Fjalimi historik i Edi Ramës në KS të OKB-së, fjalimi më burrëror, i mbajtur ndonjëherë nga një kryeministër i Shqipërisë

Si u prit në Kosovë e më gjerë, fjalimi historik i Edi Ramës në KS të OKB-së, më 24 shtator 2022

Fjalimi historik i Edi Ramës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ishte i vetmi fjalim i nivelit të tillë diplomatik i paraqitur ndonjëherë nga ndonjë diplomat apo burrështetas shqiptar, në mbrojtje të Kosovës dhe luftës së saj çlirimtare e fitimtare.

Në paraqitjen e tij të faktuar dhe të argumentuar,  Edi Rama, foli për raportin e Dick Martyt që çoi në krijimin e Gjykatës Speciale, duke përmendur edhe Rezolutën e Shqipërisë, e cila kohë më parë është dorëzuar në Këshillin e Evropës për rrëzimin e tij, në mungesë të provave.

Ai ka theksuar se ish-kryetari, Hashim Thaçi po mbahet padrejtësisht në paraburgim. Sa përmendet fjala Ballkan në mendjen e gjithkujt vijnë imazhet e luftërave të përgjakshme. Asnjë nga ato nuk do të harrohet, llogaridhënia do të vazhdojë, por kjo kërkon angazhim. Drejtësia qëndron në themelet e çdo përpjekjeje. Nuk mundem të mos e ndaj këtu me ju një shembull të tmerrshëm që duhet të jetë mësim. Në vitin  2011 asambleja miratoi një raport nga Dick Marti ku akuzohej Ushtria e Kosovës për trafikim të organeve njerëzore. Raporti ishte tronditës dhe u shndërrua në faktorit kyç të ushqimit të idesë dhe ngritjes së Gjykatës Speciale. Çdo përpjekje hetimore u bë gjatë këtyre viteve për të hetuar këto akuza në nivel rajonal e ndërkombëtarisht asnjë tregues nuk u gjet në Kosovë e askund tjetër që kishte të bënte me këto akuza. Ndërkohë që flasim është i arrestuar,  Hashim Thaçi.

Ne mendojmë që Asambleja do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë e një organizatë kaq të rëndësishme”, ka thënë Rama.

Fjalimi i Edi Ramës, në OKB, jo vetëm që nuk u duartrokit në Kosovë nga krerët e institucioneve, por edhe u injorua pikërisht nga kryetarja, Vjosa Osmani, e cila ishte edhe vetë e pranishme në selinë e OKB-së, por qëndrimi i saj për UÇK-në sidomos për krerët e saj që ndodhen në Hagë, nuk dallon shumë nga qëndrimi i Serbisë zyrtare.

Është fatkeqësi për Kosovën, pse jo edhe për shqiptarët përgjithësisht që tre krerët e Shtetit, jo vetëm që nuk e mbështetën atë fjalim  në mënyrë institucionale, por  edhe shprehen rezerva, madje edhe injorim e shpërfillje sikur bënë, zonja  Vjosa Raif Osmani,  ministrja e saj dhe e Albin Kurtit, Donika G. Shvarc e të tjerë.

Kjo nuk ishte vetëm mungesë vëmendjeje, por thjesht një xhelozi e sëmurë e tre krerëve, të cilët kurrë në jetë nuk mund të arrijnë as çerekun e shprehjes dhe perceptimit politik e diplomatik të Edi Ramës, nuk e arrijnë dot pjekurinë e tij intelektuale, guximin dhe sensin politik për ta thënë troç dhe në mënyrë të kulturuar atë që e thotë ai, jo me retorikë false e patetikë politike, por e deklamon thjesht, qartë, kuptueshëm, bindshëm, argumentueshëm dhe i lë pa fjalë burrat e mençur e diplomatët e zgjuar të karrierës.

E marr me mënd se sa të vegjël e të mjerë ndihen kur qëndrojnë  para Edi Ramës, Vjosa Osmani, Albin Kurti, Glauk Konjufca, jo vetëm sepse ai është shtatgjatë e shtathedhur, por sepse, sa herë flet, sa herë argumenton, i fshikullon pa kamxhik,  u rrëfen batuta, nganjëherë edhe në pozita mujshare, jo për ta treguar epërsinë, por për të lënë të nënkuptohet niveli i atyre me të cilët bisedon për çështje të caktuara.

Nuk është urrejtja  e krerëve të Kosovës kundër Edi Ramës, për shkak të Ballkanit të Hapur, sepse atë  projekt e përkrah dhe e arsyeton edhe vetë Amerika ( jo më amelika, amelika),  por thjesht naiviteti politik, xhelozia, inati, stucëria, varfëria mendore dhe mbivlerësimi i vetvetes, duke u thirrur në vota dhe duke u matur me hijen e diellit të mëngjesit.

Hashim Thaçi dhe Edi Rama

Disa prej tyre, duke qenë përkrahës të heshtur të Sali Berishës e Ilir Metës, e urrejnë Edi Ramën edhe në pikëpamje politike e ideologjike, sepse pretendojnë të paraqiten të djathtë e pro amerikanë edhe pse e dinë fare mirë se çfarë “respekti” ka Amerika për Sali Berishën e Ilir Metën.

Fjalimi i Edi Ramës në OKB, u mirëprit nga PDK-ja, nga krerët e OVL-UÇK-së, nga intelektualë të caktuar e të pavarur dhe nga ndonjë gazetar, por mjerisht jo nga Vetëvendosja, sepse ajo nuk i del para kryetarit, jo nga Shoqata e të Burgosurve  politikë, sepse as kjo nuk  i del para shefit, por as nga LDK-ja, as nga AAK-ja, madje as nga disa parti jashtë parlamentit.

Vetëkuptohet se nuk mund të mirëpritej fjalimi i Edi Ramës as nga Lista Serbe, as nga Beogradi zyrtar, as nga jugo-mediet shqipshkruese e shqipfolëse në Kosovë si Koha Ditore, Bota Sot, as nga dëshmitarët e mbrojtur  dhe pa identitet të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së dhe assesi nga Ekaterina Trendafilova  e disa të tjerë.

Mbaj mend kohën e ish regjimeve jugosllave në trojet tona, kur prijësi  komunist shqiptar, Enver Hoxha fliste për Kosovën dhe trojet shqiptare nën okupim, për padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve, për mbushjen e burgjeve me të burgosur politikë, shqiptarë, për shfrytëzimin e resurseve dhe të pasurive Kosovës nga Serbia, krerët politikë të Krahinës Autonome të Kosovës, sidomos, Azem Vllasi, Sinan Hasani, Kolë Shiroka, Ali Shukria e të tjerë nuk kurseheshin nga fjalët më të liga drejtuar Shqipërisë, ndërsa Enver Hoxhën e akuzonin për përzierje në punët e brendshme të Jugosllavisë dhe të Kosovës, për paternalizëm dhe për politikën e tij kundër “interesave të shqiptarëve”.

Edi Rama

Fjalimi i Edi Ramës  u mirëprit në Shqipëri, jo vetëm për hir të kryeministrit, i cili gëzon besimin dhe popullaritetin, që nuk e ka gëzuar asnjë burrë-shteti, që nga vitit 1991 e deri tani. Këtë e kanë thënë dhe e thonë votuesit, të cilët  Edi Ramës i kanë falur besimin në tre mandate qeverisjeje deri tani. Kjo simpati e ky besim vërehen kudo të në gjitha sondazhet jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë.

Edi Rama, me qëndrimin vëllazëror dhe plot me dinjitet për Kosovën, realisht po kryen detyrën e Kryeministrit, jo vetëm të Shqipërisë por edhe të krejt shqiptarëve, pavarësisht se iu pëlqen apo jo disa çerdheve politike, me prejardhje beogradase, disa mendjeve të retarduara, makute e xheloze, që nuk shohin përtej hundëve të tyre.   Nuk mund të ketë çështje me rëndësi të shqiptarëve, apo  edhe të vendeve të Ballkanit që mund të zgjidhet pa e thënë fjalën dhe pëlqimin e tij, Shqipëria dhe Edi Rama, pavarësisht si mund të pranohet apo  të mohohet kjo e vërtetë, që është edhe e domosdoshme, sepse Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet Piemont i shqiptarëve.

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

  1. 9. 2022

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …