Sipas Pulsit Publik të UND-së, anketa e majit e këtij viti ka konstatuar se gratë në Kosovë e kanë renditur papunësinë si problemin kryesor, duke e vendosur këtë çështje përpara varfërisë. Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë tregojnë se 18% e grave e konsiderojnë papunësinë si çështjen më madhore, ndërsa varfërinë e rendisin si çështje të dytë (17.8%). Në krahasim, burra e rendisin varfërinë si problemin kryesor (15.3%) dhe papunësinë si të dytën (14.7%). Problemet kryesore që përmenden janë varfëria (16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet thelbësore (12.7%). Kjo ndihmon në identifikimin e sfidave të mëdha me të cilat po përballet Kosova, duke e reflektuar një realitet që është më i zymtë se sa pretendimet për krijimin e mijëra vendeve të punës nga ana e qeverisë. Raporti vjetor i UNDP-së thekson se, varfëria dhe papunësia vazhdojnë të mbeten sfidat kryesore për qytetarët e Kosovës.
