Kjo ngjarje madhore, si më e rëndësishme për shqiptarët duhej të kujtohej dhe të kremtohej me madhështi nga dy shtetet shqiptare realizimi i të cilëve ka ardhur si rezultat i projektit dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, apo të kësaj organizate gjithëkombëtare shqiptare.
Lidhja e Prizrenit bëri për herë të parë bashkiminm e të gjithë shqiptarëve, të të gjitha trojeve shqiptare pa dallime krahinore e fetare.
Lidhja e Prizrenit për herë të parë përcaktoi orientimin dhe qëllimin politik të shqiptarëve, mbrojtjen e trojeve shqiptare, Pavarësinë dhe Bashkimin Kombëtar.
Prandaj kjo është dhe ngjarje me më rëndësi në historinë gjithshqiptare.
Në Prizren me 10 Qershor 2018 duhej të ishin për të kujtuar dhe festuar elita patriotike e kombëtare; elita akademike, shkencore dhe intelektuale si dhe elita politike dhe ajo gjithinstitucionale shtetërore e të dy shteteve dhe nga të gjitha trojet shqiptare e diaspora.
Më gjithkombëtare dhe gjithpërfshirëse ka qenë Lidhja Shqiptare e Prizrenit para 140 vitesh në ato kohë shumë e shumë të vështira, më të vështira në historinë tonë kombëtare ,kur kombit shqiptar i kërcënohej ekzistenca, pra kur ajo u lindi dhe veproi, se sa sot në përkujtimin e 140 vjetorit të saj.
Nuk i falet kjo neglezhencë as politikës dhe as pushtetit të të dy shteteve shqiptare ndaj kësaj ngjarje momumentale, arkitektja heroike dhe vizionare e cila projektoi dhe motivoi Pavarësinë e Shqipërisë me 28 Nëntor 1912, pas 100 vitesh atë të Kosovës . Projekti i madh i Lidhjes ishte dhe vazhdon të jetë dhe do të realizohet plotësisht me Bashkimin Kombëtar që është i pashmangshëm.
Nisur nga fakti se nuk po dëgjohej asnjë zë dhe nuk po interesohej pothuajse askush nga pushteti, as nga politika por as nga shoqëria civile apatike dhe as nga mediat , as në Kosovë dhe as në Shqipëri për 10 Qershorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe për 12 Qershorin , Ditën e Çlirimit të Kosovës, unë më herët i kërkova publikisht Presidentit të Kosovës dhe Qeverisë së saj që ta shpallnin 2018-ën si vitin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe këtij shkrimi të dytë të sotëm po i bashkangjis edhe atë paralajmërim që i kam bërë politikës dhe pushtetit në Kosovë me titull se: “A po i bie në mënd politikës dhe pushtetit për 10 dhe 12 Qershorin” (shkruar dhe botuar me 06 Qershor 2018)
Jemi në Qershor 2018.
Qershori ka dy ngjarjet më të mëdha monumentale në historinë moderne shqiptare . Ka 10 Qershorin e vitit 1878 të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ngjarja më madhore shqiptare e cila njohu ndërkombëtarisht egzistencën e Kombit shqiptarë dhe e shtroi detyrimisht problemin kombëtar shqiptar për zgjidhje.
Lidhja e Prizrenit lindi dhe nxiti Rilindjen Shqiptare; hapjen e shkollave dhe të arsimimit shqip.
Me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit për herë të parë shqiptarët lëvizën si komb; me të filloi epoka e lavdishme 35 vjeçare e luftës ushtarake, politike, diplomatike dhe strategjike e cila çoi në Kryengritjen e Përgjithshme të Pavarësisë së vitit 1912 kundër coptimit të trojeve shqiptare nga shovinizmi sllavo-grekoortodoks dhe Europa.
Po kështu ngjarja tjetër e madhe gjithshqiptare është 12 Qershori i vitit 1999 si fazë plotësuese dhe vazhdimësie e projektit të Lidhjes së Prizrenit, si dita e çlirimit të Kosovës nga kolonizatori serb, liri e cila erdhi me ndihmen dhe ndërhyrjen vendimtare të NATO-s dhe me luftën çlirimtare të popullit heroik të Kosovës, e cila është de fakto edhe dita e Pavarësisë së Kosovës. Kjo është ngjarja tjetër e madhe me rëndësi epokale sepse për herë të parë në historinë kombëtare të shqiptarëve, shqiptarët patën përkrah botën demokratike perendimore, SHBA , Europën dhe NATO-n, i paten në ndihmë dhe në mbështetje të aspiratave kombëtare për liri dhe për pavarësi, madje edhe ato shtete të cilat janë autorët e padrejtësive që u bënë shqiptarëve në vitin 1913, coptimin e trojeve shqiptare.
Por nuk e di se a po i bie në mënd Akademisë, politikës, pushtetit dhe Shtetit në Kosovë por edhe atyre në Shqipëri për t’i përkujtuar ashtu siç e meritojnë këto dy ngjarje të mëdha , si më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare. (06 Qershor 2018)
Lidhja Shqiptare e Prizrenit është organizata apo organizimi i parë gjithshqiptar me projektin madhor për mbrojtjen dhe bashkimin e trojeve shqiptare, dhe organizimi i parë gjithshqiptar që përcaktoi orientimin dhe qëllimin politik.
Lidhja ishte motivuesja dhe prej së cilës buroi dhe erdhi Pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912.
Lidhja iu kundërvu dhe kundërshtoi planet e shteteve më të mëdha Europiane dhe të atyre Ballkanike të cilat donin të shqyenin ,të coptonin, t’i gllabëronin trojet shqiptare dhe ta asgjësonin dhe asimilonin kombin shqiptar.
Ashtu si Pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912 , po ashtu edhe Pavarësia e Kosovës pas 100 vitesh janë faza të cilat ishin projekt i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen dhe bashkimin e trojeve shqiptare.Ky projekt do të realizohet sepse shqiptarët si populli më i vjetë dhe kyç i Ballkanit do të zë vëndin që i takon, dhe kombi shqiptar do të fitojnë me çdo kusht atë të cilën e meriton dhe që i takon, Bashkimin Kombëtar.
(Skënder Sadri KAPITI, është autor i librit, “TRIUMFI I KOMBIT”, Durrës)