SHBA, aleati i madh strategjik i Shqipërisë ka luajtur rolin kryesor për miratimin e Reformës ne Drejtësi dhe për Ligjin e Dekriminalizimit të politikës shqiptare: në funksion të pastrimit të politikës, qeverisjes dhe të administratës shtetërore prej njerëzve antikombëtarë, të paaftë, të korruptuar dhe me rekorde kriminale; në funksion të luftës kundër krimit, korrupsionit, trafikut të drogës etj.; në funksion të ndërtimit të shtetit ligjor dhe të Integrimit të Shqipërisë për në BE. Të dy këto ligje me rëndësi jetike për shqiptarët u miratuan nën presionin e SHBA-së kryesisht, si dhe të BE-së, pasi pati mosvullnet, kundërshti dhe rezistencë nga segmente dhe klane të inkriminuara, individë me të kaluar kriminale dhe të korruptuar të politikës, qeverisjes dhe të drejtësisë. Një ndër ta edhe Kryeprokurori Llalla i cili reagoi shumë ashpër kundër asaj se cfarë deklaroi Ambasadori amerikan në Tiranë, z. Donald Lu se :
“Prokurori i Përgjithshëm është kundër Reformës në Drejtësi. Për më shumë se 18 muaj ka folur kundër Reformës”.
Ky reagim i ashpër i tij ndaj Ambasadorit erdhi nga dëshpërimi dhe paniku që e ka mbërthyer Prokurorin tani, pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të Reformës në Drejtësi; reagim i ndikuar, nxitur dhe i detyruar politikisht për ta deklaruar atë prej tij, edhe nga ata të cilët e kanë promovuar dhe zgjedhur atë si Kryeprokuror të kushtëzuar për t’u shërbyer atyre në këmbim të këtij favori dhe posti të lartë në sistemin e Drejtësisë; dhe pikërisht për t’i shërbyer politikisht së pari Sali Berishës i cili është autori kryesor i traumave dhe të tragjedive të rënda kombëtare të këtyre 25 viteve, autor i instalimit në Shqipëri edhe të këtij sistemi politik që e kishte kapur drejtësinë dhe shtetin.
Këto kryesisht e motivuan Kryeprokurorin e Shqipërisë , dështakun më të madh në drejtimin e institucionit të tij në luftën kundër krimit, trafikut të drogës dhe të korrupsionit si dhe i kapur prej tyre dhe si shërbëtor i politikës dhe jo i drejtësisë; këto kryesisht e shtynë atë të sulmojë ambasadorin amerikan, Z.Donald Lu.
Ambasadori Lu tha një gjë të vërtetë të cilën tashmë e ka perceptuar edhe publiku shqiptar: se persona të rëndësishëm të politikës, te egzekutivit dhe të gjyqësorit janë munduar që ta pengojnë këtë Reformë, ku ndër ta, dhe nga më kryesorët është edhe Prokurori i Përgjithshëm.
Unë besoj tërësisht në atë se cfarë tha Ambasadori amerikan Donald Lu, pasi e kam shprehur dhe në dy shkrime të mia një vit para se të miratohej Reforma në Drejtësi se :“ pa këmbënguljen dhe insistimin e BE-së , por sidomos dhe kryesisht të SHBA-së, kurrë nuk mund të kryhet Reforma në Drejtësi në Shqipëri dhe as të dekriminalizohet politika pasi: nuk vetëdekorruptohet Drejtësia dhe as nuk vetëdekriminalizohet politika shqiptare”.
Unë besoj plotësisht në atë se cfarë deklaroi Ambasadori i SHBA-së që Kryeprokurori i Shqipërisë e ka penguar Reformën në Drejtësi, pasi ai është falanga besnike e Sali Berishën, e këtij arkitekti antikombëtar dhe antisistem; autori i ngritjes së këtij sistemi politik korruptiv.
Pra, struktura e derimësotme e sistemit të Drejtësisë në Shqipëri ka qenë kundërshtarja më e fortë e Reformës në Drejtësi; kanë qenë gjyqtarët, prokurorët si dhe ishministrat dhe deputetë të PD-së të inkurajuar, nxitur dhe instruktuar haptazi dhe më shumë nën rrogoz nga Sali Berisha dhe klani rreth tij, pa përjashtuar këtu edhe funksionarë të lartë të politikës dhe të pushtetit të sotëm.
Tashmë duket sheshit se Presidenti aktual si dhe sidomos Prokurori i Përgjithshëm janë akoma zëdhënës të kushtëzuar nga ish-Kryeministri të cilët po rezistojnë akoma në mjerim dhe në dëshpërim duke u orvatur që ta pengojnë akoma Reformës në Drejtësi, zbatimin e saj. Janë pakësuar, sepse deri dje ishin shumica e gjyqtarëve dhe sidomos prokurorët; ishte kupola e korrupsionit, KLD-ja si dhe Gjykata Kushtetuese, edhe këto si ngrehina të ish-Pushtetit të sistemit politik të strukturuar nga Berisha.
Ja se kush dhe cfarë e verteton këtë fakt për Sali Berishën. Mjafton të sjellim në kujtesë të publikut atë se cfarë deklaroi në Nëntor 2016 Kongresmeni amerikan, Avokati i madh i Cështjes shqiptare , Joseph DioGuardi, i cili i ishte “lutur” madje Sali Berishës, që në vitin 1992 kur ai ishte President i Shqipërisë se …të lutem, krijoni një sistem politik si në SHBA. Bëj të njëjtën gjë si Ne. Jo, ai kishte idenë e tij. Ai donte të kontrollonte gjykatat dhe Drejtësinë, dhe tani ndodh që ka gjithë atë korrupsion.
Pra, rezistenca kryesore kundër Reformës në Drejtësi ka ardhur nga PD dhe Sali Berisha sepse ata donin ta kishin monopolin mbi Drejtësinë e cila ishte emëruar, kapur dhe derigjohej nga ishpushteti dhe Sali Berisha. Por Reformen e pengonin edhe ata qe e kane sot pushtetin, te cilet donin ta fusnin e ta kishin tani ata ne dore Drejtesine.
Berisha gjithnjë ka pasur probleme me ambasadorët e SHBA-së për t’i dhënë shkak dhe për ta vendosur në kurs përplasjeje Shqipërinë me SHBA-në dhe si i pabesë dhe hipokrit e tinëzarë që është ai ka ndërsyer kundër SHBA-së lakejt e tij sic është edhe rasti i Kryeprokurorit, i cili në atë se cfarë shprehu kundër ambasadorit Donald Lu nëpërmjet zëdhënëses së tij se:
“Pra nuk hezitojmë të shprehemi se kjo sjellje e Lu është personale për interesa personale”.
Dhe a nuk është ky një imitim në sinkron apo më sakt një kopje edhe e asaj se cfarë edhe shefi i tij, Berisha, i adresohej ambasadorit të mëparshëm të SHBA-së, Arvizu, në Maj të vitit 2013 ku Berisha e akuzonte atë indirekt se kishte qëllime personale, por që nga Arvizu ai mori këtë përgjigje:
“Qëllimi ynë i vetëm është të përfaqësojmë dhe të sjellim Zërin e SHBA-ve” .
Edhe me ambasadorin tjetër amerikan që ishte në Tiranë para Arvizusë, me Withers , Berisha e akuzonte atë sikur ai kishte ndërmarrë kundër tij një sulm personal . Berisha gjithnjë ka qenë problemi kryesor për shqiptarët pasi arriti deri aty sa që edhe përvec grushtit të armatosur të shtetit në vitin 1998 ,një vit pas katastrofës së vitit 1997 , kreu edhe një “grusht administrativ shteti” me mënyren se si u zgjodh prej urdhërit të tij antari i Komisionit Qendror te Zgjedhjeve në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.
Si mund ta akuzosh ambasadorin amerikan Z. Donald Lu, për sjellje dhe për interesa personale kur ai ka deklaruar në fillim të Janarit 2016 se:
“Të gjithë Ne në Ambasadën amerikane jemi të përqëndruar në Reformën në Drejtësi për shkak të udhëzimit direkt nga zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit. Ata na kanë thënë qartësisht se prioriteti numër një i Qeverisë Amerikane në Shqipëri është të mbështesë Reformat e nevojshme për pranimin e Shqipërisë në BE”.
Ky deklarim nga ambasadori Amerikan Lu është në përputhje me faktin se SHBA gjithmonë, pavarësisht pikëpamjeve dhe dasive partiake, përsa i përket për politikën e jashme dhe të rolit të Amerikës në Botë qëndimet e SHBA gëzojnë përkrahjen e zyrtarëve të lartë të të dy partive kryesore amerikane, dhe si rezultat i kësaj edhe ambasadori amerikan, Donald Lu, flet në emër të SHBA dhe gëzon mbështetjen e tyre.
Edhe njëherë them: se unë e besoj tërësisht atë që tha Ambasadori Lu: se Kryeprokurori Llalla e ka penguar Reformën në Drejtësi, pasi jo vetëm atij por kjo Reformë nuk u ka pëlqyer shumë gjyqtarëve, prokurorëve, politikanëve, deputetëve, qeveritarëve qëndrorë dhe atyre lokalë, pasi kjo Reformë është një sistem llogaridhënie para së cilës ata do të japin llogari dhe do të përgjigjen. Prandaj dhe miratimi i saj hasi në shumë vështirësi shkaktuar prej tyre.
Njeriu i cili ka qenë politikani dhe pushtetari më antiamerikan dhe më antikombëtar ka qenë Sali Berisha. Ai me reformën e tij politike të sistemit ka ndërmarrë dhe është autori i rrënimit të Ushtrisë shqiptare duke dalur kështu hapur kundër sygjerimeve të aleatit tonë strategjik, SHBA-së; është autori i ngritjes të sistemit të vjedhjes dhe të manipulimit të zgjedhjeve demokratike në vitin 1996; është autori i ngjarjeve katastrofike të vitit 1997; është autori i Marrëveshjes për kufirin detar të Shqipërisë me Greqinë si një tradhëti kombëtare, marrëveshje jotransparente, tinëzare që shmangu aleatin tonë strategjik SHBA-në.
Ai është autori i shkeljes së embargos ndërkombëtare të naftës të udhëhequr nga SHBA kundër makinerisë luftarake të Milloshevicit; është autori i protestës parlamentare antiamerikane dhe i manipulimit të shoqërisë civile kundër planit amerikan për demontimin e armëve kimike të Sirisë etj.
Madje Berisha është dhe shkaktari i kësaj gjëndjeje mjerane sot të PD-së, i dy humbjeve të thella të saj, në zgjedhjet parlamentare 2013 dhe në ato vendore 2015, i kësaj Partie të cilën realisht SHBA e ka mbështetur si Partinë e parë opozitare antikomuniste të pluralizmit shqiptar si edhe dominimin prej saj të politikës shqiptare në këtë tranzicion.
Pra, si qytetar nuk mund të qëndroj indiferent edhe ndaj kësaj sjelljeje dhe ndaj akuzave të Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, Llalla, i cili duke akuzuar me të padrejtë Ambasadorin amerikan, indirekt ka dalë edhe kundër Departamentit të Shtetit, pasi zëdhënësi i tij Mark Toner u shpreh se ambasadori flet në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe gëzon mbështetjen e tyre, si dhe deklaroi që :
“Departamenti i Shtetit ka besim të plotë tek Ambasada dhe ambasadori i saj në Tiranë” .
Prokurori Llalla dhe disa si ai, jo vetëm që e kanë bllokuar Reformën në Drejtësi por ai arrin deri atje duke u treguar aq shumë mosmirënjohës për ndihmën e madhe që SHBA ka dhënë dhe jep për integrimin e Shqipërisë për në BE, duke na ndihmuar në mënyrë të gjithanshme për të plotësuar kushtet dhe standartet që kërkon BE për Shqipërinë si: për Dekriminalizimin e politikës, për Reformën në Drejtësi, në luftën kundër drogës, krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit të cilët kërcënojnë edhe sigurinë tonë kombëtare.
Jo vetëm kaq, por Kryeprokurori arrin deri atje sa këtë përpjekje, kontribut dhe këtë ndihmë të aleatit tonë SHBA duke sulmuar ambasadorin e saj në Tiranë edhe me akuza të tilla si shantazh dhe ndërhyrje në institucionin e tij, sjellje këto si ato të ishregjimit komunist që e akuzonin SHBA e cila mbronte demokracinë dhe lirite e të drejtat e njeriut në Shqipëri, si ndërhyrje në punët e brëndshme të Shqipërisë.
Deklarimet apo presionet e Kryeprokurorit Llalla në adresë të ambasadorit amerikan injorohen totalisht edhe nga deklarimi për mediat nga Ambasada e BE-së në Tiranë e cila mbështet publikisht ambasadorin amerikan, z. Lu, për angazhimin e tij për krijimin e një gjyqësori të pavarur si dhe duke shprehur vlerësimin më të lartë për angazhimin diplomatik të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë dhe në vecanti të ambasadorit Donald Lu.
Në mbyllje marr shkas dhe e përshëndes Ambasadorin amerikan Donald Lu edhe për atë thirrje që ai u bëri shqiptarëve:
“U bëjmë thirrje shqiptarëve patriotë, të kualifikuar që të aplikojnë për të shërbyer në Komisionet e Vetingut”.
Kjo thirrje më ka emocionuar jashtë mase, pasi këtë ide e kam shkruar edhe në Librin tim “TRIUMFI I KOMBIT” në kapitullin “PATRIOTIZMI DHE DEMOKRACIA DY VIRTYTET E MUNGUARA TË POLITIKËS SHQIPTARE . Kjo më ka emocionuar shumë pasi unë dhe familja ime e kemi pësuar shumë dhe na ka kushtuar shtrenjtë nga politika dhe nga shteti shqiptar si dje në Komunizëm ashtu edhe pas rënies së tij për faktin se jemi patriotë; kemi kundërshtuar komunizmin; pse kemi kontribuar shumë për Demokracinë në Shqipëri dhe për clirimin e Kosovës, ashtu sic ka bërë dhe SHBA-ja për kombin shqiptar që e shpëtoi dhe e mbrojti Shqipërinë nga coptimi, SHBA e cliroi dhe e pavarësoi Kosovën si dhe për kontributin e jashtzakonshëm të saj për demokracinë dhe integrimin e të dy shteteve shqiptare.
Po nuk qe patriot dhe kombëtarë nuk mund të jesh as proamerikan, sepse kur nuk do vëndin tënd nuk mund ta duash as mikun dhe aleatin e kombit tënd; po nuk qe patriot korruptohesh lehtë dhe nuk ndjen përgjegjësi kombëtare dhe as ndjesi sociale dhe je i gatshëm për të bërë tradhëtinë dhe të shitesh shpejt dhe lirë edhe për një interes të ulët përsonal.
Por më shumë kjo thirrje së pari ngjall një shpresë të madhe për të gjithë shqiptarët, pasi kjo thirrje është në kontrast të thellë me realitetin qeverisës parlamentar, egzekutiv dhe gjyqësor; të administratës dhe të shoqërisë civile të kapura dhe të sunduara nga elementë aspak patriotë, jokombëtarë si dhe tejet të korruptuar, të paaftë dhe të papërgjegjshëm , servilë, të pa personalitet dhe të pa integritet, dhe madje edhe me rekorde kriminale.
Realiteti politik dhe institucional është mbushur edhe me individë mosmirënjohës për aleatin e madh dhe jetik të shqiptarëve, SHBA-në, sic është ky Kryeprokuror si dhe e gjithë shpura dhe soji anti-Reformë të cilët bënë gjithcka për ta sabotuar Kryereformën e Reformimit të Shtetit modern shqiptar, Reformën në Drejtësi, sepse politika në Shqipëri të tillët i ka përzgjedhur deri më sot në krye të punëve dhe të qeverisjes.
Me VETING-un dhe me Reformën në Drejtësi po fillon një epokë e re për Shqiptarët, që edhe kjo erdhi falë ndihmës dhe kontributit të aleatit tonë të madh e të shtrenjtë, SHBA-së. Faleminderit USA!