Skënderi u lind më 25 gusht të vitit 1968. Shkollën fillore e kreu në Komaran. Ka vazhduar shkollimin e mesëm në Drenas (ish-Gllogoc) në shkollën e mesme teknike-drejtimi i makinerisë. Në mungesë të kushteve të nevojshme ekzistenciale, Skënderi nuk ndoqi studimet por u detyra të .punojë me qëllim për ta ndihmuar familjen.
Ka kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarake në kazermën e Prokupjes, në Serbi. Me profesion ishte automekanik.
Skënderi, përmes djalit të xhaxhait, Imer Alushani, ishte në dijeni të aktivitetit ilegal që po konsolidohej në Drenicë, sidomos pas vitit 1993. Sikur edhe disa të rinj të kësaj ane, Skënderi, së bashku me vëllain Enverin ishte në radhët e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Ata lexonin dhe shpërndanin fletushkën “Bashkimi”, të cilën e redaktonte udhëheqësi i Lëvizjes, Bahri Fazliu.
Ndërkohë policia serbe arreston dhe dënon me burg Imer Alushanin. Policët serbë arrestojnë edhe Skënderin dhe vëllain e tij Enverin, me pretekst të dorëzimit të armëve. Armët i kishin, thotë vëllai Skënderi, por më mirë pranuam të na maltretonin sesa të dorëzonim armët.
Familja Alushani si dhe disa familje të tjera atdhetare të Drenicës, mbaheshin kurdoherë në shënjestër të policisë okupatore serbe.
Me rastin e daljes publike të UÇK -së në Drenicë, më 28 nëntor të vitit 1997, Skënder Alushani, Skënder Bajrami nga Nekoci dhe me shokët tjerë të ilegales marrin qëndrim për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së. Fillimisht ata ishin drejtuar për në Likoc, por duke qenë se Imer Alushanit, nga Shtabi i Drenicës iu kishte besuar detyra e zgjerimit të radhëve të UÇK -së nga Komarani në drejtim të fshatrave të Drenicës jugore, Skënder Alushani sistemohet në pikën ushtarake të llapushnikut.
Së bashku me vëllain Enverin, pastaj kushëririn Imerin, Enver Mulakun, Isak Thaçin, Muhamet Ajvazin dhe me shumë trima të tjerë ka marrë pjesë në zënien e Grykës së Llapushnikut, më 9 maj të vitit 1998.
Meqë Skënderi ishte automekanik me profesion ai, përveç detyrave të tjera ndihmon në rregullimin e automjeteve, që kishte në dispozicion Pika e llapushnikut.
Zënia e Grykës në llapushnik kishte luajtur një rol shumë me rëndësi në zhvillimin dhe konsolidimin e radhëve të UÇK -së, meqë ishin krijuar korridore të forta të lëvizjeve të luftëtarëve të lirisë të cilët depërtonin në Shqipëri për të marrë armë dhe municion.
Gryka e llapushnikut mbeti beden i pathyeshëm i luftës sonë çlirimtare deri më 26 korrik të vitit 1998. Me qëllim për ta thyer këtë pikë strategjike të UÇK-së, forcat serbe më 25 korrik kishin sulmuar me shumë tanke, topa të kalibrave të mëdhenj, minahedhës 122 mm, autoblinda dhe tërë një arsenal luftarak. Gjatë tërë ditës së 25 korrikut luftëtarët e lirisë nën komandën e Imer Alushanit dhe të shumë trimave e të trimëreshave të UÇK- së, që kishin arritur në ndihmë nga shumë pika ushtarake të Drenicës, u kishin rezistuar sulmeve të pandërprera të forcave armike.
Më 26 korrik, forcat serbe kishin goditur pikën më të fuqishme të rezistencës në llapushnik. Me atë rast bien dëshmorë, komandanti i llapushnikut, Imer Alushani, luftëtari nga lladrovci, Ali Zogaj, ndërsa marrin plagë dhjetëra luftëtarë të kësaj ane.
Skënderi asokohe kishte bashkëshorten, Fidaijen shtatzënë. Ai bënte përpjekje për ta larguar gruan dhe femijët nga rrethimi, me qëllim që t’i dërgonte në një vend më të sigurt. Së bashku me mikun e tij Hajzer Hajdaraj nga Abria depërton në fshatin Gllobar, pikërisht në kohën e zgjerimit të ofensivës serbe, të filluar më 22 shtator kundër fshatrave të Drenicës rreth brezit të Qyqavicës.
Skënderi së bashku me mikun e tij, Hajzerin dhe Bajram Krasniqin nga fshati Gllobar, arrestohet nga forcat serbe, në kohën kur këta kishin filluar të largoheshin nga popullata civile e vënë në rrethim. Ndërkohë në vendin e quajtur “Fusha e Mollës”, forcat serbe pushkatojnë Skënder Alushanin, nga Komarani, Hajzer Hajdarajn nga Abria dhe Bajram Krasniqin nga Gllobari.
Skënderi ka lënë prindërit, Ademin dhe Lejlanë, bashkëshorten Fidaijen, bijat: Meritën e Heroinën si dhe djalin, Meritonin. Ai po ashtu ka lënë vëllezërit: Ismajlin, Musanë dhe Enverin, motrat: Gjylën, Dritën, Fatimen dhe Valbonën.
Familja Alushani ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së si dhe nga shoqatat e luftës. (A. Q)