Në Bashkinë e Tropojës u organizua ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi”, Shaban Haxhi Demalisë dhe Murat Pacit, ku merrnin pjesë vajzat e Shabanit, Gjerovica dhe Ujeza, nipat e tij, Donald dhe Skënder Demaliaj, drejtuesit më të lartë të Bashkisë, miq dhe të afërm, si edhe banorë nga Bytyçi.
SHABAN HAXHIA (DEMALIAJ)
Ka lindur në Pac (Bytyç – Malësi e Gjakovës), më 15 prill 1916.
Shkollën fillore e mbaroi në Kolgecaj, internatin në Krumë.
Shtator 1936 – prill 1937 në kursin e rojes së kufirit në Shkodër, në të cilin mori gradën tetar.
Komandant poste Pogradec – Jergucat.
Larguar nga detyra, më 15 korrik 1939.
15 korrik 1939 – nëntor 1939, ilegal në Malësinë e Gjakovës dhe në Pukë.
Nëntor 1939 – prill 1941, emigrant politik në Valeve (Jugosllavi)
Prill – korrik 1941, në burg në Tiranë.
Shtator 1941, komandant i Njësitit Antifashist të Bytyçit
Maj – dhjetor 1942, i ngarkuar politik nga Komiteti Qarkor i Partisë së Gjakovës për Malësinë e Gjakovës.
Mars 1943, komisar i Çetës së Malësisë së Gjakovës.
Korrik 1943, komandant i Çetës “Bajram Curri”.
9 Nëntor 1943, komandant i batalionit “Bajram Curri”.
15 janar 1944, zëvendëskomandant i Aradhës “Curri-Rexhepi”.
5 korrik 1944, zëvendëskomandant i batalionit “Kosova”.
13 tetor 1944, Zëvendëskomandant dhe Kryeshef i Brigadës së Katërt Kosovare.
11 nëntor 1944, Komandant i Brigadës së Shtatë Kosovare.
Pas vitit 1945 punoi në sektorin pёr Kosovёn.
Doli në pension të parakohshëm në vitin 1966, në moshën 50 vjeç.
U nda nga jeta, më 27 qershor 1971, në vendlindjen e tij Pac.
MURAT PACI, FOLKLORISTI DHE LEKSIKOGRAFI I PARË NË MALËSINË E GJAKOVËS
Murat Paci lindi, më 10 janar 1918 në Pac të Tropojës, Krahina e Bytyçit.
I ka mbledhur këngët popullore kur ishte në gjimnazin e Shkodrës. Nxënësve të këtij gjimnazi në lëndën e folklorit u kërkohej të gjenin këngë nga krahinat e tyre dhe t’i dorëzonin pranë mësuesit kur mbaronte programi. Për këtë ata merrnin vlerësim të veçantë. Mësuesit që e jepnin këtë lëndë i mësonin nxënësit e tyre: si t’i mblidhnin, t’i shkruanin këngët të plota, në formën dialektore, siç ishin, të jepnin të gjitha variantet e tyre, nëse kishte, të sqaronin si këndohej, me çifteli apo lahutë, nga kush i kishin marrë: emri, mbiemri, mosha, vendi, viti e ndonjë shënim tjetër i veçantë. Kjo teknologji është ndjekur me rigorozitet shkencor nga Murat Paci. Është kjo arsyeja që e themi me plot gojë dhe me kompetencë shkencore se Murat Paci është folkloristi i parë i Malësisë së Gjakovës.
Siç ka shkruaj studiuesi i Kosovës, Prof. Dr. Zymer Neziri: “Është në një radhë me mbledhësit dhe botuesit e këngëve të eposit tonë të kreshnikëve midis luftërave botërore: Bernadrin Palaj, Donat Kurti, Karl Gurakuqi, Filip Fishta, Hasan Reçi” (Neziri, 2006: 114-115).
Këngët që ai ka mbledhur janë në koleksionin e Albert Lordit, në Universitetin e Harvardit, me të cilin u njoh kur ishte në gjimnazin e Shkodrës. Murat Paci i mblodhi këto këngë në Malësinë e Gjakovës në vitet 1934-1935. Ka këngë të kreshnikëve, dy balada, një këngë epike historike dhe një këngë lirike. I mori nga Alush Alia (një këngë), nga Rexhep Ahmeti (tri këngë). Alush Alia ishte 45 vjeç nga Kolgecaj, lahutar, ka kënduar këngën “ Imer Aga i ri” me treqind vargje. Kënga sjell: zhdukjen e kreshnikëve nga kjo botë. Tri këngët e Rexhep Ahmetit nga Shipshani dallohen për nga gjatësia, kanë afërsisht 1500 vargje me personazhe: Ali Bajraktari, Talime Devjoka, Kune Devjoka. Libri XI i koleksionit të Lordit, pra fletorja e Murat Pacit ka këtë titull nga mbledhësi: “Teli i lahutës”. Nëntitull është emri “Murat Paci”. Në faqen vijuese është edhe ky mendim, kushtuar lahutës dhe epikës shqiptare: “Prej telit të lahutës shqiptare mos pritni veç tre tinguj: “nder, besë, burrni”, virtyte që i përkasin vetëm shqiptarëve. M. P.” (Neziri, 2006: 116).
Albert Lord ka bashkëpunuar me lahutarë nga Malësia e Gjakovës: Ali Hyseni, 60 vjeç, nga Geghyseni, ka dy këngë të shënuara prej tij. Ai dinte 13 këngë të kreshnikëve. Ka bashkëpunuar me Mustafë Isufin, 70 vjeç, nga Kami, ka marrë një këngë prej tij. Ky dinte 10 këngë të kreshnikëve. Ka takuar Lush Hoxhën, 65 vjeç, nga Paci, i cili dinte 18 këngë të kreshnikëve, por nuk ka marë asnjë këngë prej tij. Ka bashkëpunuar me Sokol Martinin, 38 vjeç, nga Brica, i cili dinte 33 këngë të kreshnikëve. Ka mbledhur 5 këngë nga Marash Nika, nga fshati Pecaj, ka shënuar tri këngë prej tij. Gjithnjë sipas Prof. Dr Zymer Nezirit: “Koleksioni i Albert Lordit është shënuar në 12 fletore. Fletoret 9, 10, 11 nuk janë të tij, por u përkasin bashkëpunëtorëve të tij nga Shqipëria e Veriut: Qamil Hoxhës nga Bicajt dhe Murat Pacit nga Bytyçi. Ata kanë gjithsej 14 këngë, 10 janë këngë kreshnikësh. Libri IX, X është i Qamil Hoxhës dhe ka 6 këngë. Libri XI është i Murat Pacit dhe ka 8 këngë. Libri XII është vetëm indeks i 100 njerëzve të shënuar nga Albert Lordi… Koleksioni i tij ka 53 këngë të kreshnikëve, 4 balada, 18 këngë epike historike, 2 këngë lirike. Gjithsej 22.645 vargje, prej të cilave 20.445 vargje të ciklit të kreshnikëve, të cilat janë kënguar nga lahutarët: Ali Hyseni (Geghysen), Alush Alia (Kolgecaj), Shaban Kadria (Kolmeshaj, Gash), Ukshin Zmajli (Viliq, Bytyç), Sokol Martini (Bricë), Marash Nika (Pecaj)” (Neziri, 2006: 103-104).
Ka mbledhur fjalë dhe shprehje frazeologjike nga Malësia e Gjakovës.
U vra nga shoqëruesit e Xhafer Devës, më 16 nëntor 1943 brenda mjediseve të Bashkisë së Prishtinës. Është Dëshmor i Atdheut dhe shkolla e mesme në Pac mban emrin e tij.