Shtetasit e Kosovës dhe të Shqipërisë kanë një mbështetje të lartë për lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Shtetasit e Kosovës dhe të Shqipërisë kanë një mbështetje të lartë për lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Kompania e njohur ndërkombëtare e sondazheve, Gallup, ka publikuar sondazhin e fundit “Vlerësimi i Liderëve Botërorë, SHBA kundrejt Gjermanisë, Kinës dhe Rusisë”. Kosova është shteti që ka mbështetjen më të lartë në Europë ndaj lidershipit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 83% e të anketuarve në Kosovë janë pro, ndërsa 6% nuk e mbështesin dhe 10% të tjerë kanë refuzuar të përgjigjen. Në vend të dytë është Polonia, me 73% mbështetje, 16% kundër dhe 21% që refuzojnë të japin opinion. Shqipëria renditet në vend të tretë. 63% e të anketuarve janë shprehur pro lidershipit të SHBA-së dhe 16% janë kundër. Niveli i refuzimit është i lartë, në 21%. Ndonëse Kosova dhe Shqipëria janë dy shtetet me mbështetjen e parë dhe të tretë më të lartë, ajo ka rënë në raport me sondazhet e mëparshme, me 6 pikë përqindje për secilin. E njëjta tendencë ishte dhe për Poloninë (-7). Mbështetja globale për lidershipin e SHBA-së ishte 41%. Në krahasim me rajonin, Kosova dhe Shqipëria kanë një vlerësim shumë më të lartë për politikat e SHBA-së. Në rajon mbështetjen më të ulët e ka Serbia, me vetëm 10%, që janë pro lidershipit amerikan dhe 61% kundër (21% refuzuan të përgjigjen). Serbia është në fakt e parafundit në Europë, duke lënë pas vetëm Rusinë (6% pro dhe 88% kundër). (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …