trepçës.
Së dyti, më vjen turp për ta, pse dyshoj që kreu i vendit po e shpërdoron këtë situatë për ta mbuluar shpërfilljen e tyre flagrante për shokët e dikurshëm të armëve, për idetë për të cilat ka luftuar UÇK-ja, e për vetë Kosovën. Gjatë tërë këtyre viteve që prej Luftës Çlirimtare, kemi qenë dëshmitarë të një procesi të çuditshëm dualist, ku ata e kanë glorifikuar kujtimin e UÇK-së, ndërsa shokët e vet të dikurshëm i kanë varfëruar e margjinalizuar, kurse vlerat e UÇK-së i kanë dezertuar sistematikisht, përmes korrupsionit politik e ekonomik. Tutje është impenjimi i UÇK-së për të drejta të barabarta pavarësisht prej etnisë e fesë; tutje ëndrra e një shteti unitar për ne të gjithë; tutje shpresa për një regjim të pa korruptuar; për vetëvendosje dhe, në të vërtetë, edhe vetë ëndrra e lirisë.
Në vend të tyre, kemi një shtet etnocentrik të ndarë njësoj, në mos më fort, se në kulmin e pushtetit të Millosheviçit; ku bëhet dallim mes qytetarësh e qytetaresh; ku disa kanë gjithçka e disa bash asgjë; dhe ku liria është anuluar me dekret të Cezarit, që kësaj radhe s’vjen nga Beogradi por nga Brukseli, me mandat kushtetues, që ta burgosë kryetarin, pa motiv e pa afat. S’do mend, pra, pse UÇK-ja, vetëm 10 vjet pas luftës së vet të drejtë e të kushtueshme, në përgjithësi trajtohet në distancë, si fenomen i lavdërueshëm por i pashpjegueshëm dhe nga pak trazues i të kaluarës së largët, ngjashëm me misterin e trinisë së shenjtë në dogmën krishtere. Krerët e saj të dikurshëm thjesht e kanë braktisur atë të pambrojtur lartë diku mbi një piedestal të ftohtë, ku sekush ka mundur ta gjuajë me gur e dru – të na gjuajë neve të gjithëve me gur e dru! Ndoshta ti mendon që kjo s’ më qet në turp mua personalisht, por ja që unë ndjehem i turpëruar, nga mënyra se si janë trajtuar ata që flijuan për luftën. Është përbuzja ndaj tyre që më bën të turpërohem.
E treta, ndjehem thellësisht i turpëruar kur dëgjoj krerët e Kosovës tek gënjejnë sheshit, duke thënë që qenka ky artikull që i paska sjellur nam të zi Kosovës. Kur, në fakt, janë ata vetë që na kanë sjellë namin e zi të gjithëve. Opinioni botëror s’lëvizi nga mbështetja e vet për Bosnjën kur disa krerë të luftës atje u gjykuan në Hagë. Ai s’do të na braktiste as neve sot, sikur krerët kosovarë ta kishin bërë punën e vet. Por ja që s’e kanë bërë. Madje sa u përket krerëve tanë, them se BBC-ja dhe Montgomeri mund të kishin shkruar lehtë edhe 100:1 në favor të Kosovës, e Serbia prapë do të na vinte përposh në opinion. Shkaku është, se krerët kosovarë dhe këto institucione të tyre ia kanë lënë në dorë Hagës që t’i ndjekë e t’i hetojë akuzat e panumërta kundër Serbisë, pa treguar asnjë angazhim vetjak që të nxirret në shesh e vërteta e përshkruar mu në shkrimet e me shokë.
Në të njëjtën kohë, ata ia lanë duart e lira UNMIK-ut paranojak, i cili qysh herët i identifikoi ushtarët e UÇK-së si rrezikun më të madh kundër regjimit të vet neokolonial, që të na shkretonte me drejtësinë e vet të anshme, e cila ka organizuar më se 12 procese të diskutueshme gjyqësore kundër pjesëtarëve të UÇK-së, e zero (0) procese kundër të pandehurve serbë për krime të luftës. Pak kohë më parë, edhe EULEX-i tha haptazi se kishte nisur bashkëpunim zyrtar me prokurorinë serbe (të përmendur ndërkombëtarisht për korrupsion e manipulime politike) me qëllim që të akuzojë e të dënojë edhe ushtarë tjerë të UÇK-së; gjithçka vazhdon, pra, në të njëjtin stil si në kohën e UNMIK-ut, ndërsa krerët heshtin si peshku.
Si pasojë e kësaj, Serbia e pati të lehtë të bëjë stërvitje fushore, duke ushtruar qitje mbi kufomë. Ajo ka bërë shou publik nga çdo rast që i është ofruar për ti fajësuar shqiptarët. Ose, kur ka gjykuar që kjo është e pamundur, për ta ndarë fajin barabar në viktima civile, në refugjatë, në pothuajse çdonjërin nga ato kuantitetet horrible të cilat përdoren nga njerëzit e rëndomtë në rrugë për të dalluar të drejtën nga e padrejta, kriminelin nga viktima.
– Ku ishin krerët e Kosovës gjersa ndodhte gjithë kjo?
– Çfarë po bëjnë ata sot, për ta mbështetur juridikisht të vërtetën mbi Kosovën?
– Si guxojnë ata, si kanë fytyrë, të tregojnë me gisht kah gazetarët?!
Është heshtja dhe indolenca e krerëve, e jo faji i gazetarëve, që na ka sjellë në këtë gjendje absurde: Lufta Çlirimtare la 15.000 shqiptarë të vdekur e më pak se 1000 serbë; nga Kosova kanë ikur 60.000 refugjatë serbë dhe 800.000 refugjatë shqiptarë. Ttribunali i Hagës i ka dënuar krerët e shtetit serb, e i ka liruar udhëheqësit shqiptarë të luftës; kurse imazhi që i ushqehet paprerë opinionit ndërkombëtar flet për një simetri të krimit. Kjo më turpëron më shumë se gjithçka tjetër, pra fakti se atdheu im ende udhëhiqet nga një mënyrë e këtillë kaq e papërgjegjshme. Prandaj, them se neve nuk na e punuan BBC-ja dhe Montgomeri. Them se neve na e punuan udhëheqësit tanë e shokët e tyre. Dhe na e punuan keq, bile!

Kontrolloni gjithashtu

Avdullah Hoti: Dialogu të zhvillohet në Bruksel dhe Uashington dhe jo nëpër skuta e hotele të plazheve siç po dialogon Kurti

Avdullah Hoti: Qeveria Kurti është më e dobëta që nga pavarësia, pa rezultate dhe me degradim për vendin

Ish-kryeministri dhe kandidati për deputet nga LDK, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër qeverisjen e Albin …