Ata të cilët janë kundër bashkimit së Luginës së Preshevës, Kosovës Lindore me Kosovën janë edhe kundër Bashkimit Kombëtar pasi Bashkimi kombëtar do të thotë bashkim i të gjitha trojeve shqiptare, ku troje shqiptare janë edhe Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.
Në Shqipëri filloi të flitet për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën vetëm kur doli në skenë UÇPMB-ja
Shqipëria dhe Shteti politik shqiptar i Shqipërisë as si Mbretëri, as si Komunizëm dhe as si Demokraci asnjëherë ,kurrë deri me sot nuk kane kërkuar Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Shqipëria kurrë nuk ka luftuar me Serbinë, dhe shqiptarët e Shqipërisë kanë qenë shumë ,shumë pak të informuar dhe të painteresuar për krimet, genocidin dhe barbarinë mbi 100 vjeçare serbe në Kosovë prej të cilave kanë pësuar kosovarët.
Politika e Tiranës ka parë gjithmonë vetëm interesin e ngushtë personal të saj , dhe jo vetëm politika por as edhe shoqëria shqiptare në Shqipëri nuk ka pasur dijeni se ku ndodhen dhe se a ka shqiptarë dhe a janë troje shqiptare Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Kjo është e vërtetë dhe e vërteta duhet thënë edhe tani pasi është më se i nevojshëm edhe sot ndërgjegjësimi kombëtar i shqiptarëve të Shqipërisë të cilët i kanë borxh historik Kosovës, Preshevës, shqiptarëve të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Çamërisë pasi janë rezistenca, qëndresa dhe sakrificat mbinjerëzore të tyre prej të cilave erdhi Pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912.
Shqiptarët e Shqipërisë akoma janë indiferent dhe mosmirënjohës për këtë fakt pasi ata nuk kanë pësuar vetë krimet dhe genocidin sllavo-grek dhe as nuk është se kanë bërë ndonjë luftë apo sakrificë të madhe as luftarake, as politike dhe as diplomatike për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre jashtë Shqipërisë, dhe prandaj nuk përbën çudi fakti i një farë edhe serbo e grekofilizmi politik, kulturor, mediatik, fetar e intelektual të hapur e të fshehur që jo pak ka në Shqipëri.
Vetëm kur doli në skenë UÇPMB-ja, Ushtria Clirimmtare e Preshevës ,Medvegjës dhe Bujanocit nga Shqipëria filluan të dëgjohen shprehjet e çudisë: “pse paska shqiptarë edhe atje”?!
Shteti shqiptar asnjëherë nuk ndërtoi as platformë, as strategji dhe nuk pati përkushtimin e duhur dhe serioz politik, diplomatik, ekonomik e ushtarak për çështjen shqiptare. Madje nga shteti shqiptar i Shqipërisë edhe te shqiptarët e trojeve etnike shqiptare dhe në diasporë është eksportuar dhe u është dërguar edhe atje politika përçarëse dhe ngatërrestare e Tiranës duke dëmtuar edhe unitetin kombëtar të tyre në preferenca e ndasi të dëmshme politike e ideologjike zogiste, enveriste, berishiste, nanoiste etj.
Për Preshevën aq shumë u interesua edhe politika aktuale e Tiranës sa që qeverisja Rilindja Socialiste propozoi nja 50 mijë euro “ndihmë” për maternitetin e Preshevës.
Para disa ditësh Presidenti i Kosovës z. Thaçi citoi mundësinë e bashkimit të Luginës me Kosovën, dhe menjëherë pati reagime kundër idesë së Bashkimit të këtyre tri komunave shqiptare me Kosovën edhe nga politikanë të Tiranës, por pikërisht nga ata të cilët kurrë nuk kanë përmendur dhe as nuk kanë kontribuar aspak për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës, madje nga PD, Deputetët e saj braktisën edhe parlamentin kur ishte në shqyrtim çështja e miratimit të vënies në dispozicion të NATO-s të aeroporteve të Shqipërisë për bombardimin e ish-Jugosllavisë për çlirimin e Kosovës, dhe kur po ish-presidenti Berisha shkeli embargon e naftës mbi Serbinë.
Ku ishin dhe pse nuk u dëgjuan kurrë për Preshevën, Medvegjën, Bujanocin as Berisha, as Nano, as Rama, as Nishani e as Meta këta farë burrecshtetas “patriotë” të mëdhenj si edhe të tjerë “filosofistë” e opinionistë si Ngjela, Kokëdhima etj., dhe madje as edhe nga ata “meritorë” të tjerë të cilët u dekoruan me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë për meritën e “bërjes së asgjëje për Kosovën”, por vetëm për faktin se ishin dhe janë politikanë dhe miq, shokë e bashkëpunëtorë politikë e biznesesh të njëri-tjetrit.
Për Luginën po flasin tani pikërisht ata që nuk dinë asgjë dhe nuk kanë asnjë pikë njohurie, ndjesie e respekti, përgjegjshmërie e ndjesie humane e vëllazërie dhe këta janë jo pak politikanë shqiptarë të cilët kundërshtuan me lloj-lloj alibirash e fantazirash injorante dhe papërgjegjshmërie duke u shprehur kundër bashkimit të Luginës me Kosovën.
Politika dhe politikanët e Tiranës kanë bërë ndonjë vizitë në Preshevë vetë sa për dukje ku kanë marrë respektin dhe pritjen vëllazërore të preshevarëve por në fakt ata nuk kanë treguar asnjëri prej tyre interesim e përkushtim për përmirësimin e statusit të lirive dhe të të drejtave njerëzore dhe humane e kombëtare të tyre. Por nuk po kuptohet se ku i kanë fijet dhe “hallin” edhe opozitarët, politika, analistët dhe disa media edhe të Kosovës të cilat deklarohen kundër Bashkimit të Luginës me Kosovën?!
Politikanët e Tiranës janë mjaftuar vetëm me ndonjë pritje disa minutshe nëpër zyrat e parlamentit, të qeverisë e të ndonjë selie politike partiake, dhe vetëm kaq të përfaqësuesve të Preshevës, dhe po me vetëm me kaq ka përfunduar edhe patriotizmi siperfaqësor i tyre.
Popullsia shqiptare e Luginës është komuniteti më i persekutuar dhe më i diskriminuar në Evropë të cilit i rrezikohet mbijetesa dhe ekzistenca nën Serbi.
Pse politika e Tiranës dhe e Shqipërisë deri më sot kurrë nuk u interesuan për liritë dhe për statusin e shqiptarëve të Luginës, por politikanët e pushtetarët shqiptarë si në Tiranë edhe në Prishtinë “krenohen” ndërkombëtarisht për liritë dhe të drejtat që kanë serbët dhe komunitetet minoritare të tjera në Kosovë si askund tjetër në Botë.
Tirana dhe Prishtina politike as sot akoma nuk janë në gjendje as që ta marrin me luftë Luginën, por as nuk janë në gjendje as që t’i mbrojnë dhe të kërkojnë për shqiptaret e Luginës ashtu sikurse bën Beogradi për serbët e Kosovës.
Dhe në këtë realitet çfarë duan, intrigojnë, shpifin dhe pengojnë jo vetëm politikanët e pushtetarët nga Tirana e Prishtina por edhe langojtë opinionistë e mediatikë të cilët shprehen dhe deklarohen kundër bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.
Pra, çfarë kërkojnë këta zhurmues të pa hajër e rrëmujëxhinj mediatik të cilët nuk kanë bërë asgjë për çështjen kombëtare përveçse dëm, zhurmë, llafollogji e llapazani shterpë. Thaçi ka të drejtë kur shprehet për bashkimin e Luginës me Kosovën dhe duhet mbështetur ashtu sikurse nje gjë të tillë ta kërkonte edhe cilido shqiptar dhe jo vetëm politikan.
Kërkesa për bashkimin e Preshevës me Kosovën ka avantazhin e vet të madh pasi së pari ajo e ndërkombëtarizon problemin shqiptar dhe ekzistencën e tij në Luginë; së dyti duke kërkuar maksimumin, Bashkimin e Preshevës me Kosovën i cili është shumë i vështirë për t’u arrirë pa pëlqimin e shteteve të fuqishme euroatlantike, por ama kjo kërkesë është presion si ndaj ndërkombëtarëve ashtu edhe për serbët sepse u thuhet drejtpërsëdrejti dhe u kërkohet me të drejtë se: ju po na flisni shumë dhe po kërkoni dialog dhe për bashkësi komunash serbe në Kosovë,por që të bëhen këto atëhere duhet që po këto të drejta t’i kenë edhe shqiptarët e Luginës.
Besoj se nuk është shumë e nevojshme për ta argumentuar më tej se Lugina dhe popullsia shqiptare e saj ka të drejtën kombëtare të pamohueshme për të fituar liritë dhe të gjitha të drejtat kombëtare atje si dhe Bashkimin e saj me Kosovën.
Nuk e di se ku e gjejnë justifikimin dhe guximin ata shqiptarë të cilët ngurrojnë dhe madje edhe shprehen kundër këtij bashkimi. Këta mjeranë e frikacakë që nuk janë në gjendje për të bërë asgjë, janë si puna e atyre djerrakohësve patriotë të cilët flasin klubeve e kafeneve të Tiranës e Prishtinës dhe shkruajnë në ndonjë gazetë e portal si dhe rrahin gjoks në azil për patriotizëm e atdhe por që nuk kontribuojnë gjë tjetër veçse ngatërresa, fantazira, trille e pengesa kombëtare.
Kush është kundër dhe kush hesht e nuk është për Bashkimin e Preshevës me Kosovën ata janë të pa turp sepse kjo provon se ata nuk janë fare të interesuar as për shqiptarët e trojet e tjera shqiptare jashtë shtetit të Shqipërisë e Kosovës si në Maqedoni, Mal të Zi e në Greqi por u intereson vetëm interesi i vet politik dhe interesi për pushtet të korruptuar .
Kjo shpurë shqipfolësish kundra Bashkimit të Luginës me Kosovën është konform dhe në përputhje me “shqetësimin” sllavo-grek të cilët po i tmerron fakti se me Pavarësinë e Kosovës ka filluar zgjidhja e problemit të pazgjidhur akoma në Ballkan, i cili është problemi shqiptar i krijuar 100 vite më parë padrejtësisht nga Europa dhe i zbatuar me ndihmën po të Europës dhe mbajtur i copëtuar nën pushtim me mizori, krim, terror e genocid nga shtetet fqinje shoviniste antishqiptare.
(Skënder Sadri KAPITI është autor i librit, “TRIUMFI I KOMBIT”)