Skandalet e Gjykatës së Lartë që shpallën të pafajshëm Ilir Metën në aferën 700 mijë euro të publikuar nga Dritan Prifti

Skandalet e Gjykatës së Lartë që shpallën të pafajshëm Ilir Metën në aferën 700 mijë euro të publikuar nga Dritan Prifti

Nuk kanë fund skandalet e Gjykatës së Lartë me vendimin për të shpallur të pafajshëm Ilir Metën në aferën 700 mijë eurosh në videon e publikuar nga Dritan Prifti.

Gazeta Sot, ka nisur një cikël botimesh mbi seancën gjyqësore të videos Meta-Prifti, pasi për shkak të provave që u depozituan në atë seancë nga prokurori Bujar Sheshi, ndaj tij nisi një tentativë për ta larguar nga KLP. Por nëse SPAK vendos t’i rikthehet kësaj çështjeje, do ketë padyshim çudira. Gazeta tregon sot historinë se si videoja doli e pavlefshme dhe si më pas ekspertët që analizuan videon u shpërblyen me miliona euro tendera.

Më konkretisht, 2 nga 3 ekspertë në atë kohë ishin pjesë e Universitetit Kristal, piramida më e madhe universitare në vend, ku mjafton të paguaje para dhe merrje diplomën pa shkelur në auditore. “Kolegji vendosi që për realizimin e këtij ekspertimi të caktohej një grup ekspertësh sipas profileve përkatëse, i përbërë nga: a) Ardian Pollo, shef i departamentit të Elektronikës në Universitetin Kristal, pedagog i lëndës Siguria e Sistemeve Informatike, Protokollet e Transmetimit; b) Artur Rrahmani, ekspert kriminalist në Qendrën shkencore “The Experts”, Tiranë; c) Ermal Beqiri, Drejtor i Teknologjisë së Informacionit në Rektoratin e Universitetit të Tiranës dhe pedagog informatikës në Universitetin Kristal, duke mos pranuar kërkesën e prokurorit për caktimin e ekspertëve të huaj, për shkak se, nga ana e tij, përfaqësuesi i akuzës nuk paraqiti ndonjë shkak të ligjshëm apo të arsyeshëm për caktimin e ekspertëve të huaj”, thuhet në vendimin e gjykatës. Ekspertët në fjalë, deklaruan se nga ekspertimi ka një probabilitet të lartë ndërhyrje, ndërsa audioja nuk është shumë e dëgjueshme për veshin e njeriut. Edhe pse nuk thanë troç që videoja nuk është origjinale, ata në njëfarë mënyre e rrëzuan videon. Ndonëse prokuroria paraqiti prova se videoja ishte e vërtetë.

Shpërblimi i ekspertëve

Një raport auditi i Ministrisë së Financave zbuloi se përse ekspertët deklaruan se videoja mund të kishte dhe ndërhyrje. Disa prej tyre u shpërblyen mjaft mirë, kur LSI erdhi në pushtet në bashkëqeverisje me PS. Ekspertët morën tendera dhe u punësuan. Të gjithë e mbajnë mend skandalin me byzylykët për të dënuarit. Bëhet fjalë për një tender me vlerë 196 milionë lekë, që u fitua nga Bashkimi i Operatorëve: “Ratech shpk”, “Fastech shpk” dhe “Soft & Solutions”. Por tashmë në media kanë dalë fakte se pas “Soft & Solutions” fshihet Ermal Beqiraj. Eksperti që ishte te videoja Meta-Prifti. Përveç kësaj, ai u punësua nga LSI si drejtor IT në ZVRPP. Sipas investigimeve, Beqiraj ka lidhje të afërta me kompaninë “Soft Solution”, e cila ka marrë shumë tendera. Ajo ka përfituar tendera kur Beqiraj ishte pjesë e Hipotekës, e cila drejtohej nga LSI, ndërsa ka përfituar dhe dy tendera nga Ministria e Drejtësisë, që janë objekt hetimi. Tenderi për ngritjen e sistemit elektronik të përmbarimit është fituar po nga “Soft Solution” shpk & “Fastech” shpk. Pra kemi të bëjmë sërish me të njëjtat kompani. Ka dhe shumë tendera të tjera të fituar, por këta të mësipërmit janë zbuluar me shkelje dhe ka nisur një hetim penal nga prokuroria. Kjo tregon qartë se si presidenti shpërbleu njerëzit që i dhanë atij pafajësi.  (Kliti Topalli, gazeta Sot)

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …