leoni

Shtabi i Posaçëm Emergjent për parandalimin e infeksionit COVID-19 në Rahovec, po vazhdon koordinimin e veprimeve sektoriale për zbatimin e masave që janë vendosur

Gjatë ditës, kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, ka mbajtur takim me anëtarët e Shtabit të Posaçëm Emergjent për parandalimin e infeksionit COVID-19, ku është diskutuar për vazhdimin e koordinimit të veprimeve sektoriale për zbatimin e masave që janë vendosur si Komunë, për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19. Bashkëpunimi mes institucioneve padyshim që është duke na ndihmuar në tejkalimin e kësaj sfide, andaj dua ta falënderoj Kryeshefin e KRU-Gjakova, Ismet Ahmeti, për bashkëpunimin dhe ndihmën karshi Komunës së Rahovecit në tejkalimin e kësaj sfide duke bërë të mundshme të bëhet dezinfektimi i të gjitha institucioneve publike, objekteve fetare, po ashtu pritet të fillojë edhe dezinfektimi dhe pastrimi i rrugëve si masë shtesë mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ka thënë kryetari Latifi. Ai ndër të tjera ka shtuar, të nderuar qytetarë të Komunës së Rahovecit, Ju njoftoj se deri më tani në Komunën tonë nuk ka asnjë rast të dyshuar e as të infektuar me COVID-19. QKMF në Rahovec e ka situatën nën kontroll dhe është duke ofruar shërbime shëndetësore për të gjithë pacientët e komunës. Ju bëj thirrje të mos krijohet panik, por të zbatoni në përpikëri këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHP). Pra, ju lus për kufizime të lëvizjes dhe zvogëlim të kontaktit me qytetarë të tjerë, si masa më të mira mbrojtëse. Në një situatë të tillë, po ju lus që t’i respektoni vendimet e marra dhe mos dilni pa ndonjë arsye, qoftë me makina apo edhe në këmbë në qytet dhe fshatra. Komuna e Rahovecit deri më tani ka nxjerrë disa vendime dhe ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e infeksionit nga COVID-19, andaj kërkoj edhe nga ju si qytetarë, që sa më pak t’i frekuentoni rrugët në mënyrë që së bashku ta kalojmë këtë fazë emergjente. Ju njoftoj se kam vizituar ndërmarrjet “M-Sillosi” në Xërxë, “Vetoni” në Rahovec dhe “Burimi” në Çifllak, për t’u informuar me gjendjen reale të kapaciteteve prodhuese në këto ndërmarrje dhe jemi siguruar se ka rezerva të mjaftueshme për të kaluar pandeminë që është shfaqur. Si Kryetar i Komunës së Rahovecit shpreh shqetësimin tim për mungesën e pajisjeve, materialeve dhe furnizimeve të tjera shtesë me barna esenciale për parandalimin e përhapjes së këtij virusi. Kërkoj nga Qeveria, gjegjësisht nga Ministria e Shëndetësisë për furnizim me mjete të nevojshme për punëtorët shëndetësorë, të sigurisë dhe punëtorët e tjerë të institucioneve publike që ta tejkalojmë më lehtë sfidën e madhe që kemi. Qeveria ka për detyrë të na ndihmojë konkretisht me pajisje elementare për të ofruar më shumë siguri dhe kushte sa më të përshtatshme shëndetësore për qytetarët tanë. Të nderuar bashkëqytetarë, Solidarizimi me të tjerët është mesazhi kryesor që këto ditë të vështira na përcjellin, andaj dua t’ju falënderoj të gjithëve për gatishmërinë që keni për të ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë në këto ditë jo të lehta për të gjithë ne.

Në krye të detyrës për shëndetin e të gjithëve!

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …