Situata epidemiologjike nën kontroll, ndërsa vazhdojnë me sukses fushatat e dezinsektimit dhe repelimit në Malishevë

“Situata epidemiologjike me ethet hemorragjike, është nën kontroll dhe nuk ka asnjë rast të regjistruar me EHKK”, kështu u raportua në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, të mbajtur nga Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj. Në këtë mbledhje u shpreh shqetësimi për digën në liqenin e Mirushës, pasi është dëmtuar jashtë mase dhe u kërkua zgjidhje e shpejtë për këtë çështje.

Drejtori për shëndetësi, Hajdin Berisha, duke raportuar për gjendjen epidemiologjike në Komunën e Malishevës, tha se “situata është nën kontroll dhe pavarësisht rasteve të thumbimeve nga rriqrat, nuk ka asnjë rast të infektuar”. Berisha, po ashtu, bëri të ditur, se po vazhdon me sukses faza e tretë e repelimit të kafshëve dhe faza e dytë e dezinsketimit selektiv.

Ndërsa drejtori i shërbimeve publike, Milazim Morina dhe drejtori për mbrojtje dhe shpëtim, Sejdi Paçarizi, kanë ripërsëritur shqetësimin e tyre, për gjendjen e digës, në liqenin Mirusha, ku sipas tyre, ose duhet të intervenohet urgjentisht, ose të shterohet gradualisht liqeni, pasi vërshimet e dimrit, e kanë dëmtuar jashtë masë digën dhe ekziston rreziku për qarje më të mëdha në digë, që mund të jenë me pasoja, për të gjithë ata që jetojnë përgjatë lumit, sidomos në fshatin Mirushë.

Në  mbledhjen e sotme, drejtori i arsimit, Avdi Morina, tha se “testi i  maturës, është mbajtur pa asnjë problem në Malishevë, si dhe garat republikane në volejboll për shkolla’.

Po ashtu në këtë mbledhje, drejtoresha për kulturë, rini dhe sport, Blerta Krasniqi, tha se “po vazhdojnë përgatitjet për shënimin e 16 Qershorit, ndërsa kanë filluar procedurat për konkursin artistik, si dhe për mbajtjen e garave sportive, tradicionale, në futboll, volejboll dhe shah”.

Në fushën e bujqësisë, drejtori Haxhi Krasniqi, bëri të ditur se ka përfunduar projekti për ndërtimin e serrave, ndërsa janë në procedurë për projektin e shtallave për fermerë, pjesë e investimeve komunale në bujqësi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …