Situata e sigurisë në Skenderaj shumë e mirë

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka diskutuar për dy çështje të rëndësishme; situatën e përgjithshme të sigurisë në Skenderaj dhe sigurinë në shkolla.

Në hapje të takimit Nënkryetari i Komunës së Skenderajt i ka falënderuar të gjithë anëtarët e KKSB-së dhe institucionet që përfaqësojnë ata për kontributin e rëndësishëm në ngritjen e nivelit të sigurisë në Skenderaj. Ai ka lavdëruar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe punën e institucioneve të sigurisë në shërbim të ofrimit të sigurisë për qytetarët e Skenderajt.

Komandanti i Stacionit të Policisë së Kosovës në Skenderaj toger Basri Durmishi është shprehur shumë i kënaqur me nivelin e sigurisë në Skenderaj, duke potencuar se në nivel regjioni, Skenderaj ka situatën më të mirë. “Situata e sigurisë  në Skenderaj është e shkëlqyeshme falë bashkëpunimit me qytetarët, me institucionet lokale dhe punës së policisë”, tha z. Durmishi. Ai më tej ka prezantuar shifrat e nivelit të kriminalitetit. Toger Durmishi ka përmendur shifra inkurajuese në uljen e kriminalitetit. Sipas tij në periudhën e raportimit ka pasur ulje të kriminalitetit për 11.3 %, ndërsa sa i përket hyrjes në fuqi të ligjit të ri të trafikut ai ka konstatuar se i njëjti ka pasur efekt pozitiv në uljen e nivelit të aksidenteve, ndërkohë që është rritur numri i tiketave të lëshuar për shkelje.

KKSB-ja ka diskutuar edhe për situatën e sigurisë në shkolla. Drejtori i DKA-së Bekim Latifi është shprehur i kënaqur me sigurinë në shkolla duke përmendur si faktorë të rëndësishëm bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe punën e mësimdhënësve e prindërve. Sipas tij që nga fillimi i vitit të ri shkollor nuk është evidentuar asnjë incident në shkollat e Skenderajt.

Anëtarët e KKSB-së kanë kërkuar rritjen e patrullimeve të policisë në rrugën “Osman Geci” për shkak të frekuencës së madhe të nxënësve në këtë pjesë të qytetit ku lëvizin nxënësit e dy shkollave të Skenderajt.

Është diskutuar edhe situata e sigurisë në lokalitetet ku jetojnë pjesëtarë të pakicës serbe. Përfaqësuesi i këtij komunitetit, Nedelko Kovaqeviç ka deklaruar se situata e sigurisë në Bajë është e qetë dhe stabile. Ai ka lavdëruar bashkëpunimin me Policinë e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …