Sinan Haradin Morina (16.7.1968 - 28.5.1999)

Sinan Haradin Morina (16.7.1968 – 28.5.1999)

Dëshmori i kombit, Sinan Morina është i lindur më 16 korrik të vitit 1968 në fshatin Rixhevë të komunës së Klinës. Shkollën fillore e kreu në Gllarevë, ndërsa atë të mesme në Gjimnazin e Kijevës, të cilin si i “papërshtatshëm”, me shumë vështirësi arriti ta përfundojë më vonesë.

Sinani u rrit në një familje fshatare të njohur për bujari dhe tradita liridashëse. Njërin prej kryefamiljarëve të Morinëve të Rixhevës, për shkak të pjesëmarrjes në lëvizjet e rezistencëa kombëtare, bandat çetnike e pushkatuan. Po kështu e pësoi edhe i ati, Haradini, gjatë kohës së aksionit të armëve të Aleksandër Rankoviqit, gjatë të cilit u shkallmuan, u masakruan, u vetëvranë dhe u vranë shumë shqiptarë. Diçka të këtillë, nën dajak përjetoi edhe Haradini, u rrah deri në alivanosje në stacionin policor të Gllarevës.

Sinani ishte fëmija i gjashtë i babait, Haradinit dhe i nënës, Shefkijes, të cilët kishin katër djem e dy vajza. Pasi familja ra në një gjendje të rëndë ekonomike, Sinani u detyrua të marrë rrugën e kurbetit dhe vendoset në Sutomore të Malit të Zi. Aty punoi si punëtor krahu, por edhe në kurbet ai nuk ndalet së vepruari për çështjen kombëtare, prandaj edhe u bjen në sy forcave të sigurimit të Malit të Zi. Gjatë qëndrimit në Malin e Zi arrestohet, burgoset dhe dënohet ndërsa dënimin e vuajti në burgun e Kotorrit. Pas daljes nga burgu kthehet në vendlindje, por sërish fillojnë ndjekjet e organave të sigurimit serb. Sinani prapë largohet por kësaj radhe vendoset në

Kroaci. Edhe atje punoi si punëtor krahu, ndërsa më 1993 shkoi në Gjermani ku krijoi lidhjet me veprimtarët e lëvizjes kombëtare që vepronin në Gjermani. Nga atje u kthye në vendlindje në vitin 1997.

Më 15 nëntor të vitit 1997 radhitet në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Gllarevë të Klinës në njësitin “Graniti” të cilin e drejtonte luftëtari Agim Pantina. Si luftëtar i lirisë Sinan Morina mori pjesë në të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër Ujmir, Çabiq, Tërdec, Abri, Vojnik, Dollc e Gllarevë.

Pas ardhjes së 36 luftëtarëve të Zonës Operative të Drenicës në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, më 22 tetor të vitit 1998, të cilët për përforcime i dërgoi komandanti Mujë Krasniqi i njohur si “Komandant Kapuçi”, Sinani ishte në grupin e parë dhe sistemohet në Batalionin e Parë të Brigadës 132 “Myrtë Zeneli” të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit dhe emërohet komandant i togut.

Përjetësohet heroikisht në vijën e parë të zjarrit në malet e Dashinocit, më 28 maj të vitit 1999, ditë kjo me fronte të hapura në të gjitha zonat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: në Zonën e Drenicës në afërsi të fshatit Llaushë përjetësohen Mustafë Mursel Haxhiu i fshatit Trimor të Skënderajt, e Isuf Mursel Haxhiu i Llaushës së Skënderajt; në Pasomë të Vushtrrisë përjetësohet Arsim Arif Tahiri, ndërsa në Zmiq, Bekim Ahmet Doroci; në Kodër-Kelenë të Mitrovicës përjetësohet Ramadan Qerkin Peci, ndërsa në Mollopolc edhe Alush Faik Mustafa i Reçakut, Istref Ramadan Emini i Belajve të Shtimes; në Pollatë të Llapit përjetësohet Hasan Sejdi Dema, ndërsa në Ozdrin edhe Menhend Dervishaj, i vëllai i dëshmorëve, Menhendit e Menderesit nga fshatit Frashër (ish-Zabllaq) i Burimit; në fshatin Vnesht të Anadrinit përjetësohet Avni Rexhep Hodaj, e në Betejën e Mileskës përjetësohen: Bedri Bajram Berisha i Valljakës, Habib Jakup Gashi i Nagacit, Ismail Malush Gashi i Krushës së Madhe, Mensur Sefer Zyberaj i Drenocit të Anadrinit, Kurtish Bajram Hasani i Qëndresës së Anadrinit dhe sot trupi i tij pushon në “Kopshtin e Dëshmorëve” në oborrin e “Kullës së Rezistencës” në fshatin Gllogjan të Deçanit, ndërsa në frontin e Koshares, krahas Sinan Morinës përjetësohet edhe Imer Isak Kryeziu i Pagarushës së Llapushës. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …