Shkatërrimi dhe përvetësimi i pronave të quajtura ‘shtetërore’ dhe private nga mujsharët e fshatrave, të cilët zakonisht kanë lidhje afrie apo përfitimi me autoritetet e caktuara komunale, ka marrë përmasa jo vetëm shqetësuese, por edhe degraduese për ambientin.
Më së keqi kanë pësuar pronat publike e private të atyre familjeve, të cilat për arsye ekomomike janë larguar në ndonjë vend tjetër apo edhe nëpër botë.
Në lagjen e epërme Qeriqi në Krojmirit janë prerë e përvetësuar pronat e Hajdar Xharrës të Parë ( 1790-1837), i ekzekutuar me tre familjarë në rezistencën kundër Jashar Pashës në vitin 1837. Ajo ngjarje tragjike e së kaluarës është shënuar në një këngë popullore historike si dhe në tapitë e ruajtura në bibliotekën e Mulla Emin Miftarit të shkruara në gjuhën turke, të botuara në monografinë “Krojmiri”, Prishtinë 2007.
Vendi i quajtur “Shorti i Hajdarit” mbi pronën e Hamit Brahim Miftarit shtrihet në një sipërfaqe rreth 30 ari që përcaktohet nga “Lançja” e deri te “Udha e Love”, në vendin e quajtur “Lugu i Madh” nën masivin guror ku ka qenë Kisha, të cilën deri në vitin e rrënimit, në vitin 1840 e kishte ruajtur familja, Hajdari. Me gurët e kësaj kishe është ndërtuar Kulla e Miftar Shemës, e Liman Rexhës e shtëpi të tjetra, Disa nga gurët e latuar gjenden edhe sot nëpër mure shtëpish, që po rrënohen. Pas konvertimit të plotë, me qëllim për të mos i kujtuar rrënjët e vjetra fetare, “Kroni i Kishës” u konvertua në “Kronin e Arushës”.
Hajdari i dytë i lindur disa muaj pas vrasjes së babait, në vitin 1837, që trashëgoi emrin e tij kishte lënë, Salihun, i cili u vra në vitin 1896 në Lypjan, në moshën 17-vjeçare me rastin e gjakmarrjes për mixhën e tij, Miftar Shema. Po ashtu ai ka lënë edhe, Hajdinin, i cili është vrarë nga xhandarët serbë në përpjekje për likuidimin e një çetë të Adem Reçakut, në vitin 1921. Fillimisht, gjatë luftimeve e kishin plagosur për vdekje, në Blinajë, ish-Lypovicë dhe më pas xhandarët e kishin tërhequr zvarrë dhe e kishin masakruar në fshatin, Qagllavicë të Prishtinës.
Duke qenë se Hajdini kishte vetëm një motër, të martuar në Carralevë dhe një bijë, Feridën, e cila ishte martuar, në fshatin Bllacë, dhe nuk kishte lënë trashëgimtar mashkull, pronat e tij i kishte marrë në mbrojtje, Hamit Brahim Miftari, kushëriri i tij. Më vonë, në vitin 1959 kjo familje u shpërngul dhe u vendos në Ferizaj. Ata shitën ara e livadhe, por jo edhe pronat ku lanë shtëpitë dhe vendin “vakaf” të Kishës, në vendin e quajtur “Shorti i Hajdarit”.
Deri në vitin 2014 kjo pronë është prerë dhe është shkatërruar sistematikisht nga disa dëmtues pyjesh të lagjes Qeriqi, ndërsa po atë vit, vendin te “Shorti i Hajdarit”, komuna ia dha në shfrytëzim, Halim Muharrem Qeriqit i cili me ndihmën e Ministrisë së Bujqësisë e ka ngritur një fermë dhish, mu më oborrin e Kishës së dikurshme dhe në pronat e vete që shtrihen 200-200 metra më në veri. Duke qenë i vetëshpallur kryeplak dhe i përkrahur nga PDK-ja e komunës së Lypjanit, nuk pyeti asnjë familjarë të pronave, as të kushërinjve por e përvetësoi me leje të komunës. Dhjetëra hektarë pronë të përgjithshme ai me kushërinjtë e tij i shfrytëzojnë për bagëtitë e tij.
Të gjitha pronat e lagjes Shemaj shfrytëzohen mizorisht nga banorët e lagjes Qeriqi, sidomos ato prona te Varrezat e Lagjes, në veri dhe në lindje. Në vitin 201o pronarët e ligjshëm të trojeve hapen themelet për një godinë fushore 2o metra katrorë ne vendin te “Zabeli i Alisë”, ( familja posedon tapinë për pronësinë e Zabelit), por keqbërës të lagjes e rrënuan gjatë disa ditëve dhe kërcënuan pronarin e ligjshëm, i cili u detyra të tërhiqet. Për më tepër dhe me qëllim të dëbimit nga pronat e tij, dikush, tinëz, gjatë natës, në pronën e A.E. Miftarit prenë 90 fidanë, katër-vjeçar më 21 korrik të vitit 2011. Atë kohë ishte lajmëruar polica e Lypjanit, e cila kishte arritur pas disa orësh, kishte bërë fotografimet dhe pronarit i kishin premtuar se do t i fillonin hetimet, por asnjëherë deri sot nuk dha asnjë raport. Hetimet edhe nëse kanë filluar zyrtarisht, tani 7 vjet më vonë ato janë mbyllur, krejtësisht kundërligjshëm….
Nga po këta uzurpues është prishur dhe është parcela me pemë qindravjeçare më e njohura në fshatin Krojmir e Halil Miftarit, në vendin që quhet, “Lugu i Vogël”. Keqbërësit fillimisht i kanë dëmtuar rrethojën e gardhit, të cilin e kanë bartur për ta djegur, pastaj kanë kullotur dhe kullosin bagëtinë, kanë prerë pemët dhe e kanë shkatërruar në tërësi.
Përpjekjet e disa mujsharëve të kësaj lagjeje, të lidhur me pushtetin aktual të komunës së Lypjanit për të përvetësuar të gjitha pronat e tri familjeve Shemaj që nuk jetojnë më në lagjet e tyre, po legjitimohet heshtas nga autoritetet e komunës, gjithnjë mbi baza partiake të PDK-së dhe LDK-së.
Autori i këtij shkrimi disponon dokumente shkrimore për pronat qysh nga shekulli 19-të në kohën e Turqisë, tapitë e kohës së “kralevinës” serbe, të kohës së ish-RSFJ-së, por duke qenë se disa nga familjarët jetojnë në Amerikë, Austri, në Ferizaj, Shtime, e gjetkë, ata nuk kanë treguar as tregojnë ndonjë interesim për ruajtjen e pronave, dhe ato kanë mbetur pre e shkatërrimit dhe dëmtimit nga keqbërës dhe dëmtues të njohur të pyjeve. Në këto prona ata hedhin mbeturinat, duke zënë vijat e ujit me qëllim që pronat të vërshohen, duke menduar se me presione të tilla pronarët e ligjshëm do t’i lënë edhe pronat e mbetura. Ata, edhe pse jetojnë shumë më larg, i presin pronat në malin e varrezave të atyre që i ndanë vetëm “Rruga e Zabelit” me pronat e tyre, ndërsa ato male e zabele që shtrihen më lartë i presin dhe i sheshin.
Shkatërrimi dhe përvetësimi i pronave bëhet edhe për shkak se Qeveria e pushteti nuk kanë interesim t’i ruajnë, por duke qenë se u duhen votat, në çdo katër vjet, ata lejojnë militantët e tyre që të grabisin e të plaçkitin kudo ku ata duan, madje u fshehin edhe lëndët penale dhe nuk reagojnë fare kur lajmërohen për dëmtime të tilla.
Instalimi i kësaj logjike të tmerrshme të militantëve, të cilët bëjnë pushtetin nëpër fshatra është e rrezikshme, është retrograde dhe na kthen në kohën e anarkisë totale, kur pushteti vlen vetëm për militantët e partive që na qeverisin dhe aspak për qytetarët e tjerë, të cilët kanë hallet e tyre ekzistenciale dhe zyrtarët e qeveritarët nuk përfillin kërkesat as ankesat e tyre.
Të kota deri sot janë treguar të gjitha denoncimet. Për më tepër të denoncuarit jo vetëm që nuk janë ndjekur e dënuar për prerje të paligjshme të pyjeve, por ata janë hakmarrë kundër pronave që atyre që i kanë denoncuar.
Ahmet Qeriqi