Një poet i patalentuar i tregoi Volterit një poezi të dobët kushtuar, sipas tij, brezave të ardhshëm. Ma merr mendja, – i tha Volteri, se kjo poezi nuk do të arrijë në adresën e saj. Shkrimtari nuk i takon vetëm brezit me të cilin jeton, por i përket edhe brezave që vijnë. Ai mbetet i pavdekshëm kur vepra e tij përcjell mësime e mesazhe që e ruajnë përherë aktualitetin. I tillë është edhe Migjeni, poeti i këngës për rininë dhe i shpresës, i “Poemës së mjerimit” dhe i “Dhimbjes krenare”, i thirrjes për një botë të re, shkrimtari që me pak penelata, me plot detaje të qëlluara na dha mjedisin shqiptar, shqetësimet e gëzimet e njerëzve, personazhe të rinj, larg skematizimit, nga të gjitha klasat e shtresat shoqërore, me një forcë të madhe tipizuese e individualizuese, me një psikologji të pasur e botë shpirtërore të ndjeshme.
Vepra e tij dëshmon sa rëndësi ka për intelektualin të njohë jetën dhe hallet e popullit, ta pasqyrojë me vërtetësi, të përpiqet e të luftojë për t’i dhënë kah pozitiv përpjekjeve të njerëzve për të ndryshuar e transformuar botën, për të çuar më përpara lokomotivën e historisë. Në jetën dhe veprimtarinë letrare të Migjenit roli, detyrat dhe misioni i intelektualit në shoqëri janë parë e trajtuar në disa këndvështrime dhe çdo njëri, kur e lexon dhe e studion atë, ka çfarë mëson e përfiton prej saj.
Shqetësimi i intelektualit për fatet e vendit duhet të jetë i përhershëm
Migjeni nuk është pasiv. Si intelektual është vëzhgues i thellë dhe i hollë i jetës shqiptare dhe e pasqyroi atë me të gjitha ngjyrimet e saj, me kontradiktat e problemet e saj. E për ta bërë sa më të plotë këtë, ai i jep pamje që të rrënqethin, të trishtojnë dhe të bëjnë të urresh akoma më shumë “kalbësirat e vjetra të shekujve”. Migjeni tërheq vëmendjen e intelektualëve të tjerë dhe sikur u drejtohet: “A nuk po e kuptoni se ku po shkon Shqipëria, si janë ndryshuar njerëzit, si është transformuar karakteri i tyre? A nuk po ndjeni dhembje për të?” Ai ishte i indinjuar për fatet e kombit të mbetur në zi, të pazhvilluar, të skamur, të shtypur, në krizë e papunësi, në injorancë e shumëlypësi. Aktakuza ndaj shkaktarëve të kësaj gjendjeje është e thellë, e mprehtë, e rreptë, e pamëshirshme.
Kushtet e vështira të jetës, dashuria për jetën i detyruan shqiptarët të humbasin shumë cilësi pozitive të trashëguara brez pas brezi dhe në luftë për t’i kapërcyer, ata bëhen indiferentë, të rreptë, mospërfillës. Përulet, bëhet servil malësori për një kokërr misër; shesin nderin Lukja, gruaja e Kolës e të tjera për të siguruar kafshatën e bukës. Mesazhi i Migjenit është: Të gjithë, por në mënyrë të veçantë intelektualët duhet të bëjnë më shumë dhe të vihen në ballë të përpjekjeve të kombit për zhvillim e progres, për t’i ruajtur e konsoliduar më tej traditat më të mira të shqiptarit.
Migjeni ka meritën që dha në prozën e tij idenë e kotësisë së pseudoitelektualëve për t’i sjellë dobi çështjes shqiptare, siç është Nushi tek novela “Studenti në shtëpi”. Përshkrimet e goditura të mjedisit të shtëpisë së tij: “Po ato kumbulla, hardhi, po ato mobilje” – është fjala kur kthehet nga studimet jashtë shtetit tregojnë se intelektualë të tillë e kanë të vështirë të ndryshojnë mentalitetin e tyre. Atyre u mungon guximi, vendosmëria për të fituar mbi mjedisin patriarkal, ku janë lindur, rritur dhe jetojnë. A nuk po ndodh kështu edhe me një pjesë të intelektualëve tanë sot?!…
Kurajo inelektuale
Migjeni i shpreh mendimet e tij troç, thjesht, pa deklarata të bujshme. Idetë e tij shquhen për qartësinë, guximin, largpamësinë dhe forcën përgjithësuese. Ai nuk pati frikë të shkruante të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.
Shkrimtari apo intelektuali bëhen më të guximshëm kur i mbështet dhe inkurajon opinioni. Kjo e rrit edhe përgjegjësinë e tyre. Kështu ndodhi edhe me Migjenin. Ai pati mbështetjen dhe simpatinë e dhjetëra intelektualëlëve demokratë, brenda dhe jashtë vendit, të qindra njerëzve të thjeshtë që e lexonin me dëshirë dhe pasion krijimtarinë e tij letrare, e cila botohej në gazetat dhe revistat e kohës. Migjeni qe një nga ata intelektualët e rrallë shqiptarë që nuk rrojnë dot pa u dalë në mbrojtje hapur bindjeve të tyre në të gjitha fushat. Frika ul kapacitetin krijues. Frika t’i largon përkrahësit. Frika dhe guximi përjashtojnë njëra-tjetrën. Për Migjenin është i papranueshëm dyzimi i personalitetit të çdo njeriu, por në mënyrë të veçantë i intelektualit. Ndryshe të flasin apo të shkruajnë, ndryshe të veprojnë.
Morali intelektual, përgjegjësia intelektuale, analiza intelektuale, parashikimi dhe shpresa intelektuale – janë parimet bazë nga të cilët duhet të udhëhiqen intelektualët. Vetëm kështu fitojnë besimin e njerëzve.
Kur Migjeni shkruan “Të lindet njeriu”, nuk është fjala për një person, por për një ide të re, për një frymë të re, për një filozofi të re, për një botë të re. Për Migjenin ky njeri është “pa hyll në ballë, por me fjalë të pushton”. Ky njeri të frymëzon për të luftuar për një të ardhme të ndritur. Ai nuk është i mbinatyrshëm, as i lindur nga Zoti, por një njeri që lind dhe rritet mes nesh. Një njeri i zakonshëm, por që ngrihet mbi të tjerët me idetë e reja që ka përqafuar dhe kjo e bën të dallohet nga të tjerët. Është modeli i intelektualit që u ndez zemrat peshë njerëzve, që u prin në betëja të ashpra me guxim dhe për fitore e flijon jetën e tij. Vuajtjet e popullit janë edhe vuajtjet e intelektualit dhe për t’iu dhënë fund atyre duhet të ngrihet me kurajo. A thua kur do ta kenë shqiptarët një njeri të tillë në krye?!… Për Migjenin vuajtja është turpi i botës dhe ajo duhet urryer që të mund të asgjesohet.
Një shkrimtar dhe intelektual që kërkon hapësira dhe dimensione të reja i thyen rregullat klasike në art dhe tabutë në jetën shoqërore
Me temat e reja, me problematikën sociale, me thellësinë e mendimeve, me karakteret tipike në rrethana tipike, me figurat e reja që përdori, me vargun e ri, me rimën e re – Migjeni u bë shembull për të gjithë shkrimtarët shqiptarë të viteve `30. Me fjalorin e tij poetik, me përshkrimet e goditura shprehu idetë e reja, hapësirat e dimensionet e reja të jetës shqiptare, dukuri, veçori, karakteristika dhe elementë që nuk ishin trajtuar më parë.
Përmbajtja me formën, tipikja me individualen, e madhërishmja me të ultën, e bukura me të shëmtuarën, proza me poezinë, ideja me figurën plotësojnë njëra-tjetrën, duke shprehur me forcë qëndrimin ideoemocional të shkrimtarit për kompleklsitetin e jetës shqiptare, çfarë e bën veprën e tij unike, origjinale, me vlera universale, të qartë e të kuptueshme. Vepra e Migjenit i ngjan një romani, ku pika e lidhjes është jeta e popullit, zhvillimi i veprimit, janë vuajtjet dhe varfëria e tij, duke arritur kulmin me thirrjet e fuqishme të tij për “botë të re”, “epope të re”. Zgjidhet me vizionin e tij për të ardhmen e lumtur të shqiptarëve. Një shans i ri, një ditë e re, një epokë e re duhet të lindë për shqiptarët e lodhur, të vuajtur e të raskapitur. Veçse kjo mund të bëhet realitet me njerëz të rinj, me mentalitet të ri, me udhëheqës të rinj… Sa më shpejt… se shqiptarëve u është sosur durimi, po emigrojnë çdo ditë jashtë vendit në kërkim të një jetë më të mirë e më të lumtur.
Migjeni vdiq i ri, pikërisht atëherë kur ai kishte arritur pjekurinë si shkrimtar, ishte formuar si intelektual, në kulmin e energjive të tij kur të gjithë prisnin vepra të reja. Por ai nuk vdiq, jeton në shpirtin e në ndërgjegjen e popullit të tij. Jeton me mesazhet e tij që janë aktuale edhe në ditët e sotme.
Ah, sikur të kishte shumë Migjenë sot Shqipëria! Sa nevojë ka për ta!…
( Autori është Shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë)