Skënder Petro Luarasi, u lind në Luaras të Kolonjës më 19 janar 1900, vdiq më 27 prill 1982. Ka kryer arsimin fillor shqip në Korçë e Negovan (1909-1911) dhe më pas studjoi në Robert Kolegj, Stamboll, Turqi (1912-1913), Internacional Kolegj-Springfield Mass etj, në ShBA (1916-1920), kreu Gjimnazin Klasik, Fraishtadt, Austri (1922-1926) dhe u diplomuar në Fakultetin e Filologjisë, Vjenë, Austri më 1930.
Skënder Petro Luarasi e ka nisur aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Brezi përparimtar i viteve 30-të e dallon si arsimtar, publicist, gazetar, përkthyes, dramaturg dhe si drejtues e bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit përparimtar. Ai ka qenë editor-përgjegjës në revistat: Studenti ShBA, 1920, Djalëria, Austri, 1927-1928 dhe kryeredaktor i revistës Vullnetari i Lirisë Spanjë, 1937, organ i vullnetarëve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës. Mbas çlirimit të vendit, është nismëtar në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe anëtar i Kryesisë deri në nëntor 1949, kur u përjashtua për disa vjet nga Lidhja për qëndrimin e tij antikonformist ndaj metodave e qëndrimeve jodemokratike që ndiqte Kryesisë e Lidhjes në fushën e letërsisë e të arteve e nënshtruar ndaj diktatit të partisë në pushtet. Deri në vitin 1992 veprimtaria e tij (monografi, publicistikë, drama, studime dhe kritikë letrare e historike) botohej pjesërisht (kryesisht përkthimet) dhe nuk analizohej nga pikëpamja shkencore. Për veprimtarinë e tij të shquar patriotike- antifashiste-demokratike, edukative e letrare është nderuar me urdhrat e lartë: Urdhëri i Flamurit (1960) dhe Nderi i Kombit (1996).
I njohur në letrat tona për monografitë e shkëlqyera, të faktuara e të dokumentuara, Skënder Luarasi ka lënë pas shumë vepra me rëndësi shkencore, shoqërore e kombëtare. Ai, një jetë të tërë ia ka kushtuar kombit e atdheut, luftës për liri, drejtësi e barazi. Si biri i babait të njohur të Rilindjes dhe filleve të arsimimit kombëtar, Petro Ninit të Lavdishëm, Skënderi me përgjegjësi dhe dinjitet kombëtar e njerëzor vazhdoi rrugën e babait dhe në këtë drejtim u shqua me një kontribut madhor, pa kursyer asgj[ nga vetja e tij dhe duke vënë interesin e kombit mbi të gjitha.
Skënder Luarasi ka shkruar dhe ka botuar veprat:
1.Isa Boletini, monografi
2.Ismail Qemali, monografi
3.Motrat Qiriazi, monografi
4.Kolonel Thomson
5.Petro N. Luarasi, jeta dhe vepra
6.Migjeni, jeta dhe vepra
7.Gjerasim Qiriazi, jeta dhe vepra
8.Sevasti Qiriazi, vepra
9.Në Brigadat internacionale
10.Agimi i Lirisë-dramë (e shfaqur me 1932)
11.Stuhi në prill-dramë (e shfaqur me 1971)
12.Fjala shqipe-publicistikë
13.Fjala e lirë shqipe (publicistikë e studime)
14.Kujtime historike
15.Kujtime autobiografike (Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar)
16.Tri jetë, Koloneli Tomson.
Skënder Luarasi: Kujtime ”Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’, pjesa e parë
( Në shkollën shqipe të Negovanit)
Me punë në shkollë, në lëmë e në arë dhe në shoqërinë e ngushtë të botës sonë, babai mbushi një mot në mes të familjes që kur u kthye nga mërgimi. Në punë shtëpiake, babai qe nga më të zotët e më të shkathtit. Si mjeshtër e si bujk thoshin se mund t’ia kishte kaluar vetëm i ati, Nini, prej të cilit qe edukuar.
Atë vjeshtë, patriotët e klubit ”Dituria” e thirrën Petro Luarasin të çelte shkollë shqipe në Manastir. Gazeta ”Bashkimi i Kombit” e shpalli lajmin se me sa gëzim dëgjuan që Petro pati arritur atje shëndoshë e mirë. Porse xhonturqit nuk dhanë leje të çelej shkolla shqipe e veçantë në qendër të Vilajetit. Ata lejuan vetëm të mësohej shqip në gjimnazin turk. Këtë babai nuk e pranoi dhe qëndroi në Manastir si redaktor i gazetës ”Bashkimi i Kombit” gjer në nëntor të vitit 1909.
Këtë muaj pleqësia për çeljen e mësonjëtores shqipe të Negovanit ( kryeplaku Sotir Kristo dhe anëtarët: Sotir A. Xoxe, Nasho Tipe, Gjeorgji A.Dhimo dhe Kristo S. Radimishi iu lutën Petro Luarasit të vinte në fshatin e tyre të çelte shkollë shqipe dhe ai pranoi me gëzim.
Botuesi i gazetës ‘’Lidhja ortodokse’’ Mihal Gramenon lajmonte:‘’Më 30-të të vjeshtës së tretë u çel shkolla shqipe (e Negovanit) pas sistemit pedagogjik me tre rjeshta, hë për hë nën drejtim të atdhetarit të flaktë z.Petro Nini Luarasit…’’(*)(*) Lajmet e të rat e vendit, Lidhja ortodokse, 16 dhjetor 1909 f.3 . Ndërsa në një letër pleqësia e Negovanit shkuante: ’’…më 30 të Brumorit (nëntorit), sot të hënën, nënë direksi të nderçmit atdhetar dhe të shumëvojturit mësonjës z.Pjetri Nini Luarasi…hapi dyertë Mësonjëtorja Shqipe e shumë pësonjësit katundit tënë Negovan, dhe zër i ëmbël i abecesë shqipe ep e merr nëpër buzët e ëngjëllta të fëmijëvet tanë… (*) Kur u çel shkolla shqipe e Negovanit, pati mësues-drejtor Petro Nini Luarasin dhe ndihmës Mihal Zikostathllarin. (*) gazeta ‘’Liria’’, nr.66, 1909.
Që prej tragjedisë së Ilindenit kur në luftë midis andartëve dhe komitaxhinjve bullgarë u dogj një mëhallë e tërë ku u shuan familje të tëra shqiptare dhe gjer në tragjedinë e 12 shkurtit 1905, ishin vrarë rreth dyzet e pesë patriotë shqiptarë se s’kishin pranuar të ndryshonin kombësinë e tyre. Barbarëve nuk u mjaftoi kjo
tragjedi. Beharin e 1909-ës, andartët vranë patriotin Terja Tava dhe plagosën rëndë në Manastir të nipin e Papa Kristos, Papa Vasilin. Më 14 shtator ditën e Kryqit, kur Papa Vasili filloi meshën e Spironoit, Papa Thanasi i ndihmuar nga andartët grekë të Kristasi Dhoksojanit, e shtriu priftin shqiptar përdhe në mes të kishës dhe nisën ta rrahin me dru. Në rrëmujë e sipër u vra grekomani Papa Thanasi dhe u plagosën i vëllai Kol Joti dhe dhaskali grek Stavre Zëmërdeshi. Grekomanët që u arrestuan u liruan më 12 shtator 1909. Papa Vasili vdiq në burg duke qenë në Manastir.
Të tre ne, babai, Dhimitri e unë, morëm pjesë në varrimin madhështor që pregatitën shqiptarët e Manastirit, të krishterë e muhamedanë. Para se të nisej prej hotelit ”Liria” për në Negovan, Telemak Gërmenji e pyeti
Petro Luarasin: ”Po s’ke frikë mos të të vrasin edhe ty?” Dhe ai iu përgjegj: ”S’ka gjë. Sa më shumë të na vrasin aq më shumë do të shtohemi” dhe me të dy bijtë e tij u nis për në Negovan.
Më kujtohet: Atë pasdreke kur qemë duke hyrë për të parën herë në fshatin Negovan na treguan se katër-pesë zotërinj që po shëtisnin kundrejt nesh ishin drejtori dhe dhaskenjtë e shkollës greke. Babai zbriti nga kali, iu afrua, e i përshëndeti miqësisht në gjuhën greke. Por ata nuk begenisën as të kthejnë sytë e të na shihnin.
Ky qe një deklarim i heshtur lufte, që ditën e parë.
Një tjetër rast më pastaj: Babai dhe unë po ngjitnim shkallët e larta të pazarit kur vumë re se sipër po priste dhaskali Petro Samarina që priste të zbriste sa të largoheshim ne. ”Kalimera sas!” e përshëndeti mësuesi i shqipes, por i greqishtes heshti.
”Pse nuk më flisni?” e pyeti i shqipes.
”Dhen me afisun”,(*) iu përgjegj Petro Samarina.
”Po mua përse më lenë?” e pyeti Petro Luarasi
”Esis isthete eleftheri”.(*)
Gazeta ‘’Lidhja ortodokse’’ shkruante:
‘’Një letër të gjatë që muarëm nga Negovani prej atdhetarit të flaktë z.Petro Luarasi na lajmëron që grekomanët me ndihmën e madhe të dhespotit të Kosturit kërkojnë të përsëritin të vjetrat…Siç na shkruan zoti Luarasi aty përpara në një dasmë q’u bë atje me gjithë të luturat q’i bëri dhespotit fshati, ai ndaloi priftin të kurorëzojë këtë dasmë e kështu u shtrënguan të marrin një prift bullgar.
Fshati për së shpejti kërkon nga qeveria t’i njihet një prift shqiptar e kështu të mos ngjasë ndonjë turbullim. Për këtë, thotë zoti Luarasi, duhet të lëvizë edhe ”Lidhja Orthodhokse” që bashkërisht të përpiqen për të drejtat se me udhën që ka zënë Patrikana kurrë nuk do të na jepen të drejtat Përgëzojmë pra atdhetarët Negovanas për ndjenjat kombëtare edhe të rinj-martuesve u urojmë trashëgim e jetë të gjatë (*)
(*)Lidhja ortodokse, 5 janar 1910, f.4
Andartët i zinin pusi babait përherë e kudo. Veçse tani jo vetëm patriotët shqiptarë por edhe grekomanët nisën ta simpatizojnë mësonjësin e shqipes, të pakën si njeri. Një prind i quajtur Kristo, vjehrri i kapedanit andart Ilo, i dërgoi të bijtë në shkollën shqipe. Në mbrëmje na ftoi edhe për darkë. Vamë. Porse, pa shkuar një gjysëm ore, djali i myftarit shqiptar, Nasho Tipes, erdhi dhe i pëshpëriti babait në vesh që shpejt të iknim. Babai shpiku një shkak, i lypi ndjesë Kristos, iu fal nderjes për ftesën dhe u ngritëm e shkuam. Ecëm përmes sheshit të xhamisë, kapërcyem urën, ngjitëm shkallën e madhe shpejt e shpejt dhe qëndruam në sheshin e pazarit sa të merrnim frymë. Sandejmi pamë tre veta të armatosur tek unjeshin prej mëhallës së sipërme, anës lumit, duke ecur dhjetë-njëzet hapa larg njëri-tjetrit. Hynë në shtëpi të Kristos.
Kur e pyeti babai Kriston për këtë vizitë të papandehur, ai iu përgjegj duke thënë:
”Po, qe Iloja. E thirra edhe atë. Desha të njheshit, të flisnit e të bënit që të ndjekë edhe dhëndëri im shembullin e Spiro Bellkamenit”. Vërtet, Kristoja qëndroi besnik i partisë shqiptare dhe qëllimi i tij duhet të ketë qenë i ndershëm. Sa për Ilon ai u largua në Amerikë atë mot. Por kur plasi lufta ballkanike, kapedan Ilo Pine (Opullos), tok me Xhoxhi Çarrën, u nis vullnetar për në ushtrinë greke veçse nuk arrinë dot, u mbytën në oqean.
Ndërsa mësuesit e shkollës greke i mbanin nxënësit mbyllur që në fillim e gjer në mbarim të lndëve, ata të shkollës sonë shqipe na nxirrnin për shëtitje çdo javë.
Marshonim duke kënduar: ”Merr uratën bir prej meje”, ”O trima luftëtarë”, ”Sa të rronjë gjithësia”, ”Shkronjat tona janë të arta”. Vjershat e Gjerasim Qiriazit: ”Ditët e djalërisë”, ”Djal i varfër” dhe ”O mëmëzë”, s’kishte nxënës që të mos i dinte përmendsh. Meloditë e tyre mbushnin udhët e buçisnin nëpër sheshet e kodrat e Negovanit.
Drejtori, Petro Nini jipte këndim dhe histori; ”Istorinë e Skënderbeut”, ”Bagëti e bujqësi”, ”Lulet e verës”, ”Kristomathinë” dhe sidomos tregimet e vjershat e Papa Kristo Harallambit.
Më 12 shkurt 1910, në orën e parë të mëngjesit, babai hyri në klasë i armatosur dhe me gjallëri na urdhëroi të vishnim palltot e librat t’i linim në klasë se do të dilnim për shëritje. Qielli qe i kthjellët, dheu qe zbardhur me një cipë të trashë dëbore. Në rradhë dy nga dy dhe duke kënduar përzjerazi, kush ”Ditët e djalërisë janë për të kujtuar kohën kur e shkonim gjithë me gëzim”; kush ”Për mëmëdhenë”, dhe kush këngën ”Djal i varfër”, ecëm udhës së Follorinës. Në fund të fshatit qëndruam në një lëndinë. Kafshët kishin mlatur gjurmët mbi dëborë. Babai doli në ballë e foli:
”Fëmijë të dashur! Kjo lëndinë është vend i shenjtë, është Golgothaja e Shqipërisë. Këtu sipër, pesë vjet më parë andartët grekë na vranë Papa Kristo Harallambin dhe pesë patriotë shqiptarë të Negovanit se nuk deshën të ndëronin kombësinë e tyre.
Këtu nuk do të shkelin njerëzit, veçse për t’u falur… Ne do të thurim lëndinën me shtylla, do ta mbjellim me pemë dhe do të ngrehim në mes të kopshtit statujën e dëshmorit të madh të Shqipërisë”. Dhe kur mbaroi së deklamuari elegjinë ”Papa Kriston na e vranë!” ne të rinjve na u duk sikur vetë malet na thirrën ”Merrni gjakun!”
Shumë patriotë shqiptarë, me Ismail Qemalin në krye, patën bërë çmos që shqiptarët të kuptoheshin e të vëllazëroheshin me grekët porse pas tragjedisë së 12 shkurtit 1905, pas këtij krimi të klerit grek e të politikanëve katilë të Athinës, u venit çdo shpresë pajtimi. Shqiptarët u menduan se çfarë mund të bënin me krahët e vet për dobi të mëmëdheut. Ndaj kështu, po këtë mot, u krijua Komiteti i Manastirit.
* * *
Me t’u shpallur hyrjeti në Manastir u mbajt kongresi i parë i alfabetit shqip.
Akoma qe kohë paqeje dhe Valiu i Vilajetit vetë begenisi të vinte për ta inaguruar.
Erdhi të përshëndeste delegatët shqiptarë edhe drejtori i gjimnazit grek Anagnostopullos, i shoqëruar nga mësuesit filoshqiptarë Mihal Petru dhe Jorgji Kizha, në krye të 1200 nxënësve, ndër të cilët doktorët e ardhshëm, Jani Basho dhe Theodhosi e kafazi Ali Panariti.
Më 20 mars 1910, kur populli shqiptar qe tashmë në luftë të hapur me xhonturqit, u mbajt kongresi i dytë i Manastirit, më shumë në seanca të fshehta, ndër të cilat u bisedua për koordinimin dhe forcimin e veprimtarisë së klubeve, për zhvillimin e arsimit kombëtar, për të protestuar kundër mbylljes së shkollave shqipe, kundër arrestimeve, internimit e dënimit të mësuesve dhe për të dënuar moralisht e botërisht barbaritë e Shefqet Turgut Pashës. Ky kongres, që mund të quhet edhe ”i kosovarëve”, për rrethanat e kohës dhe të vendit në të cilin u mbajt, është nga më të rëndësishmit e kongreseve kombëtare shqiptare( *)
(* )Ky kongres, qëndron në zenithin e të dy kuvendeve të Ferizajt që përbëjnë katër vjet nga më të lavdishmit në historinë e Shqipërisë.
Petro Nini Luarasi u zgjodh sekretar i tij. Këtu ai foli në emër të Lidhjes Orthodhokse dhe fjala e tij e botuar në ”Bashkimi i Kombit” bëri përshtypje të fortë.
Atë dimër unë qeshë sëmurur rëndë nga pleuriti dhe babai më pati shpënë në spitalin francez të motrave stigmatine. Dola i shëruar kur pati filluar kongresi. Kur drekën e parë hyra në restorant të hotelit ”Ilira”, ku qenë mbledhur delegatët, babai më urdhëroi të vija të laja duart pastaj të kthehesha në sallën e bukës. Në të hyrë, më qëndroi përpara tyre dhe më foli:”Shikoji në sy këta zotërinj, mbaji mend mirë fytyrat e tyre dhe t’i nderosh gjithë jetën, se ata përpiqen të shpëtojnë Shqipërinë nga rrobëria!” Dhe më tregoi emrat: ”Zotnitë Dervish Hima dhe Bedri Peja, Qazim be Dibra, Hysni Curri, Ali Hajdar i Riza beut…” e kështu me rradhë.
Dhe unë i shikova në sy dhe i nderova me krye . Dhe ndenja në trapezë bashkë me ata dhe hëngra mish me fasule e një bakllava. Rrexhep beu nxorri të më falte një grosh, por babai, më shumë me shenja se me fjalë i tha: ” Jo, se mësohet keq.” Fëmijët ndjejnë gëzim të veçantë kur shohin e njihen me njerëz të mëdhenj, kur i dëgjojnë ata të flasin me nderim për ndonjë tjetër që nuk gjendet pranë. Kur dëgjoja Dervish Himën të fliste me admirim për Ismail Qemalin dhe Hysni Curri po kështu për Isa Boletinin, mua më shkonte mendja në kohën heroike të Skënderbeut dhe gëzohesha që edhe ne shqiptarët kishim burra me famë.
Njerëz me dinjitet, burra e gra, gjeje kudo, në çdo mëhallë të katundit tonë, në çdo fshat të Kolonjës, në çdo qytet të Shqipërisë. Por ndryshe qe kur i shihja ata a dëgjoja për ta veç e veç dhe ndryshe kur i shihja ata tok e i dëgjoja të flisnin e të këshilloheshin bashkë për punët e mbarësinë e të gjithë popullit, si në Kongresin e dytë të Manastirit.
Në Negovan, mua të voglit , që nuk e vrisja mendjen për të kuptuar rreziqet që na përgjonin në çdo hap e çap prej armiqve të shkollës shqipe, çdo gjë m’u duk e bukur dhe e dashur. Ndonëse s’kisha pranë, si në shtëpi, as nënën, as motrat, atje na u bënë të tilla gjithë gratë e vajzat e patriotëve, që nga e veja e Papa Kristos e gjer te gruaja e vajzat e pojakut e të mullisit dëshmor të çështjes shqiptare. Dalë nga dalë filluan të na simpatizojnë e të na bënin miq edhe ata familjarë të cilët në fillim ishin treguar grekomanë.
Kur u çel shkolla e Negovanit, ditën e parë erdhën nja dhjetë nxënës. Kur u mbyll, në qershor, rreth njëqind nxënës e nxënëse morrën pjesë në provimet që u kremtuan me pohë e pasqyli.
Në festën e mbarimit të motit shkollor erdhën nga Follorina kryetari i Beledijes Haki bej Qafëzezi, komandanti i xhandarmërisë Qamil Efendi Elbasani dhe arkimandriti i komunitetit bullgar, për të nderuar bashkatdhetarët e Papa Kristo Harallambit.
Edhe motin shkollor 1910-1911 babai në Negovan vajti.(*)
(*)Në vitin shkollor 1910-1911 dhanë mësim Petro Nini Luarasi, Mihal Zikostathllari,
Kosta Micehaxhi dhe Vasiliqia Koke nga Bellkameni
Mua më mori pas, por Dhimitrin e dërgoi në shkollën bujqësore amerikane në Selanik.
Banuam përsëri në atë vilën e bukur, mbanë udhës së Follorinës, përballë kopshtit
ku do të ngrihej monumenti i Papa Kristos, banorët e së cilës qenë vrarë të gjithë
gjatë përpjekjes midis andartëve e komitaxhinjve bullgarë më 1903.
Babë e bir, të dy flinim në odën përdhese që kish vetëm dy dritare ballë kopshtit.
Natën babai koburen e mbante nën jastëk, çiften varur në mur dhe dogranë fshehur mes
dyshekut. Ai punonte edhe pas mesit të natës, se po pregatiste librin ”Mallkimi i
shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit”.(*)
———
(*) Kur ishim në Negovan, babai lexoi që gazeta londineze ”Times” akuzonte
Patrikanën e Stambollit dhe klerin grek në përgjithësi se ndalonin ”me mjete të
panomta përparimin e shkronjave shqipe dhe qytetërimin e shqiptarëve”. Kur,
organi i Patrikanës ”Eklisiastiqi alithia”( ”E vërteta kishtare”) e mohoi këtë
akuzë, im atë filloi të përgatisë pamfletin ”Mallkimi i Shkronjave shqipe dhe
çpërfolja e shqiptarit” ku me dokumenta e fakte provonte të vërtetën se kleri grek
edhe altarin e shenjtë e përdorte në shërbim të shovinizmit.
Kur zgjohesha, vija re si mbështetej në tryezë, si mendohej e shkruante, si
ngrihej e ecte tutje-tëhu, si ulej e prapë shkruante. Herë-herë sikur fliste me
vete, i helmuar, i gëzuar, ndoshta mallkimeve të dhespotit Fillaret:
‘’…I mallkuari dhe i shkishëruari Petro Luarasi ka shkuar në fshatra të ndryshme të
rrethit të Kolonjës, duke u premtuar emërimin e mësuesve shqiptarë për mësimin e
shqipes, një gjuhë e cila nuk ekziston… Shpallim se kushdo që ndikohet nga i
mallkuari Petro Luarasi dhe shokët e tij, ose pranon mësues shqiptarë, do të
shkishërohet nga i madhi Zot e do të marrë mallkimin e etërve të kishës ….(*)
(*) Fragment nga mallkimi i Dhespotit të Kosturit, Fillaret, më 20 shtator 1892.
po u përgjigjej me fjalët:
”Ne shqiptarët i duam jo vetëm vëllezërit tanë grekë, po gjithë vëllezërit e botës,
veç se dëshërojmë që të na duan edhe ata neve!… Kombi ynë është bashkësia e
shqipëtarëve, dhe gjuha jonë është shqipja, të cilën e trashëguam nga stërgjyshërit
tanë Pellazgët…Ta begatojmë gjuhën edhe kombin tënë me kulturë dhe qytetërim, dhe
atëherë do të shohëm që gjithë sa folën liksht kundër gjuhës dhe kombit tënë do të
turpërohen dhe si dylli përpara faqes së zjarrit do të treten prej nakarit. Le të
mos frikësohemi përpara llomotitjeve e prrallave grarishte të atyre që nuk e
dashurojnë po e urrejnë mbrothësinë e njerëzisë dhe nënë mask shenjtorësh e
mendarësh duan të na gabojnë ne, dhe le të dimë se ai që është frikacak përkundrejt
së drejtës – ai bëhet tradhëtor i mëmëdheut dhe i vetes së tij.(*)
(*) Petro N. Luarasi:“Mallëkim i shkronjavet shqipe dhe çpërfolja e shqipëtarit’’,
Manastir, 1911, f. 7.
Një ditë e pashë babanë të qajë. Sa m’u dhimbs! Kishte marrë një letër nga fshati ku
i shkruanin se vëllai im i vogël Pirro pati vdekur nga kolla e mirë e fruthi,
sëmundje që korrën gati gjithë fëmijët e fshatit atë dimër dhe që u përhapën
nëpërmjet kungimit.
Motin e dytë në Negovan vizitat e patriotëve nga vende të ndryshme po bëheshin më të
dendura në banesën tonë: më të shpeshta u bënë edhe përpjekjet e andartëve grekë për
ta vrarë babanë. Dhe do ta kishin vrarë me siguri po të mos kishin qenë trimi me
fletë Spiro Toli Bellkameni dhe djemtë patriotë të Negovanit që e ruajtën si sytë e
ballit.
Edhe vetë e parandjente rrezikun. Në një letër nga Negovani, me datë 10 mars 1911,
i shkruan Kristo Papa Stefan Luarasit në Sofje: ”Në kohë të keqe unë s’kam ndërmend
t’ua le mësonjëtoren grekomanëvet, po do të qëndroj gjer në fund…para dy javësh e
dërgova Skënderin në shtëpi, e largova…”
Unë, me të arrirë në Korçë, shkova drejt e në shkollën shqipe të çupave, të piqesha
me time motër Thomaidhën. Ajo, sa më pa vetëm, u zbeh në fytyrë dhe sa s’ia dha të
qarit. ”Po babai?” më pyeti. E sigurova që qe mirë dhe s’dija përse më nisi aq
herët.
Në fund të motit shkollor u kthye edhe vetë.
Në Korçë, një ditë më parë se të ngjiste përpjekja në Orhan Çiflik, e arrestuan. Kur
i sollën të vrarët te sheshi i hyqymetit atë po e gjykonin në zyrën e mystendikut.
Kur erdhi në fshat dhe u mblodhën miq e mysafirë që ta uronin për ”Mirë se na
erdhe!” ai i pari u dha lajmin e vrasjes së Bajazit Rehovës dhe të pesë djelmoshave
– nxënës të tij! Kur zuri emrin e Kristaq Kosturit, babai i të cilit pati rënë pesë
vjet më parë dëshmor i plumbave të andartëve në Selanik, lotët i rrodhën mbi faqe.
Atë ditë të zezë korriku Korça mbajti frymën. Bijt e saj një çerek ore larg vatrës
së tyre patën rënë në luftë me asqerët osmanllinj. Disa ditë më parë kapedanët
Spiro Bellkameni, Qamil Panariti , Mendu Zavalani e Gani Sali Butka patën marrë
pjesë në mbledhjen e Frashërit dhe sipas planit që vendosën mes tyre komitët, u
nisën për në vendet e caktuara. Në Vithkuq u bashkua me ta Bajazit Rehova. Në
Korçë, anëtarët e komitetit patën siguruar armë, bukë e veshmbathje për
kryengritësit dhe prisnin që të vinte ndokush t’i merrte. Natën e 29 korrikut çeta
e Qamil Panaritit me tetë vetë dhe e Spiro Bellkamenit me dymbëdhjetë që qenë
nisur për në Mal të Thatë, pushuan në arat e Orman Çifligut e të Pojanit dhe
prisnin t’u vinin armatimet.(*)
(*) Kishin vendosur të sulmonin burgun e Korçës për të çliruar patriotët.
Një çoban i Mehmet beut i diktoi dhe i kallzoi në Hyqymet. Të dy çetat ranë në pusi.
Zyrtarët turq thirrën familjarët e kryengritësve të vinin të identifikonin trupat e
të vrarëve. Po kush guxonte t’i dilte tmerrit në sy? Kur u përhap fjala se plaku
Vani Cico Kosturi u nis për te shesh i hyqymetit, jo të afërmit e dëshmorëve, por
gjithë kasabaja i vajti pas.
Plaku i nderuar qëndroi përpara gjashtë kufomave të bëra copë-copë prej barbarëve
anadollakë: asnjëra nuk njihej se e cilit trimi qe. I vështroi në heshtje të thellë
sikur u fal përpara një altari. Dhe kur Rexhep Palla e pyeti për të parin në rradhë
se e kujt qe, plaku i nderuar iu përgjegj: ”E djalit tim!”
”Po kjo tjetra?”
”Të gjitha të djemve të mij!” iu përgjegj patrioti kryelartë, i hodhi renegatit të
Resnjës një vështrim përçmues dhe i ktheu krahët. Të gjithë e përcollën në shtëpi.
Atë ditë Vani Cico Kosturi u bë babai i gjithë Korçës.
Përparimi i shkollës së Negovanit, libri ”Mallkimi i shkronjave shqipe dhe
çpërfolja e shqiptarit”, që goditi rëndë politikën e Patrikanës në Shqipëri dhe mbi
të gjitha përpjekjet e tij për themelimin e një komiteti për bashkimin e gjithë
çetave në Shqipërinë jugore, këto e shumë të tjera i bënë kundërshtarët e Petros që
të përpiqeshin ta zhduknin sa më parë, sepse qe i ri, i fortë dhe i dashur prej
kryengritësve shqiptarë.
Ndërsa s’kalonte javë pa u bërë ndonjë mbledhje në shtëpi të tij me ndonjë Vangjel
.Gjikë a Memduh Zavalani, ose nga ndonjë bastisje e nizamëve turq kur ngutësisht në
fillim të gushtit e thirrën në Manastir.
Më 10 gusht u nda nga shokët e Manastirit shëndosh e mirë.
Si e penguan edhe kësaj radhë nja dy ditë në Korçë arriu në fshat të dielën që në
mëngjez. Pati vajtur drejt e në kishë dhe pas meshës gjerdisi me pleqtë e fshatit
për urime.
Qe gostia e tij e fundit. Atë të djelë rrodhën miq nga të gjithë anët e fshatrave që
të ndodheshin në panair, ditën e Shën Mërisë, më 15 gusht. Për drekë, atë ditë, në
mes të mysafirëve të tjerë, pati edhe Stefan Blushin, mikun e vjetër që, kur ishte
vetë mësues në Bezhan më 1883, e pati kënduar në këngën e kapedan Xhemos nga Starja.
Po atë ditë pasdreke, priti në odën e vogël nga një burrë prej cilitdo fshati kufi
me Luarasin, të krishterë e myslimanë. Nga Qyteza më kujtohet plaku Reiz, nga
Luarasi Adem Karafili. U tregoi dëshirën për çeljen e një shkolle në Luaras për
fëmijët e këtyre fshatrave, me një konvikt në shtëpinë e tij. Ai me dy të tjerë do
të jepte mësim, i ndihmuar edhe prej së bijës së madhe, Thomaidhës, e cila atë vit
mbaroi shkollën e Qiriazëve në Korçë.
Ai pati edhe një plan tjetër, që e bisedoi vetëm me ata pakë fshatarët e tij që
kishin pjesë në arat e Pradellës. Sivanllarëve dhe Gjokollarëve do t’u falte
selishtat e mëhallës dhe arat rreth e rrotull për hiset e tyre. Adem Karafilit e
Fehimit nga Matorukët, u tha t’ua blinte me qëllim që të ndërtonte një shkollë
bujqësore dhe ata i thanë se qenë gati t’ia falnin veç të bëhej kjo punë.
Të nesërmen, ditën e martë, pasi pati përcjellë miqtë e fundit, tek hidhte vrah, e
thirrën të vinte në Ersekë. Dhe të mërkurën në mëngjes u nis për atje. Rreth orës
pesë pas dreke u bë keq.
E shpunë në han të sëmurë. Kërkoi ndihmën e mjekut por s’i erdhi. Kërkoi të vinte
Mihal Leshica por të dy xhandarët rojtarë te dera e hanit nuk e lanë të hynte. Nuk
lanë asnjë burrë të hynte brenda ta shikonte, ta ndihmonte. E motra Jane dhe
fshatari Kozo Dhima e ndihmuan pak. Gjuha i qe prerë. Dha shenjë që ta nisnin për në
fshat…në Gostivisht. Po atë mbrëmje dha frymën e fundit, në shtëpinë e së
kushërirës Parashqevi Kita. Fjalët e fundit, të folura me vështirësi, ia drejtoi së
shoqes: ”Amanet fëmijët!” dhe mbylli syt e shkoi. Të nesërmen e suallën në Luaras.
Këtu erdhën edhe doktori grek, edhe xhandarë turq, një syresh i krishterë. Po përse
erdhën tani?
* * *
Petro Nini ‘’paskish vdekur nga kolera’’ dhe kufoma duhej t’i digjej me gëlqere! Të
krishterë e myslimanë, ndër të cilët edhe plaku Tahir Orgocka patën ardhur në varrim
të Petros. Muhamedanët, të armatosur, qëndronin pakëz larg: në njërën anë shumica,
miqtë e Jaçes e të Zenelit, në tjetrën anë Dake Mali me disa shokë, vrasësit e Jaçes
e të Zenelit! E kur xhandarët guxuan të afrohen që të derdhin gurin përvëlonjës mbi
trupin e Petros, Dakja, armiku i tij i pajtuar, u turr drejt varrit dhe u thirri të
tjerëve: ”Qe miku juaj, hasmi im. Po më lehtë do të më përvëlojnë mua të gjallë se
trupin e Petros!”
Xhandarët ua mbathën këmbëve pas doktorit që iku kaluar tok me suvarinjtë. Dake Mali
qante si kalama.
Thanas Cico Duro-ah sa burrë i mirë, veç të mos kish patur të pirët! – hahej nga një
herë me tim atë: ”Fol, o Petro, kush është më i pasur, ti me tri motra apo unë me
tre vëllezër?”
”Prit sa të vdes, o xha Thanas, do ta marrç vesh prej kujës.”
Kur e mbuluan Petron, e mori vesh xha Thanasi që edhe Petrua paskish patur tre
vëllezër, po jo prej kujes – se zemrat qenë zënë nga zemërimi- po prej asaj që ngjau
rreth atij varri, që të huaj deshën ta çnderonin, dhe prej qëndrimit burrëror të
atyre tri motrave.
Guri Sevo ndodhej larg Shqipërisë kur vdiq Petroja, por Leko Dhosi i dha një
përshkrim të imët mbi varrimin e mësuesit të shqipes: ”N’atë çast njerëzia as që
pyetën fare se ç’është frika. Kur vdiq ky njeri i mirë i fshatit tonë, le të vdesim
edhe ne – le të vdesim!” thanë. Dhe s’kishin se ç’të bënin asqerët se s’i mbanin
dot njerëzit”. Kështu shkruante Leko Dhosi, nxënës i Petros, i cili edhe ai vetë
tre vjet më vonë ra i vrarë mu përpara kishës së Katundit prej plumbave të
andartëve. Ai shkoi theror bashkë me ata nxënës të Petros që i dogjën në Treskë dhe
me ata dy dëshmorë të Gostivishtit, atë e bijë, Vasil e Paro Kita, që i therën, po
në atë shtëpi ku vdiq Petro Luarasi, i helmuar nga shërbëtorët e kishs greke dhe
xhonturqit e qeverisë turke.
Burrërisht qëndruan djemtë trima të fshatit rreth kufomës së Petros në atë çast,
kështu burrërisht edhe rreth familjes së tij tre vjet më vonë, kur skllevër të
shitur në të huaj deshën ta fshinin nga faqja e dheut.”
Një shok i Komitetit lajmëronte gazetat: ”Petroja vdiq dhe me vdekjen e këtij
Atdheu shqiptar humbi një bir të vërtetë dhe Komiteti një anëtar të fortë dhe
punëtor të parë.”
Gjithë gazetat u mbushën me nekrologji për Petro Luarasin: ”Dielli”, ”Lirija”,
”Drita”, ”Kalendari”…të gjitha botuan përshkrime të gjata mbi jetën dhe veprat
e tij.(*) (*) Ngushëllime vinin edhe nga ‘’Bota e re’’
Nekrologji për P.N.Luarasin dhe ora e fundit, Dielli , 28 shtator 1911, f.2.
Ngushëllim: Shoqëria ”Mall i Mëmëdheut” dhe ”Përlindja Shqiptare” e Jamestownit,
dërgon ngushëllimet e saj të sinqerta familjes Petro Luarasi për humbjen e të
dashurit tyre dhe atdhetarit tonë të palodhur, e fillonjësit të Shoqërisë ”Mall i
Mëmëdheut” , Dielli, 19 .10.1911, f.3.
Shumë atdhetarë të vërtetë e qanë me lot të nxehtë në vjersha të bukura vajtimtare.
”Dhe unë vetë e kam qarë Petron”, shkruan Guri Sevo, ”pse e kisha mik e mësonjës,
dhe se natura i kishte dhënë një cilësi të veçantë në mendje dhe në zemër,
karakterin që e çquante nga shumica, dhe si shqiptar e kemi dashur se na nderonte
fshatin e kombin.”(*)
Në fillim të shekullit Patrikana greke pati marrë vendim që dhespotët të emëroheshin
jo më pleq po të rinj, të zotët për të zbatuar çdo mizori kundër armiqve të
elenizmit dhe dërgoi të tillë në Kostur, në Manastir dhe në Korçë. Njëri qysh në
predikimin e tij të parë u tha besimtarëvet: ”Moisiu ka thënë: Përgjigjuni
kundërshtarit sy për sy e dhëmb për dhëmb”. Unë ju them: Ndë ju nxjerrtë armiku
njërin sy, ju t’ia nxirrni të dy sytë dhe ndë ju theftë një dhëmb, ju t’ia thyeni të
gjithë”.
Tjetri: ”Krishti u tha apostujvet: Lerini shtëpitë dhe ejani pas meje. Unë ju them:
shitini shtëpitë, armatosuni dhe vrajini armiqtë e helenizmit”. Dhe kështu e në
këtë mënyrë barbare predikonin dhespotët e Fanarit në vendet ku nuk flitej gjuha
greke.
Kur mendoj që Karavangjeli i Kosturit dha urdhër që të bëhej masakra e 12 shkurtit,
në të cilën humbën jetën Papa Kristoja, vetëm se meshoi shqip në fshatin e tij
Negovan, Papa Theodhosi, vetëm se qe i vëllai i Papa Kristos, dhe Papa Vasili, vetëm
se qe nipi i tyre, dhe të katër të tjerët, vetëm se donin të dëgjonin ungjillin
shqip, dhe brenda pesë vjetëve edhe dyzet e katër të tjerë banorë të Negovanit u
bënë fli vetëm se dërguan fëmijët në shkollën shqipe, çuditem, jo që e helmuan Petro
Luarasin më 1911, po si nuk e vranë në Negovan që të nesërmen e ditës që çeli
shkollën shqipe në atë fshat!
Po, vërtet, pse nuk e vranë?(*)
Kur Thoma Bezhani ia bëri këtë pyetje së gjyshes, ajo i qe përgjegjur : ”Plumbi nuk
i ze trimat”. (90 vjetori i shkollës shqipe në Bezhan, ”Mësuesi”,14 janar 1974)
Se ja që Petro Nini Luarasi nuk kish ‘’thimjo ksillo’’, copë dru prej kryqit të
Krishtit që t’i shërbente si hajmali. Po ç’djem besnikë e trima paskeshin qenë ata
të Negovanit e të Bellkamenit! Këta të gjithë me kapedan Spiro Bellkamenin e ruajtën
Petron si të dy sytë e ballit.
”Po pse ia bënë atë të keqe dhe e helmuan!”
Helmimi ka qenë një nga armët e ndyra që përdorte Bizanti për të zhdukur armiqt e
tij; se vrasja me helm mund të maskohet. Dhe helmatimin e Petro Luarasit u përpoqën
ta maskonin duke çpifur se vdiq nga kolera.
Për vdekjen e Petros prej helmit aso kohe u bind e gjithë bota, me gjithë përpjekjet
që bënë konspiratorët grekë e xhonturq për të mbuluar aktin e tyre kriminal prej
opinionit publik. Kur u kthye Petro Luarasi nga Manastiri në Kolonjë, domethënë
dhjetë ditë para se të vdiste, ai ishte fare mirë nga shëndeti.
Gazeta ”Drita” e Manastirit, më 16 Vjeshtë e Parë 1911, shkruan për vdekjen dhe
lajmëron me këto fjalë: ”Ky atdhetar i flaktë vdiq në gusht të këtij moti në
Ersekë. Disa thonë që e farmakosën armiqtë dhe disa të tjerë thonë se vdiq nga
apopleksia. Dy javë më parë se të vdiste kish ardhur këtu në Manastir dhe ish fare
mirë nga shëndeti.”
Po të kish qenë i sëmurë Petro Luarasi qëndronte në Manastir dhe atje mund të gjente
mjekimin e nevojshëm. Pas dy ditësh udhë, të mërkurën, më 10 gusht arrin në Korçë ku
përsëri e mbajtën nën vërejtje për nja dy ditë. Kur e lëshuan, po të kish qenë
sëmurë, qëndronte në Korçë, ku mund të gjente mjekimin e nevojshëm më lehtë se në
fshat.
Të djelë, më 14 gusht, u nis që me natë nga Korça për në Luaras me këmbë. Kur arriu
në fshat, shkoi drejt e në kishë, ku pati nisur mesha. Të nesërmen qe panairi i Shën
Marisë dhe u interesua të piqej me sa më shumë mysafirë, që t’u fliste e t’i bindte
për të çelur shkolla shqipe. Tërë atë mëngjes bëri vizita nëpër fshat. U puth e u
përqafua me miq e të dashurit e tij. Në shtëpi të tij priti e përcolli mysafirë,
hëngri e piu bashkë me ta. Të martën shtroi vetë vrahun në lëmë dhe punoi gjithë
ditën e ditës. Të mërkurën më 17 gusht, thonë se nuk kishte ndër mend të shkonte në
Ersekë, por e thirrën. Edhe këtë ditë i la kafshët për punë e shkoi me këmbë në
pazar. Kishte shpresë të kthehej shëndoshë e mirë në fshat.
Dihet se në Ersekë foli për punë të shkollës që dëshironte të çelej asaj vjeshte
atje. Për këtë gjë foli edhe me tregëtarët grekomanë të atjeshëm, dhe me Pet
Prodanin në dyqan të tij. Grekomanët kishin organizuar një shoqëri të tyre në
Kolonjë me kryetar nderi dhespotin e Kosturit, Joakinin, me të cilin Petro Luarasi
kishte qenë në luftë për vdekje. Pet Prodani qe kryetar i kësaj shoqërie, një doktor
grek Joan Thanas Janulis ish sekretar i saj. Atë pasdreke fatale, prej dyqanit të
Pet Prodanit shkoi në spicerinë e Janulit. Në këtë interval u sëmur Petro Luarasi.
Që u helmua, s’ka dyshim. Pyetja është: Ku u helmua, në dyqan të Pet Prodanit apo në
farmacinë aty ngjitur. Përpara spiceranës u rrëzua përdhe. Kur e shpunë në han,
njerëz të porositur po thërrisnin nëpër pazar: ”Kolera! Kolera! Petro Luarasi ka
kolerën!”
Këtë e bënë komplotistët për të humbur gjurmët e krimit të tyre. Në atë moment
shpifja e bëri efektin e saj për të mbajtur njerëzit larg të sëmurit, po gjithë bota
e kuptoi që Petro Luarasi vdiq i farmakosur.(*)
(*) Një fakt tjetër provon se tim atë e farmakosën. Gjatë kthimit nga Erseka, hipur
mbi mushkën e Kozo Dhimës, villte përmbi qafën e saj. Të nesërmen ngordhi edhe
mushka, që qe e shëndetshme e bënte përmbi 15 napolona asaj kohe.
Sali Butka dhe Spiro Bellkameni të cilët ndodheshin në mal me çetat e tyre, erdhën
fshehurazi në shtëpinë e të vdekurit për ngushëllim dhe biseduan rreth katilëve që
duhej ta paguanibn me kokë vrasjen e mikut të tyre. E shoqja e Petros iu lut me lot
në sy: ’’Aman veç gjak jo, se i kam fëmijët të vegjël!’
Populli ia ruajti kujtimin Petros dhe nuk i harroi bashkëfajtorët. Më 1920, kur
Kolonja hyri nën administratën shqiptare, patriotët kërkuan dhe bënë që doktor
Janulis të shporrej prej Ersekës nën akuzën si bashkëpunëtor për vrasjen e Petros.
Ndërsa Pet Prodani, agjenti kryesor i dhespotit të Kosturit dhe i xhonturqve, i
lidhur ngushtë me ta si vegël për zhdukjen e Petros, mbrohej nga bejlerët dhe e
ndjente veten aq të sigurtë sa njëherë kur ra fjala për vdekjen e Petros u mburr
duke thënë: ’’Miqtë e Petros e muarrën vesh se unë jam më i madh se Perëndia’’.
Aq e urrenin këta grekomanë Petro Luarasin, sa më 1926, pas rikthimit të
Zogut, rrugës në të cilën Petro Luarasi pati shkuar i sëmurë dhe i kishin vënë
emrin e tij, ia hoqën tabelën, dhe në listën e gjatë që u pregatit prej
bashkisë së Korçës me rastin e 25-vjetorit të Indipendencës shqiptare ndërmjet
gjithë atyre veteranëve dhe patriotëve mungonte emri i Petro Nini Luarasit,
(Gazeta ”Drita”, nr. 207, 4 gusht 1937).
Kundër kësaj ”harrese” njerëz të popullit dërguan protestën e tyre të fortë në
gazetën zyrtare ’’Drita’’ të Tiranës. ( Gazeta ”Drita” , nr.212 10.8.1937, f.3)
Shënim: ”Bëjmë me dije se në periudhën 12.12.1936-13.8.1945, Skënder Petro Luarasi,
gjendej jashtë shtetit (në gusht 1937 në Spanjë) pra është i pabazuar çdo
hamendësim se ”pikërisht ai” është autori-anonim i kësaj proteste Nuk dihet se
në ç’rrethana është ngjizur kjo ide që të vërë nderin e shenjtorit ortodoks Petro
Nini Luarasi në duart e Skënder Petro Luarasit, ” të birit plangprishës, heretik e
të indoktrinuar me internacionalizëm”.
Një nga dialogjet e mbajtur në provimet e shkollës shqipe në Korçë midis dy nxënësve
shqiptarë dhe një nxënësi grekoman, i cili mburr antikat e Greqisë, mësuesi i
shqipes e mbaron me fjalët:
Vëlla, ç’na duhen të teprat?
Nuk vështrojmë punët ne?
Grekët qofshin të vjetrit,
Për ne qoftë çdo e re.
Ai vdiq në luftë e sipër për të renë.
Kur vdiq i la së shoqes pesë lira borxh të cilat ajo i shleu duke shitur bagëti e
drithë që t’ia mbante të pastër emrin. Fëmijëve nuk u la trashëgim talanta por
karakterin e emrin e mirë.
Në kujtimet e tij Sali Butka shkruan: ’’Në qoftë se në Kolonjë do të ngrihet në
kohën e ardhshme ndonjë përmendore për atë që e shpëtoi dhe e nderoi këtë vend, kjo
përmendore duhet të jetë e Petro Nini Luarasit, që na zgjoi, na bashkoi e na
lartësoi dëshirat e veprimet’’.( )
( )Mbas çlirimit, Kolonja ia ngriti bustinPetro Nini Luarasit dhe ia përjetësoi
emrin në shkollën e Ersekës të cilën e pati ngritur që gjatë Rilindjes Kombëtare .
Epitaf i thjeshtë: ‘’Mësues i lavdishëm i shkollës shqipe’’.