Sinan Sahit Thaçi (10.1.1962 - 29.4.1999)

Sinan Sahit Thaçi (10.1.1962 – 29.4.1999)

Menjëherë pas kazermimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 26 prill të vitit 1998, në Drenaj të Anadrinit, ilegalja e hershme e fshatrave përreth Therandës zë të grumbullohet në Samadraxhë, Dabërdelan, Sudençan, Budakovë, Korishë e Nepërbisht, në pajtim me situatën e krijuar në terrenin e Anadrinit. Strukturimet e përmendura zhvilloheshin përreth djelmoshave të betuar e të bashkuar rreth idealit për një Kosovë të lirë, për një flamur e për bashkimin e trojeve etnike. Në krye të grupeve të ilegales qëndronin me stoicizëm të pashoq, Feim Morina, Fetah Gega, Xhavit Bajraktari e Kadri Kokollari, sot dëshmorë të kombit.

Grupet ilegale të organizuara mirë mbi bazat e një konspiracioni të thellë, duke u mbështetur mbi situatën në terren sepse në Rrafshin e Anadrinit pas pushkës së bashkëluftëtarëve të Komandantit Legjendar Adem Jashari te “Përroni i Keq”, edhe djelmoshave të fshatrave Krushë e Vogël, Qëndresë, Zojz, Medvec, Nepërbisht, Piranë e Landavicë, lidhen me Retinë, Hoçën e Vogël e Apterrushën dhe kështu zënë të forcohen shtabet operative lokale. Fshati Zojz, i organizuar nëpërmjet Këshillit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas të gjitha përgatitjeve mësynë kah Samadraxha dhe nëpërmjet Raif Gashit, Rexhë Morinës, Enver Cikaqit, Bajram Bekteshit e Feim Balës, grupi i Zojzit stërvitet në “Qafën e Pagarushës” dhe në këto stërvitje përgatiten luftëtarët Hysen Destani, Eqrem, Muharrem e Agim Grulaj, Xhavit Bytyçi, Rexhep Bardheci, Durak e Sinan Sahit Thaçi, sot dëshmor i kombit, që pushon në Kosharen e Agim Ramadanit e të Salih Çekut, pranë kushëririt Hamëz Ali Thaçi, pranë Aziz Tolajt, pranë Naim Arllatit, pranë Luan Gashit, pranë Islam Krasniqit, pranë Bekim Thaçit, pranë Ilir Hoxhës, pranë Jonuz e Ramiz Krasniqit e pranë Arben Bytyçit, me 10 dëshmorë të thyerjes së kufirit shekullor që ndante vëllanë prej të vëllait.

Sinan Thaçi është i lindur më 10 janar të vitit 1962 në fshatin Zojz të Anadrinit të Prizrenit. Prindërit e Sinanit, Sahit Thaçi, i martuar me Sevdije Kryeziun e Pagarushës, kishin dy djem e tri vajza; Sinanin, Jetonin, Xhernilen, Eminen dhe Kumrinë, ndërsa sot nën Sevdia, e mbetur pa xha Sahitin ka vetëm Jetonin, por me plotë nipa e mbesa që po rriten me krenarinë për Sinanin – dëshmor i kombit. Familja e xha Sahitit, ekonomikisht e dobët nuk premtonte shkollimin e bijëve, prandaj Sinani, me të mbaruar filloren zë të merret me bujqësi, por sa lëshoi shtatin u hyri punëve të ndërtimtarisë, si shumica e kushërinjve të zbritur në Zojz, me shpresë për një jetë më të mirë, prandaj, shumë shpejt afirmohet si ndërtimtar i zoti.

Gjiri familjar në të cilin u rrit dhe u edukua Sinani, kishte një traditë luftarake, përherë me të parët e kyçyr në lëvizjet kombëtare, me burra që i kuptonin mirë tradhtitë që i bëheshin këtij populli. Gjyshi iu bashkua Shaban Polluzhës dhe luftëtarëve të pathyeshëm në luftë për idealin kombëtar. Si familje, Thaçët e Zojzit ishin në shënjestër të pushtetit serb dhe të ekzekutorëve serboçetnikë, prandaj edhe rrahën deri në alivanosje në stacionin policor të Krushës së Madhe, me pretekst se kanë armatim të padorëzuar. Ndjekjet, arrestimet, burgosjet dhe persekutimet ndoqën edhe fshatin Zojz, sidomos familjet thaçjane, pasi që, sipas informacioneve të shërbimit sekret serb, si lagje ishin vënë në anën e studentëve që prej vitit 1968.

Shkollën fillore Sinani e bëri në vendlindje, të mesmen e nisi në Prizren por nuk e përfundoi pasi që, ndjekjet nga njëra anë, gjendja sociale veçanërisht pas vitit 1980, kur mbetet pa të anë, e detyrojnë t’i braktisë bankat e shkollës së mesme dhe t’i qaset zejes së ndërtimtarisë dhe me këtë

punë mbante tërë familjen e që shihet se herët i ra mbi shpinë barra e përgjegjësisë, prandaj 1994-1995 mori rrugën e shpresës; krahas trastës së kurbetçarit, mbante edhe një thes me ëndrra për ditë më të mira e për një fëmijëri më të lumtur të bijëve: Sahitit, Granitit e Besnikut, të cilët ia lë përgjithmonë bashkëshortes, Xhylies, që t’ia rrisë e t’i “dalin në selamet”.

Duke shtegtuar, Sinani në fillim vendoset në Slloveni, e më vonë del në Zvicër, por pushka e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe kushtrimi “Priti djemtë e Dukagjinit”, të cilin e lëshonte Luan Haradinaj nga “Qafa e Kunorës”, edhe Sinan Thaçin e kthejnë në Kosovë dhe vëhet në krye të “Djemve të Zojzit” me besën e burrave, si dikur te “Lisat e Zojzit”. Të lidhur me besa – besë, e me këngën “Besën ta kam dhanë”, Sinan Thaçi vendos ta marrë pushkën e lirisë dhe kështu, në fund të prillit 1998, shtegton itinerarin Drenaj – Zatriq – Shkozë – Dabërdelan – Samadraxhë dhe nëpërmjet Durak Thaçit, fillon jetën luftarake në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke mos u ndarë për asnjë çast prej shokëve dhe gjendet në çdo skutë të Anadrinit e veçanërisht në luftimet e Fortesës e të Rahavecit.

Pas luftimeve të përgjakshme te “Lugu i Shqipeve”, më 26 korrik të vitit 1998, u bashkohet luftëtarëve të Shkozës e së andejmi zbret në Pagarushë e Dabërdelan, për të marrë pjesë në zjarrin e vijës Samadraxhë, Apterrush e Reti, e pastaj kyçet në sektorin e logjistikës dhe së bashku me grupet logjistike të Anadrinit dhe të Hasit, bart armatim dhe furnizon shokët në frontin përreth masivit malor që ndan Anadrinin prej Llapushës.

Në fshatin Reti, Sinan Thaçi është në formacionet e Xhelal Hajdës – Tonit e të Selajdin Mullabazit – Micit dhe “Djemtë e Zojzit” rikthehen në pozicionet nismëtare: Landavicë, Medvec, Nepërbisht, Zojz e Qëndresë, për të vepruar së bashku me grupin e Hasit e të Landavicës kah Maja e Pashtrikut.

Më 11 mars të vitit 1999, Shtabi i Brigadës 125, nga Retia vendosi që një grup të depërtojë në Jeshkovë e të rivendoset në rajonin e Vërrinit, por në këtë ndërmarrje ushtarake marrin përjetësinë 20 dëshmorë, ndërsa pas .bombardimeve të Aleancës Veriatlantike mbi caqet serbe, fillojnë edhe luftimet përreth masivit të Shkozës e të Gallushës, që ndan Llapushë nga Anadrini, por edhe në Bjeshkët e Budakovës dhe heroikisht mbrohen fshatrat e Llpushës e nuk bien as Kleçka legjendare as Malet e Berishës, sepse është dashur me çdo kusht të mbrohen mbi 100 mijë banorë të Anadrinit, të Llapushës e të Drenicës, të strehuar në këto male.

Pas përfundimit me sukses të kësaj ndërmarrjeje, komandant Tahir Sinani vendos që me të gjitha forcat e Zonës Operative të Pashtrikut e në bashkëveprim me drejtuesit e operacionit “Shigjeta”, të zbresë nga Malet e Berishës, Budakova, Maçiteva, Gallusha, Qafa e Pagarushës, Grabi, Balli i Vneshtit, Zatriqi, Guri i Kuq dhe t’i pozicionojë efektivet në kodrinat bri aksit rrugor Prizren – Gjakovë dhe të sulmojë: Maçakun e Prizrenit, Izbishtën e Rahavecit dhe aksin rrugor Xërxë – Rahavec, prej Hamoceve, më 26 maj e deri në fund të luftës.

Një pjesë të Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova”, së bashku me njësitin “Arbëri”, e solli kah Hoça e Vogël, një pjesë të Brigadës 122 “Ymer Krasniqi”, në kurrizin Celinë – Rahavec, një pjesë të Brigadës 123 në Sudençan, Samadraxhë e Reti, Brigadën 124 “Gani Paçarizi” në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Celinë e Qëndresë, një pjesë të Brigadës 125 në rajonet Medvec, Zojz, Terpeticë, Landavicë, Gjonaj e Romajë, sepse Brigada 126 drejtonte thyerjen e kufirit dhe “Shigjetën”, si mbështetje për 127 dhe 128, falë kontributit të madh të Batalionit “Atlantiku”, i cili përbëhej prej bijve të mërgimtarëve tanë të përgatitur nga veprimtari Hysni Syla.

Më 29 mars 1999, pas fitoreve të përmendura, Sinani arrin për ta tërhequr dhe shpëtuar familjen, së bashku me shumë bashkëfshatarë dhe kalon në Shqipëri. Pas vendosjes së familjes, i gjen shokët dhe bashkohet për t’u rikyçur në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por tash në Qendrën Stërvitore Ushtarake në Kalimash, te instruktori Binak Gashi, të cilin Sinani e njihte nga betejat e Anadrinit. Gjatë ushtrimeve në Kalimash, shquhet me shkathtësi të jashtëzakonshme, vullnet të pashoq, besnikëri të madhe e njohuri për armatim, prandaj eprori Binak Gashi e inkuadron në Brigadën 138 “Agim Ramadani”, me destinacion për luftime në “Rrasat e Koshares” që ishte një kënaqësi e veçantë për Sinanin dhe kështu radhitet në Batalionin e drejtuar nga Skënder Rexhahmetaj dhe vendoset komandant i një togu për këmbësori, sepse tashmë kishte një përvojë të madhe. Këtë përvojë Sinani e demonstroi në vijat e para të frontit, në të cilat qëndronte i pathyeshëm, madje edhe në ditët kur mori lajmin për rënien heroike të kushëririt Hamëz Thaçi. Mirëpo, kah fundi i prillit, në përpjekjet për t’i tërhequr shokët e vrarë dhe të plagosur, goditet rëndë së bashku me luftëtarin e lirisë Selver Bajram Kryeziu, nga Rogaçica e Dardanës dhe merr përjetësinë duke u përshëndetur për herë të fundit me bashkëfshatarët luftëtarët e lirisë, Ilir Bytyçi e Sejdi Grulaj. Varrimi i Sinanit, e i Selverit u bë më 30 prill të vitit 1999, në Varrezat Ushtarake të qytetit Bajram Curri. Mirëpo, pas vendimit që luftëtarët e rënë në rajonin e Koshares të vendosen në shtëpitë e amshueshme, në një prozhmë në bukur në Koshare, më 23 gusht 1999, edhe trupi i pajetë i Sinan Thaçit zhvarroset dhe bëhet rivarrimi në Varrezat e Dëshmorëve në Koshare.

Bashkëluftëtarët e Sinanit u përkujdesën që në qendër të fshatit, buzë një lumi, t’i ngrihet një lapidar, jo larg shkollës fillore të fshatit Zojz dhe shpresojnë se shkolla do ta marrë emrin e këtij luftëtari të lirisë, ndërsa tradicionalisht ky fshat, tash e shtatë vite pas përfundimit të tubimit përkujtimor të cilin e oragnizojnë për çdo 29 prill, të gjithë së bashku marrin rrugën për në Koshare për ta nderuar dëshmorin e kombit, birin e Kosovës, Sinan Sahit Thaçin, dëshmor i vetëm i këtij fshati.

Në krye të vizitorëve, përherë e fortë dhe stoike marshon me hapa burrërorë, nëna Sevdie, e përcjellur prej nipave e mbesave dhe të gjithë ushqehen me krenari kur dëgjojnë për veprat e Sinanit të tyre, e tash Sinanit të tërë shqiptarisë. (S. c.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …