Sitnica del nga shtrati-vërshon disa shtëpi dhe qindra hektarë tokë të punueshme

Lumi Sitnica ka dalë nga shtrati i vet dhe ka vërshuar disa shtëpi dhe qindra hektarë tokë të punueshme. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në komunën e Mitrovicës, Musa Dragaj, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes tha se situata është mjaftë serioze dhe se fryrja e lumit Sitnica po vazhdon, gjë që paraqet rrezik serioz për vërshime shumë më të mëdha të shtëpive dhe bizneseve që shtrihen përgjatë lumit.

Sipas tij, nga Tuneli i Bairit e deri në fshatin Frashër, janë vërshuar disa qindra hektarë tokë të punueshme, kështu që e tërë ajo hapësirë që shtrihet nga lumi Sitnica, në gjerësi disa qindra metra deri në hekurudhë dhe gjatësi prej rreth dy kilometra, është e mbuluar e tëra me ujë.

“Uji që ka dalë nga shtrati ka vërshuar katër shtëpi në ish stacionin e vjetër hekurudhor në Frashër, pastaj ka rrezikuar seriozisht për ta vërshuar tërësisht biznesin hotelier “Vila LUX” dhe bizneset tjera “Mitrometali”, “Scania Trans”, dy ferma të lopëve etj, që shtrihen në të dyja anët e lumit, në afërsi të Tunelit të Bairit”, ka thënë Dragaj, ku tashmë uji ka arritur në oborret e tyre.

Ai ka bërë të ditur se Sitnica ka vërshuar edhe 4-5 shtëpi në Lagjen “2 Korriku”, afër urës kryesore mbi këtë lum, në hyrje të qytetit, si dhe është duke e rrezikuar seriozisht edhe Parkun e Bizneseve, që gjendet në anën e kundërt të lumit, karshi kësaj lagje.

Dragaj ka njoftuar po ashtu, se shiu ka dëmtuar shumë edhe rrugën që lidh “Lagjen e Doktorëve” me “Kroin e Vitakut”, në veri të qytetit, ku gjysma e rrugës së asfaltuar është shembur tërësisht dhe paraqet rrezik për qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve andejpari.

“Ne i kemi marrë të gjitha masat për të parandaluar situatat më të rënda e më të rrezikshme. Zjarrfikësit kanë dalë në terren dhe të gjitha familjeve të prekura nga uji ju kanë ofruar evakuim, por ato tash për tash e kanë refuzuar këtë. Në rrugën që  lidh dy lagjet e lartpërmendura në veri të qytetit, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe i ka vendos shiritat që paralajmërojnë rrezikun për qarkullim”, ka thënë ai.

Dragaj  shtoi në vazhdim, se meqë Sitnica vazhdon  të fryhet nga uji, situata pritet të vështirësohet edhe më shumë dhe kjo paraqet rrezik jashtëzakonisht të madh për njerëzit që jetojnë në shtëpitë përgjatë lumit. Prandaj, ai i fton banorët që të jenë të kujdesshëm dhe të lajmërojnë drejtorinë për rrezikun që ju kanoset në ndërkohë, pasi që zyrtarët e saj do të jenë vazhdimisht në gjendje mobile për të intervenuar dhe ndihmuar.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …