Mësimdhënësit e viteve të ’90-ta në Kosovë akoma nuk e kanë të zgjidhur statusin e tyre. Statusi i punëtorëve të arsimit shqip në Kosovë nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, ende nuk është zgjidhur përfundimisht, pavarësisht se në muajin maj të këtij viti kishte kaluar në shqyrtim të parë Projektligji për njohjen e statusit të tyre. Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, shpreson që ky projektligj këtë muaj do të shkojë për lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës . Sipas tij, pas takimeve të shumta që kanë pasur me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim dhe duke e parë se deputetët e Kuvendit e kanë votuar në lexim të parë projektligjin për statusin e mësimdhënësve të viteve ’90-ta, shpreson se edhe në leximin e dytë deputetët do ta votojnë. Ai theksoi se, në rast se ndodh e kundërta, pra nuk shkon në Kuvend dhe nuk votohet projektligji në lexim të dytë atëherë, SBASHK-u nuk do të rrijë duarkryq. Ai po ashtu tregoi se një pjesë të debateve, në takimet me Komisionin Parlamentar për Arsim ku kanë marrë pjesë përfaqësues të SBASHK-ut, kanë reaguar në lidhje me kategorizimin e përfituesve që është bërë. Sipas tij, arsyeja përse kanë reaguar ka qenë për shkak të përqindjes së ulët të përfitimit. Kujtojmë se në maj të këtij viti, Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, me gjithë debatin e gjatë nga deputetët, ishte miratuar me 71 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …