Punëtorët e Postës sërish mund t’i mbyllin zyrat postare dhe të mos ofrojnë asnjë shërbim të vetëm për qytetarët nëse Qeveria e Kosovës nuk ua mbulon humbjet financiare në vlerë prej 5 milionë eurosh siç po kërkon menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje. Sindikalistët paralajmërojnë greva. Takimi i Sindikatës së Kryesisë së Postës së Kosovës të mërkurën pritet t’i japë një zgjidhje krizës aktuale në këtë ndërmarrje. Përfaqësuesit e Sindikatës së kësaj ndërmarrjeje nuk i mohojnë grevat si opsion për t’i realizuar kërkesat e tyre. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Postës, Etrit Hoti, ka konfirmuar, se në takimin e së mërkurës me Kryesinë Sindikale pritet të dalin me një qëndrim rreth gjendjes, gjersa nuk ka përjashtuar mundësinë e grevës së serishme. “Të mërkurën, në orën 09:00, e kemi takimin e Kryesisë. Do të dalim me një qëndrim sindikal. Greva nuk përjashtohet, as reagimet sindikale. Nesër detajisht do t’ju informojmë. Pa e marr qëndrimin e Kryesisë nuk di çka të them”, ka paralajmëruar kryetari i SPP-së.