Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka theksuar se situata epidemiologjike në vendin tonë është e qëndrueshme. Zemaj ka njoftuar se është takuar me drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani, me kryesuesin e bordit këshillëdhënës, Lul Raka, Visar Berisha nga zyra e kryeministrit për të diskutuar për hapat e ardhshëm që duhet t’i ndërmarrin pas hapjes së shkollave. “Lufta me Covid vazhdon të jetë një prioritet i punëve tona të përditshme, por assesi kjo nuk nënkupton që duhet lënë anash projektet dhe punët tjera që kam parashikuar në mandatin tim e që kanë të bëjnë me rregullimin e sistemit shëndetësor publik si të qëndrueshëm, modern dhe funksional”, ka thënë ai.
