Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar se përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të udhëtojnë të shtunën, më 21 tetor në Kosovë dhe Serbi, për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Krahas Lajçakut në këtë vizitë do të jenë edhe Emanuel Bonne, këshilltar për siguri dhe politikë të jashtme i presidentit të Francës , ai i kancelarit gjerman, Jens Plotner, dhe i kryeministres së Italisë, Françesko Talo. Me ta do të jetë në delegacion edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. BE-ja dhe vendet anëtare, sikurse edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbesin mbështetëse të mëdha të procesit të normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe së ardhmes evropiane të të gjithë rajonit. Kemi pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të kryejnë pa vonesa dhe pa kushte obligimet e tyre”, ka thënë Stano.